Unioni i Këshillave Studentorë dhe Ambasada e Kroacisë në Shqipëri, në bashkëpunim me projektin “Mbështetje për Integrimin në Bashkimin Evropian” (EUIS), zhvilluan në Tiranë tryezën e diskutimit “Shqipëria dhe Kroacia: të rinjtë ndërtojnë një të ardhme të përbashkët evropiane”. Studentë dhe profesionistë të rinj diskutuan mbi përfitimet e anëtarësimit në BE, përvojën e Kroacisë në procesin e integrimit dhe mbështetjen për Shqipërinë. Në fokus ishin mundësitë që anëtarësimi sjell për të rinjtë në arsim, mobilitet, punësim, projekte dhe financime evropiane, si dhe pjesëmarrjen në shoqërinë evropiane. Ambasadori kroat, Zlatko Kramarić, u bëri thirrje të rinjve të marrin një rol aktiv në procesin e integrimit. “Ju jeni brezi që do ta përfjë këtë tranzicion. Kjo është njëkohësisht një privilegj dhe një përgjegjësi. Të dyja shkojnë gjithmonë bashkë! Ju nuk i krijuat problemet e së kaluarës. Por ju keni trashëguar përgjegjësinë për të ndërtuar diçka më të mire,” nënvizoi gjatë falës së tij SH.T. Zlatko Kramarić. “Dhe jam i bindur se, një ditë, kur të shikoni pas në këtë periudhë, nuk do të thoni vetëm: U bëmë anëtarë të Bashkimit Evropian. Do të jeni në gjendje të thoni diçka shumë më të rëndësishme: Ne ndihmuam në ndryshimin e shoqërisë sonë”, shtoi ambasadori. Aktiviteti është pjesë e një serie takimesh që do të zhvillohen gjatë shtatorit edhe në Kukës, Berat, Pogradec dhe Shkodër, me synim rritjen e informimit të qytetarëve mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
