Nga protesta në Madrid, tetor 2026. Foto: Reuters / Punëtorët, studentët dhe qytetarët që nuk arrijnë të përballojnë qiranë e një apartamenti me pagat që marrin, bashkë me të gjithë ata që ndihen të përjashtuar dhe të parëndësishëm, po dalin gjithnjë e më shpesh në protesta... Bashkimi Evropian po përgatit kuadrin financiar shumëvjeçar, pra buxhetin për periudhën 2028-2034. Diskutimet janë përqendruar kryesisht te ndarja e vendeve anëtare në dy grupe: ato që kontribuojnë më shumë në buxhet sesa marrin prej tij, dhe ato që përfitojnë më shumë fonde sesa derdhin në arkën e përbashkët.
Në grupin e vendeve që kontribuojnë më shumë bëjnë pjesë gjashtë shtete, të njohura si “gjashtë kursimtaret”, me Gjermaninë në krye, si dhe Austria, Danimarka, Finlanda, Holanda dhe Suedia. Ato kërkojnë shkurtime buxhetore, kontroll më të rreptë të shpenzimeve dhe një politikë më të kursyer, çka mund të sjellë uljen e fondeve për vendet përfituese.
Natyrisht, kjo nuk u përshtatet shteteve, që për shkak të zhvillimit më të ulët ekonomik dhe rajonal, marrin shuma të konsiderueshme nga fondet e kohezionit për përmirësimin e infrastrukturës dhe ngushtimin e pabarazive territoriale. Kroacia është një prej tyre.
Vendet që përfitojnë më shumë nga buxheti i BE-së janë kryesisht anëtarët e rinj dhe ekonomitë më pak të zhvilluara. Në përgjithësi, Evropa Jugore, veçanërisht vendet mesdhetare, përfshirë ato që u mblodhën këto ditë në Split, është e interesuar për rritjen e fondeve dhe jo për shkurtimin e tyre.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe ekonomi të mëdha, si Italia dhe Franca, të cilat përballen me probleme serioze buxhetore në nivel kombëtar dhe shkelin vazhdimisht kriteret e Bashkimit Evropian për deficitin publik.
Kjo ndarje riprodhon, në thelb, ndarjen e vjetër mes një Evrope me dy shpejtësi, edhe pse sot ajo nuk i përgjigjet më plotësisht realitetit. Për shembull, Italia dhe Spanja, po rriten ekonomikisht më shpejt se Gjermania.
Megjithatë, vazhdojnë të mbijetojnë stereotipat për Veriun kursimtar dhe të përgjegjshëm nga ana fiskale, Jugun shpërdorues dhe Lindjen ende të pazhvilluar. Por kjo histori ka disa dimensione që duhen parë më nga afër.
Së fundmi, Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW) publikoi një studim të shkëlqyer të dy ekonomistëve të tij, i cili e zhvendos krejtësisht debatin. Në vend që të diskutohet se sa para ka derdhur secili shtet në buxhetin e BE-së dhe sa ka marrë prej tij, studimi ngre një pyetje tjetër: Kush e financon në të vërtetë këtë buxhet? Sa para vijnë nga taksimi i punës dhe i konsumit dhe sa nga taksimi i kapitalit?
Të dhënat që paraqesin ekonomistët janë domethënëse, madje tronditëse. Në vitin 2024, të ardhurat nga taksimi i punës përbënin 52 për qind të të ardhurave të përgjithshme tatimore në BE, ndërsa taksat mbi kapitalin dhe pronën përbënin përkatësisht vetëm 5 dhe 2 për qind.
Sipas ekonomistëve të këtij instituti, me seli në Vjenën tradicionalisht të majtë, kjo përmbysje duhet korrigjuar. Kapitali, individët e pasur dhe gjigantët e korporatave, sidomos në sektorët financiarë dhe dixhitalë, duhet të paguajnë më shumë taksa, veçanërisht kur përfitojnë të ardhura dhe fitime të mëdha pa kontribuar në mënyrë të drejtë në financat publike.
Ata propozojnë taksimin e transaksioneve financiare, të aseteve në bitcoin dhe të formave të tjera të pasurisë, në mënyrë që kapitali i madh të përfshihet seriozisht në bazën tatimore. Buxheti i BE-së jo vetëm që nuk duhet shkurtuar, por duhet edhe rritur.
