Tregjet janë në duart e pak kompanive, institucionet heshtin… Nga ushqimet te bankat dhe telefonia, disa prej tregjeve më të rëndësishme shqiptare dominohen nga një numër i kufizuar aktorësh. Autoriteti i Konkurrencës hap monitorime e hetime, shpesh pasi shpërthen debati publik, por se sa prej tyre prodhojnë ndryshim real në treg? Ndërsa te karburantet ka edhe një tjetër “lojtar” të madh që rëndon mbi çmimin: vetë shteti, përmes barrës fiskale. Në Serbi është hapur së fundmi një debat që në Shqipëri prej vitesh bëjmë sikur nuk e shohim. Dushan Bajatoviç, një prej figurave të njohura të establishmentit ekonomik dhe politik serb, foli hapur për ekzistencën e oligopoleve në tregti, banka dhe teknologji.
Por nëse Beogradi po diskuton për ‘elefantin në dhomë’, Tirana ka edhe më shumë arsye ta bëjë këtë.
Prej tri dekadash shqiptarëve u thuhet se jetojnë në një ekonomi tregu, ku çmimet përcaktohen nga oferta dhe kërkesa dhe ku konkurrenca mes kompanive duhet të sjellë çmime më të ulëta, cilësi më të mirë dhe më shumë zgjedhje. Kjo, në teori, pasi realiteti shqiptar është shumë më kompleks.
Mjafton të shohësh disa prej tregjeve që prekin çdo ditë xhepin e qytetarit: ushqimet, telefoninë, bankat, sigurimet, karburantet. Në disa prej tyre kemi pak operatorë të mëdhenj; në të tjera vetë Autoriteti i Konkurrencës ka parë arsye për të monitoruar apo hetuar.
Në korrik 2026, për shembull, Autoriteti nisi monitorimin e produkteve të shportës në supermarketet kryesore. Dhe mënyra se si u hap ky monitorim është po aq domethënëse sa vetë hetimi: institucioni deklaroi se po vepronte pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të ngritura nga deputetë të Kuvendit.
Pra, alarmi kishte ardhur nga jashtë institucionit.
Këtu fillon një problem tjetër, ndoshta po aq serioz sa vetë përqendrimi i tregjeve: çfarë bën Autoriteti i Konkurrencës pasi hap një monitorim apo hetim?
Sepse Shqipërisë nuk i mungojnë njoftimet për monitorime. Nuk i mungojnë as njoftimet për hapje hetimesh. Ajo që duhet kërkuar me ngulm është bilanci: sa prej këtyre procedurave përfjnë në kohë, çfarë shkeljesh konstatohen, çfarë masash merren dhe, mbi të gjitha, çfarë ndryshon realisht për konsumatorin?
Një Autoritet Konkurrence nuk është aty për të prodhuar njoftime për shtyp pasi zemërimi publik ka shpërthyer. Është aty për të parandaluar deformimin e tregut, për të hetuar deri në fund kur ka indicie dhe për të ndërhyrë kur shkelet ligji.
Ndryshe krijohet një ritual institucional i rrezikshëm: rriten çmimet, proteston publiku, reagojnë mediat, hapet monitorimi, del komunikata dhe pas disa muajsh vëmendja zhvendoset në një tjetër çështje.
Dhe tregu vazhdon.
Pikërisht për këtë arsye debati mbi oligopolet në Shqipëri nuk mund të kufizohet vetëm te biznesi. Ai duhet të përfshijë edhe institucionet që janë krijuar për ta mbajtur tregun konkurrues.
Ka një sektor ku analiza kërkon një vëzhgim të kujdesshëm: karburantet.
Sa herë që shohim rritje çmimi në tabelën e pikës së karburantit, gishti të drejtohet vetëm te kompanitë. Problemi është se një pjesë e rëndësishme e çmimit që paguhet në pompë lidhet me barrën fiskale dhe detyrimet që vendos shteti.
Dokumentet zyrtare të Bordit të Transparencës e bëjnë të qartë se në përllogaritjen e çmimit hyjnë jo vetëm çmimet ndërkombëtare dhe marzhet e tregtimit, por edhe detyrimet doganore e tatimore. Gjatë vitit 2026, në një sërë vendimesh, akciza ka vazhduar të zbatohet në nivelin e plotë.
Madje, në prill 2026, kur u aktivizua mekanizmi i reduktimit, dokumentacioni zyrtar përcaktonte një akcizë të reduktuar prej 31.50098 lekësh për litër gazoil.
Kjo do të thotë se debati për çmimin e naftës nuk mund të bëhet seriozisht duke parë vetëm fitimin e kompanisë që e shet atë.
Duhet parë edhe pjesa që merr shteti.
Dhe këtu kemi një paradoks: shteti del si arbitër që kërkon transparencë nga tregtarët, ndërkohë që është vetë një aktor përcaktues në çmimin final përmes politikës fiskale.
Kjo nuk i përjashton operatorët nga kontrolli i konkurrencës. Autoriteti ka nisur monitorimin e tregut me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe ka deklaruar se do të ndërhyjë nëse evidentohen lëvizje çmimesh që tejkalojnë ndryshimet në tregjet ndërkombëtare.
Por nëse duam të kuptojmë pse shqiptari e paguan shtrenjtë një litër karburant, analiza duhet të fillojë nga çmimi i importit, taksat dhe detyrimet, marzhi i shumicës dhe marzhi i pakicës. Vetëm pasi t'i kemi ndarë këto pjesë mund të themi se kush merr çfarë.
E njëjta kërkesë për transparencë duhet të ekzistojë edhe në tregjet e tjera.
Telefonia është shembulli më i dukshëm. Shqipëria ka sot praktikisht vetëm dy operatorë celularë. Autoriteti i Konkurrencës i ka kaluar këta operatorë nëpër procedura hetimore dhe ka vendosur kushte e detyrime.
