Polonia po përballet me një krizë të re institucionale, pasi policia speciale bastisi ambientet e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, në një kohë kur konflikti mes qeverisë së kryeministrit Donald Tusk dhe drejtuesve të gjykatës po përshkallëzohet.
Përplasja lidhet me përpjekjet e qeverisë për të reformuar sistemin gjyqësor dhe për të zhbërë ndryshimet e ndërmarra gjatë qeverisjes së mëparshme nga partia e djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Ndërhyrja e policisë erdhi pasi ministri i Drejtësisë, Waldemar Zurek, deklaroi se kishte kërkuar heqjen e imunitetit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Swieczkowski, dhe zëvendësit të tij, Bart?omiej Sochanski, me qëllim ngritjen e akuzave penale ndaj tyre.
Kryeministri Donald Tusk ka mbrojtur vendimin, duke theksuar se rikthimi i shtetit të së drejtës është një detyrim i qeverisë së tij. Ndërkohë, mbështetës të PiS janë mbledhur jashtë ambienteve të gjykatës në shenjë proteste.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Policia speciale është vendosur për të parandaluar hyrjen e protestuesve në ndërtesën e gjykatës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gjykata Kushtetuese deklaroi se Swieczkowski dhe Sochanski vazhdojnë të jenë drejtuesit e ligjshëm të institucionit, duke i cilësuar veprimet ndaj tyre si një përpjekje për grusht shteti. "Të gjithë personat që marrin pjesë në këto veprime po kryejnë krimin e grushtit të shtetit", thuhej në reagimin e gjykatës. Nga ana tjetër, Tusk shkroi se rikthimi i shtetit të së drejtës është detyrë e qeverisë, duke shtuar se pas viteve të shkeljeve të kryera gjatë qeverisjes së PiS, ky proces është i vështirë dhe kërkon veprime vendimtare.
Kriza aktuale i ka rrënjët në vitin 2015, kur qeveria e drejtuar nga PiS ndërmori ndryshime në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, duke emëruar gjyqtarë për të siguruar shumicën në këtë institucion, i cili ka kompetencën të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjeve.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian kanë konstatuar më pas parregullsi në emërimin e tre gjyqtarëve, pasi vendet e tyre ishin plotësuar më parë në mënyrë të vlefshme nga parlamenti i mëparshëm. Gjykatat evropiane kanë vënë gjithashtu në pikëpyetje pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese polake. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

