Lajme Zone
Të paktën 5 të vdekur dhe 87 të zhdukur pas zjarrit në një traget në Filipine
KulturëTop Channel

Të paktën 5 të vdekur dhe 87 të zhdukur pas zjarrit në një traget në Filipine

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 87 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi një traget u përfshi nga zjarri në ujërat pranë Palawanit, në Filipine, të mërkurën. Lajmi është konfirmuar nga Roja Bregdetare e Filipineve, e cituar nga AFP.

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 87 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi një traget u përfshi nga zjarri në ujërat pranë Palawanit, në Filipine, të mërkurën. Lajmi është konfirmuar nga Roja Bregdetare e Filipineve, e cituar nga AFP. Sipas një zëdhënësi të Rojes Bregdetare, 42 persona janë shpëtuar deri më tani.

Autoritetet vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa numri i viktimave dhe i personave të zhdukur mund të ndryshojë në orët në vijim.

Një kapiten i Rojes Bregdetare deklaroi për një radio lokale se dhjetëra persona vijojnë të jenë të zhdukur pas zjarrit, por shifrat mbeten ende të përkohshme.

“Bazuar në të dhënat që kemi aktualisht për personat e shpëtuar dhe viktimat, ende kemi 87 persona për të cilët nuk kemi informacion”, tha të enjten kapitenia Noemi Cayabyab.

“Për ta bërë të qartë, këto janë të dhëna në kohë reale dhe mund të ndryshojnë, pasi operacionet tona të kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim”, shtoi ajo. Sipas të dhënave të cituara nga AFP, në bordin e tragetit ndodheshin gjithsej 134 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.

Nga 42 personat e shpëtuar, 38 ishin pasagjerë dhe katër pjesëtarë të ekuipazhit.

Megjithatë, autoritetet thonë se ende nuk kanë mundur të marrin informacion të plotë prej personave të shpëtuar, pasi nuk kanë arritur të komunikojnë me ta.

Sipas informacioneve të deritanishme, trageti ishte nisur nga Porti i Manilës dhe po udhëtonte drejt jugut, në drejtim të Coronit, në provincën Palawan.

Roja Bregdetare bëri të ditur se zjarri shpërtheu rreth 1.2 milje detare (2.2 kilometra) në verilindje të Barangay Marcilla.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë në zonën ku ndodhi incidenti.

Mes personave të zhdukur janë edhe tre anëtarë të së njëjtës familje.

Rai Garcia, i cili ka tre familjarë mes personave të zhdukur, tha se Mae Lorraine Galera-Navoa, motra e kunatit të tij, kishte udhëtuar drejt Luzonit për të marrë pjesë në funeralin e babait të saj.

Ajo po kthehej drejt shtëpisë së saj së bashku me bashkëshortin, Elyzer Navoa, dhe vajzën e tyre trevjeçare, Hiraya Joy.

“Po udhëtonin nga Manila për t’u kthyer në shtëpi kur morëm vesh lajmin”, tha Garcia.

Familjarët kanë publikuar një poster për të kërkuar informacion mbi fatin e familjes prej tre anëtarësh. Në poster është përdorur një fotografi që Mae kishte bërë në traget dhe ua kishte dërguar familjarëve të saj të afërt.

Familja po udhëtonte drejt shtëpisë së saj në El Nido, Palawan, kur trageti u përfshi nga zjarri.

“Ende nuk kemi marrë asnjë lajm. Për këtë arsye na është dashur të komentojmë në temat e mediave lokale vetëm për të marrë informacionet më të fundit”, tha Garcia.

“Ne ende shpresojmë dhe lutemi për sigurinë e tyre.” Top Channel