Sipas tyre, kjo mund të arrihet përmes një mase relativisht të thjeshtë dhe efektive: zgjerimit të bazës tatimore dhe taksimit më të drejtë të kapitalit. Në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian do të mund të financonte mbrojtjen, por edhe zhvillimin ekonomik, konkurrueshmërinë dhe politikat ambjentaliste.
Njëkohësisht, do të forcoheshin rregullat, transparenca dhe funksionimi i tregut. Në pamje të parë, zgjidhja duket e thjeshtë. Atëherë, pse nuk zbatohet? Mund të hamendësojmë se ka lobime të fuqishme që i kundërvihen këtij ndryshimi. Por, duke mos prekur interesat e tyre, Evropa po dëmton vetë themelet mbi të cilat mbështetet.
Është shumë më e lehtë të bësh zhurmë për fondet e kohezionit dhe të drejtosh gishtin nga vendet që shpenzojnë, sesa të vësh në diskutim mënyrën se si shpërndahet pasuria. Është më e lehtë të nxiten përçarje mes vendeve, duke i ndarë ato sipas origjinës gjeografike, sesa të përballesh me ndarjet klasore dhe pabarazitë e thella, të cilat nuk njohin gjuhë tjetër veç asaj të parasë.
Pikërisht për këtë arsye, flitet shumë për “Evropën e kapitalit” dhe shumë më pak për punën. Dhe po për këtë arsye punëtorët, studentët dhe qytetarët që nuk arrijnë të blejnë apo të marrin me qira një apartament me pagat e tyre, pra të gjithë ata që ndihen të margjinalizuar dhe të shpërfillur, po protestojnë gjithnjë e më shpesh.
Në Francë, të rinjtë po dalin në rrugë, sepse ndihen jo vetëm të braktisur, por edhe të bllokuar që në fillim në një sistem që favorizon kapitalin. Ata kanë bindjen se nuk u mbetet asnjë e ardhme dhe se ngjitja në shkallët e hierarkisë shoqërore është thuajse e pamundur.
Por pse duhet të ekzistojë një shkallë e tillë, nëse mundësitë nuk janë të barabarta për të gjithë? Ekonomistët e Vjenës, vënë në dukje gjithashtu se debatet e zhvilluara vetëm në nivel kombëtar nuk i shërbejnë bashkimit të Evropës. Përkundrazi, ato e përçajnë atë, nxisin mosmarrëveshje mes shteteve anëtare dhe e zhvendosin vazhdimisht përgjegjësinë te dikush tjetër.
Kjo nuk ndihmon as unitetin, as qëndrueshmërinë dhe fuqinë e Evropës. Përkundrazi, të kujton atë që ndodhte dikur në Jugosllavi, kur debati përqendrohej te pyetjet se kush jepte para dhe ku shkonin ato, ndërsa disa republika ndiheshin të shfrytëzuara, me pretendimin se po paguanin për të tjerat.
Kur diskutimi zhvendoset në nivelin e kombeve, rreziku i shpërbërjes bëhet real. Sigurisht, ish-Jugosllavia vuante nga shumë probleme të tjera, por faktori ekonomik nuk ishte aspak i parëndësishëm. Sot, debati i vërtetë në Bashkimin Evropian duhet të zhvillohet përgjatë vijës ndarëse mes kapitalit dhe punës.
Gazetari, filozofi dhe mendimtari i majtë italian Antonio Gramshi, i lindur në jug të Italisë, dëgjonte vazhdimisht të varfrit e Jugut të fajësonin Veriun e pasur për vështirësitë e jetës së tyre. Ishte fillimi i shekullit të kaluar, përpara se Evropa të përfshihej nga luftërat shkatërrimtare.
Por, kur shkoi në veri për të studiuar në Torino, Gramshi pa se edhe punëtorët e atjeshëm jetonin në kushte po aq të vështira. Ai vëzhgo luftën e tyre, grevat dhe përplasjet me punëdhënësit. Atëherë u përpoq t’u shpjegonte bashkëvendësve të tij se fajtorë për varfërinë e tyre nuk ishin punëtorët e Veriut, por kapitalistët e Jugut, të cilët i shfrytëzonin njësoj siç i shfrytëzonin kapitalistët e Veriut punëtorët e tyre.
