Analisti Ben Andoni, i ftuar në News24 komentoi reformën territoriale, e cila pritet që të votohet në parlament. Andoni theksoi se PS u nxitua me këtë reformë, duke shtuar se nuk ka pyetur as ekspertë e as akademikë. Sipas tij, demokracia në vend është në nivele të dobëta. “PS dëshiron që të çojë deri në fund procedurën. Por qytetari shikon se demokracia parlamentare në Shqipëri është tepër e dobët. PS duhet të ishte e kujdesshme për reformën territoriale dhe besoj se po nxitohet. Reforma e re territoriale nuk është paraprirë nga një analizë. Fuqinë më të madhe e ka PS dhe Partia Socialiste duhet të ishte e kujdesshme. Sa i përket Erion Braçes, që duket zë kritik brenda partisë, ai nuk e ka fshehur që do të drejtojë Tiranën, por për këtë i duhet mbështetja e një partie. Por nivelet e komunikimit më të mira i kanë Rama, Berisha dhe Meta, që kanë brenda dhe manipulimin. Braçe këto cilësi që duan shqiptarët nuk i ka dhe i duhet mbështetja e partisë. Braçe ka me vete faktin që është i zgjedhuri i popullit. PS nuk mund ta përjashtojë dot Braçen, sepse Partia Socialiste ka nevojë për persona si ai. Nëse Territorialja nuk miratohet, duhet një rishikim i saj. Kjo reformë nuk është parë thellë. Këto reforma bëhen shpejt, sepse patjetër që ka edhe interesa”, tha Andoni. Duke folur për zgjedhjet lokale, Andoni nënvizoi se blerja e njerëzve është një fenomen që nuk po merr fund dhe se është tepër problematike, pasi njeriu shkon pas interesit dhe jo pas principit. Shtoi se beson se edhe Balluku do të paraqitet në parlament për të votuar për Territorialen, pasi PS e ka mbajtur “mbi supe” Belinda Ballukun.
“PS është një makineri elektorale dhe logjikën e statistikës e ndjekin shumë. Ata kanë sistem patronazhimi, por iu mungon pjesa shpirtërore. PS bën kalkulime matematikore dhe Rama do që të qëndrojë në pushtet edhe këtë mandat. Blerja e njerëzve është një mendësi që nuk po merr fund. Problemi është se individi largohet nga principet, sepse shikon interesat.
Besoj se Balluku do të shkojë në Kuvend për të votuar, sepse PS po e mban mbi supe. Duhet të kemi parasysh diçka, që PS nuk duhet vetëm para dënimit, por edhe pas dënimit”, deklaroi Andoni. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: ben andoni PS Territorialja
