Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i bëri thirrje Partisë Demokratike që të ulet në tryezë për të diskutuar ndryshimet kushtetuese, përfshirë edhe uljen e numrit të deputetëve në Kuvend nga 140 në 120. Në një dalje për mediat, Balla deklaroi se mazhoranca e ka paraqitur këtë propozim që në fillim të vitit, ndërsa shprehu gatishmërinë për të diskutuar edhe ndryshimet kushtetuese që lidhen me rajonet. “Ne kemi ardhur në fillim të këtij viti me propozimin e ndryshimeve kushtetuese, për të shkuar nga 140 anëtarë të Kuvendit në 101. Nëse PD-ja është e gatshme, e ftoj që të përcaktojmë ndryshimet kushtetuese. Nëse PD-ja do që të bëjë ndryshime kushtetuese për rajonet, jemi të hapur për diskutime”, u shpreh Balla. Duke folur për mundësinë e mbajtjes së një referendumi për çështjen e hartës, Balla theksoi se fillimisht nevojitet një ligj për referendumet. Sipas tij, mazhoranca po punon me OSBE-në për këtë çështje dhe pret që brenda muajit të marrë rekomandimet përkatëse. “Sa i takon referendumit për çështjen e hartës, që të kesh një referendum për një çështje, duhet të kesh ligj për referendum. Pres mbi atë draft që është bërë publik, jemi duke punuar me OSBE-në. Kemi marrë një pjesë të gjetjeve dhe brenda këtij muaji presim rekomandimet e OSBE-së. Për ligjin e referendumeve pres që të vijë PD-ja që të flasim. Në Shqipëri sot nuk bëhet dot referendum nëse nuk ka një ligj”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: balla
