Protesta e studentëve dhe qytetarëve përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë është përshkallëzuar në përplasje të dhunshme me policinë, raporton televizioni zviceran ‘TV Svizzera’. Sipas raportimit të publikuar më 13 tetor, në protestë morën pjesë disa qindra persona, të cilët kundërshtuan qeverinë dhe kërkuan ndryshime. Gjatë tubimit, protestuesit hodhën kapsolla, bojë, vezë dhe pllaka të shkëputura nga trotuari në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit. Përplasjet u përshkallëzuan, duke shkaktuar thyerjen e xhamave të dritareve të ministrisë. Gjithashtu, një pjesë e rrethimit metalik të godinës u shkul dhe grupe protestuesish me fytyrat e mbuluara hynë në oborrin e institucionit. Përballë përshkallëzimit të situatës, policia ndërhyri me autobotin me ujë për të zmbrapsur turmën. Sipas agjencisë Keystone-SDA, protestuesit iu përgjigjën ndërhyrjes duke hedhur gurë, edhe në drejtim të efektivëve të policisë. Në raportimin e saj, media zvicerane i referohet edhe akuzave të ngritura kundër qeverisë në një deklaratë të publikuar përpara protestës, ku sistemi politik shqiptar cilësohej si një republikë parlamentare e shndërruar në ‘tirani që prodhon vetëm pakënaqësi dhe institucione të kalbura’. Protesta e sotme përpara Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes të rinjve dhe forcave të policisë, duke e kthyer tubimin në një përballje të dhunshme në qendër të Tiranës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

