Ka nisur me tensione protesta e banorëve të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz, të cilët kanë kërkuar respektimin e kontratave dhe pagesat për tokat e dhëna me qira kompanisë Bankers Petroleum. Gjatë protestës, banorët kanë hapur me forcë portën e një prej sektorëve të kompanisë dhe janë futur në ambientet e saj, ndërsa situata është tensionuar. “Është prona ime, jo e jotja. Kemi bërë një kontratë bashkë, por nuk po e zbaton, nuk po më jep lekët”, është shprehur një prej protestuesve.
Banorët e Marinzës, Belinës, Sheqishtës, Zharrëzës, Kallmit, Frashërit dhe Kumanit pretendojnë se që prej fillimit të vitit 2026 nuk kanë marrë pagesat për tokat që përdoren nga kompania për rrugë, parkingje, sheshe pune dhe puse nafte. Sipas tyre, nga kjo situatë preken rreth 800 banorë. Një tjetër kundërshtim lidhet me ndryshimin e kushteve të kontratave dhe uljen e propozuar të vlerës së qirasë, nga rreth 400 në 200 lekë për metër katror.
Protestat kanë vijuar prej muajsh dhe situata është tensionuar edhe në raste të mëparshme, përfshirë përplasjet e gushtit mes protestuesve dhe rojeve të sigurisë së kompanisë. Në protestën e 8 shtatorit, banorët paralajmëruan përshkallëzim të aksionit, deri në bllokimin e aktivitetit në disa puse nafte, nëse nuk gjendet një zgjidhje për pagesat e prapambetura dhe zbatimin e kontratave ekzistuese.