Ky është edhe thelbi i luftës ndërkombëtare të punëtorëve: ndarja kryesore nuk kalon mes kombeve, por mes atyre që jetojnë nga puna e tyre dhe atyre që grumbullojnë kapital. Të parët marrin një pagë, dhe kur ajo është e ulët, e ndiejnë se një pjesë e punës së tyre përfn në duart e pronarit të mjeteve të prodhimit.
Kjo ndjesi është e përbashkët për njerëzit që i përkasin së njëjtës klasë shoqërore. Kudo që të jetojnë dhe çfarëdo gjuhe të flasin, ata mund ta kuptojnë njëri-tjetrin, sepse përballen me të njëjtat marrëdhënie shfrytëzimi. Ky është themeli i analizës marksiste të marrëdhënieve materiale, mbi të cilat ngrihen edhe strukturat e tjera të pushtetit.
Në të njëjtën kohë, kjo lidhet me konceptin e Gramshit për superstrukturën kulturore dhe gjuhësore, përmes së cilës marrëdhëniet e pushtetit mund të bëhen të dukshme dhe të vihen në pikëpyetje. Pikërisht këtu qëndron edhe baza e revoltës, e cila shpesh shtypet ose, më saktë, mbulohet duke e zhvendosur vëmendjen drejt nacionalizmit, izolacionizmit dhe mbylljes ndaj “të huajit”. Ky i fundit paraqitet si armik për shkak të fesë apo kombësisë së tij, edhe kur në fakt, është një bashkëvuajtës dhe një aleat i mundshëm në luftën për mbijetesë.
Nëse dëshiron të jetë Evropa e të gjithë qytetarëve të saj, Evropa e punëtorëve dhe një vend që mund të quhet ende “vendi më i mirë për të jetuar”, Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë këtë realitet. Ai duhet t'i përfshijë shumë më shumë në politikat e tij vlerat e lëvizjes punëtore.
Përndryshe, pakënaqësia do të thellohet. Shenjat e kësaj janë tashmë të dukshme në dy fronte të protestës. I pari është revolta e nxënësve dhe studentëve në Francë, së cilës po i bashkohen grupe të tjera shoqërore, me kërkesa dhe përbërje të ndryshme.
I dyti është zemërimi i qytetarëve në Spanjë për shkak të çmimeve të papërballueshme të banesave. Pamjet e një gruaje të moshuar që nxirrej nga apartamenti ku kishte kaluar gjithë jetën, sepse qiraja ishte rritur përtej mundësive të saj, u përhapën në mbarë botën dhe tronditën opinionin publik spanjoll.
Para se të ndërronte jetë, ajo u la bashkëqytetarëve një mesazh të qartë: të mos dorëzoheshin dhe të vazhdonin luftën. “Unë nuk mundem më, por ju vazhdoni!”, ishte thirrja e María Carmen Abascal. Një mesazh i tmerrshëm, që tregon se askush nuk është i mbrojtur nga kjo pasiguri.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u përpoq të miratonte një reformë të tregut të banesave, por parlamenti e bllokoi. Tani ai do u drejtohet sërish zgjedhësve, duke kërkuar një mbështetje më të gjerë. Mbetet të shihet nëse do t’ia dalë.
Emmanuel Macron shëtit në Split, ndërsa në vendin e tij situata është rrëmujë. Këtu shfaqet një tjetër kontradiktë: Franca nuk është një vend kursimtar. Ajo ka një deficit të lartë buxhetor dhe, për këtë arsye, nuk bën pjesë te “gjashtë kursimtaret”.
Por është e qartë se paratë që e kanë thelluar deficitin, nuk janë përdorur për të përmirësuar jetën e studentëve dhe as për të ngritur standardin e jetesës së qytetarëve të zakonshëm.
Pra, edhe vendet që shpenzojnë, nuk i përdorin domosdoshmërisht paratë në mënyrën e duhur.
Macron është një nga drejtuesit e koalicionit të vendeve të gatshme për të mbështetur Ukrainën dhe mbron rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Por, kur vjen puna te qytetarët e tij, ai ka lejuar thellimin e pabarazive, zgjerimin e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve dhe, ç’është edhe më e rëndë, rritjen e dallimeve në mundësitë që kanë njerëzit për të ecur përpara në jetë.
