Lajme Zone
Migjeni, poeti i plagëve tona
PolitikëPamfleti

Migjeni, poeti i plagëve tona

Migjeni nuk e soditi mjerimin nga dritarja e një dhome të ngrohtë. E njohu si mësues në Vrakë dhe në Pukë, e pa në fytyrat e fëmijëve të uritur, në trupat e drobitur, në shtëpitë pa bukë dhe në jetët që shoqëria i kishte dënuar përpara se të fillonin. Ai nuk i ktheu këto pamje në dekor letrar. U dha emër, zë dhe dinjitet.

Migjeni / Sot në 115-vjetorin e lindjes, Shqipëria përkujton poetin që e nxori mjerimin nga statistikat, i dha fytyrë njeriut të shtypur dhe ngriti kundër kohës së vet një vepër që ende na kërkon llogari... Më 13 tetor 1911, në Shkodër, lindi Millosh Gjergj Nikolla. Jetoi vetëm 26 vjet, botoi në pak vite dhe la pas një vepër që letërsia shqipe nuk arriti ta mbyllte kurrë brenda një epoke. Një shekull pas lindjes së tij, Migjeni vazhdon të duket i afërt, sepse Shqipëria nuk i ka zhdukur të gjitha plagët për të cilat ai shkroi. Ka ndryshuar fasada, janë ndërruar kostumet e pushtetit dhe varfëria ka gjetur emërtime të reja, por njeriu i pambrojtur vazhdon të presë përpara dyerve që nuk hapen.

Migjeni nuk e soditi mjerimin nga dritarja e një dhome të ngrohtë. E njohu si mësues në Vrakë dhe në Pukë, e pa në fytyrat e fëmijëve të uritur, në trupat e drobitur, në shtëpitë pa bukë dhe në jetët që shoqëria i kishte dënuar përpara se të fillonin. Ai nuk i ktheu këto pamje në dekor letrar. U dha emër, zë dhe dinjitet.

Para Migjenit, poezia shqipe i kishte kënduar kombit, heroizmit, natyrës, besimit dhe dashurisë. Ai hyri në të me një fëmijë të uritur, me një grua që shiste trupin, me një malësor që kërkonte misër, me një të sëmurë që dëgjonte vdekjen brenda kraharorit. Solli në qendër njerëzit që shoqëria i mbante në skaj dhe e detyroi letërsinë të shihte poshtë, atje ku njeriu luftonte për kafshatën e gojës.

Migjeni nuk kërkoi mëshirë për ta. Mëshira e ruan pabarazinë, sepse e lë të fuqishmin në rolin e bamirësit dhe të varfrin në gjunjë. Ai kërkoi drejtësi. Vargu i tij, “Mjerimi s’don mëshirë. Por don vetëm të drejtë!”, nuk përfaqëson vetëm një formulim poetik. Ai përmban boshtin moral të gjithë veprës së tij.

Poeti nuk i zbukuroi personazhet e veta dhe nuk i shndërroi në shenjtorë të varfërisë. U dha uri, turp, dëshira, dobësi, zemërim dhe trup. Te Migjeni, njeriu nuk shfaqet si simbol i largët. Ai djersin, kollitet, dëshiron, mëkaton dhe vdes. Kjo afërsi fizike e bën prozën e tij të rëndë për ndërgjegjen, sepse lexuesi nuk mund ta largojë vuajtjen duke e quajtur alegori.

Edhe gjuha e tij erdhi natyrshëm. Migjeni përdori gegënishten e Shkodrës, e theu ritmin tradicional, përplasi fjalën e rrugës me termin biblik dhe ndërtoi një poezi ku lutja kthehej në akuzë. Në vargjet e tij, Zoti nuk qëndronte më i paprekshëm mbi botën. Poeti e pyeste për heshtjen, e sfidonte dhe kërkonte prej tij përgjegjësi për njeriun e braktisur.

Në një vend ku pushteti tokësor mbrohej shpesh me gjuhën e qiellit, kjo përbënte një akt të rrezikshëm. Migjeni nuk luftoi vetëm varfërinë materiale. Ai goditi moralin që e justifikonte atë, predikimin që i kërkonte të uriturit durim dhe rendin që e paraqiste vuajtjen si fat. Figura e tij e mbinjeriut nuk mishëronte sundimtarin mbi të dobëtit. Ajo shprehte etjen për një njeri të ri, që do të thyente nënshtrimin dhe do ta merrte fatin në duart e veta.

“Vargjet e lira” e shpallnin lirinë që në titull. Lirinë nga metri i ngurtë, nga tema e lejuar, nga morali i rremë dhe nga detyrimi për t’i kënduar një bote që nuk e meritonte këngën. Vëllimi u shtyp më 1936, por censura e pengoi qarkullimin e tij. Shteti i vogël shqiptar e kuptoi rrezikun që vinte prej një mësuesi të sëmurë. Migjeni nuk kishte parti, ushtri apo tribunë. Kishte vetëm fjalën, por fjala e tij ia hiqte regjimit të drejtën për ta paraqitur skamjen si normalitet.

