Udhëheqësit e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kërkojnë njohjen e “të drejtës së tyre për vetëvendosje” dhe deklarojnë se e ardhmja e kombeve të tyre është brenda Bashkimit Evropian. Takimi i zhvilluar në Cardiff është i paprecedentë dhe vjen në një moment kur të tria territoret drejtohen nga forca politike që mbështesin pavarësinë ose një shkëputje më të madhe nga Mbretëria e Bashkuar.
Në deklaratën e përbashkët, udhëheqësit i bëjnë thirrje qeverisë britanike “të përgatisë dhe lehtësojë reformat kushtetuese”, duke argumentuar se Brexit ka dëmtuar ekonomitë e tyre dhe se e ardhmja e tyre është e lidhur me BE-në.
Takimi u zhvillua vetëm pak ditë pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se bashkimi i Republikës së Irlandës me Irlandën e Veriut do të ishte “një gjë fantastike”, duke rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për të ardhmen kushtetuese të ishullit të Irlandës.
Ministrja e Parë e Irlandës së Veriut, Michelle O’Neill, tha se komentet e Trump tregojnë se diskutimi për bashkimin irlandez është “i gjallë” dhe se interesimi për këtë çështje tashmë është edhe ndërkombëtar.
Kërkesa për vetëvendosje vjen përballë qëndrimit të qeverive britanike, të cilat kanë kundërshtuar mbajtjen e referendumeve të reja për pavarësinë.
Në Skoci, referendumi i vitit 2014 përfi me 55% të votave kundër pavarësisë. Megjithatë, kryeministri skocez dhe lideri i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), John Swinney, tha se një referendum i ri duhet të zhvillohet brenda pesë viteve të ardhshme.
Në Uells, lideri i Plaid Cymru, Rhun ap Iorwerth, e cilësoi pavarësinë si një “qëllim të largët” dhe nuk vendosi një afat për referendum, duke thënë se çështja duhet t’i lihet popullit uellsian.
Ndërkohë, Sinn Féin kërkon që në Irlandën e Veriut të zhvillohet një referendum për bashkimin me Republikën e Irlandës deri në vitin 2030.
Qeveria britanike vazhdon të kundërshtojë një referendum të ri për pavarësinë e Skocisë, ndërsa kryeministri britanik Andy Burnham ka deklaruar se beson fuqimisht në ruajtjen e Unionit të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas politologut Michael Keating, profesor në Universitetin e Aberdeenit, deklarata e përbashkët e udhëheqësve të Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut është “politikisht e rëndësishme”, pasi SNP dhe Plaid Cymru kanë mbajtur për vite me radhë distancë nga Sinn Féin.
Megjithatë, ai vlerëson se deklarata nuk ka gjasa të ndryshojë qëndrimin e qeverisë britanike ndaj kërkesave për ndryshime kushtetuese. Top Channel