Në Francë po afrohen zgjedhjet. E majta mbështet studentët, ndërsa e djathta shfrytëzon edhe një herë përplasjet shoqërore dhe kërkon shtypjen e revoltës, e cila duhet thënë, ka sjellë edhe ngjarje tragjike. E djathta radikale, e përfaqësuar nga Marine Le Pen, kryeson në sondazhe.
Megjithatë, Franca nuk ka gjasa ta ndjekë domosdoshmërisht këtë drejtim. Një prej protestuesve e përmblodhi dilemën me një fjali: nëse Franca është djepi i vëllazërisë, barazisë dhe lirisë, këto vlera duhet të vlejnë për të gjithë, përndryshe nuk vlejnë për askënd.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj historie, është se vende si Italia dhe Spanja janë sot ndër motorët kryesorë të rritjes ekonomike të Bashkimit Evropian. Gjermania dhe partnerët e saj nuk e kanë më ekskluzivitetin e këtij roli.
Ekonomia gjermane është zhytur në vështirësi të mëdha, dhe duke kërkuar reforma e kursime në pothuajse çdo fushë, me përjashtim të mbrojtjes, Berlini po përpiqet para së gjithash të zgjidhë problemet e veta.
Prandaj, vendet e Jugut, ato që u mblodhën në Split, kanë shumë më tepër peshë nga sa ua njohin stereotipat e vjetra. Ekuilibrat e fuqisë brenda Bashkimit Evropian kanë ndryshuar ndjeshëm dhe këto vende janë të vetëdijshme për rolin e tyre të ri.
Pikërisht për këtë arsye, takimi i Splitit ishte i rëndësishëm. Edhe kryeministri kroat Andrej Plenković dhe pozita e tij politike po përballen aktualisht me vështirësi. Për një çast, dukej sikur fjalimi i tij në Split, në nivelin e lartë diplomatik, përbënte një shkëputje nga problemet e përditshme të politikës së brendshme, të cilat lidhen gjithnjë e më shumë me vështirësitë që ndeshin qytetarët në jetën e tyre.
Kroacia është një vend me pabarazi të mëdha. Ndërsa kryeqyteti dhe disa qytete të tjera të mëdha gëzojnë njëfarë standardi jetese, një pjesë e madhe e vendit zbrazet sapo mbaron sezoni turistik. Ishujt mbeten të shkretë dhe në shumë zona mungojnë kushtet më elementare për një jetë normale.
Edhe pjesa kontinentale është e populluar shumë rrallë. Toka punohet pak dhe pjesa më e madhe e ushqimeve importohet. Po ashtu, po përballet me problemin e mbetjeve. Çmimet e apartamenteve janë rritur ndjeshëm dhe banesat janë gjithnjë e më të papërballueshme. Pensioni mesatar është rreth 750 euro. Paga mesatare është vetëm rreth 500 euro më e lartë.
Ndërkohë, sektori financiar noton në para. Politikanët i shpërdorojnë paratë e taksapaguesve dhe sillen me arrogancë, duke u mbështetur te pushteti që kanë në dorë.
Emërimet bëhen përmes nepotizmit, ndërsa askush nuk pyet punëtorët për kushtet dhe problemet e tyre. Megjithatë, në Kroaci protestat janë të rralla. Përjashtim bëjnë banorët e Gospić, të cilët guxuan të ngrihen, sepse jetojnë fjalë për fjalë pranë mbetjeve, mes pluhurit dhe ndotjes.
Diplomacia, çfarëdolloj forme që mund të marrë, nuk mjafton më për t’i zgjidhur këto probleme./Pamfleti nga “Vijesti”elitat në bankete qytetarët në rrugë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Hetimet e SPAK dhe takimi i Ramës me djalin e dajës së Ron Yeffet 12 Tetor 2026, 19:5119:51Forum Karma e zgjerimit të skandalit LaCivita në median amerikane 12 Tetor 2026, 17:2417:24Forum Një mijë vjet burg për Sali Hajdutin 12 Tetor 2026, 14:1514:15Forum Një BE e madhe, por me rregulla më të forta; çfarë e pret Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit 12 Tetor 2026, 10:5410:54Forum Autokratët 'demokratë', Noli e dinte 12 Tetor 2026, 08:4008:40Forum E tradhtuat PS-në për Ramën 11 Tetor 2026, 14:1714:17Forum