Ai nuk shkroi si një ideolog që njihte paraprakisht çdo përgjigje. Brenda veprës së tij jeton edhe dyshimi. Revolta ndeshet me dëshpërimin, shpresa me pafuqinë dhe thirrja për ndryshim me frikën se asgjë nuk do të ndryshojë. Pikërisht ky konflikt e shpëtoi nga propaganda. Migjeni nuk prodhoi parulla. Ai regjistroi dramën e një ndërgjegjeje që nuk pranonte botën, por nuk shihte ende forcën që mund ta përmbyste.

Regjimi komunist e ngriti më vonë në piedestal dhe e lexoi sipas nevojave të veta. E paraqiti si lajmëtar të rendit të ri, duke dobësuar pjesët e veprës që nuk i bindeshin asnjë doktrine. Migjeni mbeti më i madh se përdorimi politik që iu bë. Ai nuk shkroi për t’i dorëzuar legjitimitet një pushteti të ardhshëm. Shkroi kundër poshtërimit të njeriut. Çdo sistem që prodhon frikë, uri, heshtje dhe pabarazi gjendet përballë akuzës së tij.

Këtu qëndron edhe arsyeja pse vepra e Migjenit nuk është plakur. “Poema e mjerimit” nuk i përket vetëm Shqipërisë së viteve ’30. Ajo hyn pa vështirësi në lagjet ku familjet jetojnë me borxhe, në fshatrat që zbrazen, në shtëpitë ku të moshuarit numërojnë paratë e ilaçeve dhe në klasat ku një fëmijë kupton varfërinë nga çanta shokut të tij. Emrat ndryshojnë, mekanizmi mbetet i njohur.

Edhe “Legjenda e misrit” vazhdon të flasë në një vend ku buka përdoret si instrument bindjeje politike. Migjeni e pa urinë jo vetëm si mungesë ushqimi, por si marrëdhënie pushteti. Njeriu që pret një thes miell nuk vendos lirisht. Ai detyrohet t’ia dorëzojë dinjitetin atij që kontrollon bukën. Kjo e bën Migjenin poet politik në kuptimin më të thellë të fjalës, sepse ai zbuloi pushtetin atje ku të tjerët shihnin vetëm fatkeqësitë personale.

Vdekja e preu veprën e tij më 26 gusht 1938, në Torre Pellice të Italisë. Tuberkulozi i mori trupin në moshën 26-vjeçare, por nuk arriti ta kthente Migjenin në figurë të brishtë. Edhe fotografia e tij, me fytyrën e hollë dhe shikimin e përmbajtur, përçon një qetësi që bie ndesh me dhunën e brendshme të shkrimeve. Ai nuk pati nevojë të bërtiste. Vargjet bërtitën për të.

Letërsia shqipe humbi një autor përpara se ai ta përfnte betejën e vet krijuese. Nuk dimë çfarë do të kishte shkruar Migjeni në moshën 40, 60 apo 80-vjeçare. Nuk dimë si do të ishte përballur me pushtimet, diktaturën dhe përdorimin që regjimi do t’i bënte emrit të tij. Dimë vetëm se, brenda pak vitesh, ai ndryshoi drejtimin e letërsisë sonë dhe i dha një standard moral që ende i mungon një pjese të madhe të jetës publike.

Migjeni nuk kërkon përkujtimore të stolisura. Vepra e tij nuk duron fjalime zyrtare nga njerëz që kalojnë çdo ditë pranë mjerimit dhe nuk e shohin. Ta përkujtosh do të thotë të lexosh arsyen pse zemërohej, të njohësh njeriun që shoqëria e ka lënë jashtë dhe të mos e përdorësh varfërinë si sfond për propagandë.

Sot, 115 vjet pas lindjes së tij, Migjeni mbetet i ri dhe Shqipëria përballë tij duket e vjetër. Ai vazhdon të na shohë nga vargjet me të njëjtën pyetje të pashqiptuar: sa kohë i duhet një shoqërie që të turpërohet nga padrejtësia e vet?

Përgjigjen nuk ia kemi dhënë ende./Pamfletimigjeni poeti i plagëve tona Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kulture 50 vjet më pas, Stevie Wonder rikthen albumin që ndryshoi muzikën 13 Tetor 2026, 16:5116:51Kulture 95-vjetori i lindjes së Dritëro Agollit, gjeniu i letrave shqipe që vazhdon të jetojë përmes veprave të tij 13 Tetor 2026, 15:2015:20Kulture Arsyeja është më shumë se një mjet 12 Tetor 2026, 21:0421:04Kulture “Mrekullitë e Arbërisë” rikthehen në TKOBAP, një mbrëmje kushtuar thesareve të folklorit shqiptar 12 Tetor 2026, 12:5712:57Kulture Diplomati dhe Kampioni Bodybuilding Marin Meksi merr titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastres” 12 Tetor 2026, 10:1010:10Kulture Rrënojat e shtëpisë së Mitrush Kutelit kthehen në vendgrumbullim mbeturinash! 11 Tetor 2026, 17:4117:41Kulture