Por pyetja që i intereson qytetarit nuk është sa faqe kishte vendimi i Konkurrencës.
Pyetja është: a u bë tregu më konkurrues?
Sepse këtu qëndron problemi themelor. Një ekonomi funksionon në interes të konsumatorit kur një kompani e di se, nëse rrit çmimin pa arsye, ul cilësinë apo përkeqëson shërbimin, klienti largohet dhe shkon tek një tjetër konkurrent.
Por çfarë ndodh kur alternativat janë vetëm dy?
Çfarë ndodh kur një treg dominohet nga pak aktorë? Çfarë ndodh kur hyrja e një konkurrenti të ri kërkon kapital, licenca, infrastrukturë dhe fuqi financiare që pothuajse askush tjetër nuk e ka?
Atëherë mekanizmi më i fuqishëm i kapitalizmit; frika nga konkurrenti, fillon të dobësohet.
Dhe ky është momenti kur shteti duhet të bëhet i fortë.
Jo për të përcaktuar se kush duhet të fitojë dhe sa duhet të fitojë. Jo për të demonizuar kompanitë e mëdha. Por për të garantuar se potenciali ekonomik të mos shndërrohet në forcë për të mbyllur tregun ndaj të tjerëve.
Edhe sistemi bankar duhet parë nga kjo optikë.
Numri i bankave nuk tregon vetvetiu sa konkurrues është tregu. Konkurrenca matet me normat, komisionet, kushtet, mundësinë e klientit për të ndryshuar bankë dhe aftësinë e operatorëve të rinj për të hyrë e konkurruar.
E njëjta gjë vlen për supermarketet.
Mund të shohësh qindra marka në rafte dhe përsëri të kesh një treg shumë më të përqendruar nga sa duket, nëse pas atyre markave qëndrojnë një numër i kufizuar importuesish, distributorësh apo zinxhirësh të mëdhenj.
Prandaj Shqipërisë nuk i duhet një gjueti shtrigash kundër biznesit të madh.
I duhet diçka shumë më e vështirë: konkurrencë e vërtetë.
Dhe konkurrenca nuk garantohet duke numëruar NIPT-et e regjistruara në QKB.
Duhet të dimë kush kontrollon tregun. Sa për qind zotërojnë operatorët kryesorë. Sa të vështirë e ka një kompani e re të hyjë në treg. Kush kontrollon importin dhe shpërndarjen. Çfarë marzhesh realizohen. Dhe sa efektive kanë qenë ndërhyrjet e Autoritetit të Konkurrencës.
Sepse oligopoli nuk do të thotë domosdoshmërisht që disa biznesmenë mblidhen natën në një dhomë dhe caktojnë çmimin.
Në ekonomi, problemi mund të lindë edhe nga vetë struktura e tregut: pak aktorë, barriera të larta hyrjeje në treg dhe konsumatorë me alternativa të kufizuara.
Dhe këtu shtrohet pyetja që politika shqiptare duhet t'i përgjigjet:
Kush e mbron qytetarin kur përballë tij nuk qëndron më biznesi i vogël i lagjes, por një fuqi ekonomike shumë herë më e madhe se ai?
Në teori, përgjigjja është e thjeshtë: institucionet.
Autoriteti i Konkurrencës, rregullatorët sektorialë, qeveria, Kuvendi dhe drejtësia.
Por institucioni që mbron konkurrencën nuk mund të jetë zjarrfikës që del nga godina vetëm pasi zjarri të ketë shkretuar gjithçka. Institucioni duhet të jetë roja që nuk e lejon zjarrin të ndizet.
Sepse kapitalizmi pa konkurrencë nuk është treg i lirë. Është përqendrim i fuqisë ekonomike. Dhe kur përballë këtij përqendrimi kemi institucione që reagojnë me vonesë, monitorime që duhet të japin rezultate të matshme dhe një shtet që në sektorë të ndryshëm merr vetë një pjesë të konsiderueshme të çmimit përmes barrës fiskale, problemi nuk është më vetëm ekonomik.
Është problem i mënyrës se si funksionon shteti. Prandaj debati që nisi në Serbi për oligopolet duhet të shërbejë si kambanë alarmi edhe për Shqipërinë. Jo për të shpallur fajtorë pa prova. Por, për të dhënë përgjigje tri pyetjeve:
Kush i kontrollon realisht tregjet shqiptare?
Kush e kontrollon atë që kontrollon tregun?
Dhe, mbi të gjitha:Kur Autoriteti i Konkurrencës hap një hetim, kush sigurohet që ai të shkojë deri në fund?/Pamfletioligopolet që po i marrin frymën shqipërisë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Mediu kërkon takime periodike të opozitës: Duhet ripërtëritje e të gjithë koalicionit 3 Tetor 2026, 12:4112:41Politike Territorialja, Ndoka përplaset me Berishën: Na latë në terr, dëgjesat me PS-në i kishe muaj mjalti 3 Tetor 2026, 12:1312:13Politike Reforma Territoriale, Blushi i kërkon PD-së protestë kombëtare: Të mblidhemi para Kuvendit 3 Tetor 2026, 12:0312:03Politike Reforma Territoriale/ Berisha akuza Ramës: Synon ta shfrytëzojë për zgjedhjet 3 Tetor 2026, 11:4611:46Politike Përplasja mes GJKKO dhe Dhomës së Avokatisë, Meta: Situatë absurde, duhej të ishte parandaluar 3 Tetor 2026, 10:4510:45Politike Tabaku: Korrupsioni nuk është vetëm problem politik, faturën e paguajnë qytetarët 3 Tetor 2026, 10:2510:25Politike

