Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në debutimin europian, por theksoi se ekipi katalanas ka ende shumë hapësirë për përmirësim. Tekniku gjerman vlerësoi veçanërisht atmosferën dhe etikën e punës në skuadër, ndërsa foli edhe për rëndësinë e golit të Lamine Yamal, i cili e udhëhoqi Barcelonën si kapiten.
Flick ishte i qartë kur u pyet nëse Yamal e meriton të fitojë Topin e Artë.
“Sigurisht. Ai është lojtari im. Është një lojtar i veçantë dhe i mrekullueshëm. Ai e meriton”, u shpreh trajneri gjerman.
Flick vlerësoi gjithashtu paraqitjen e Raphinhas, duke e cilësuar ndeshjen e brazilianit si fantastike. Sipas tij, të dy lojtarët kanë cilësitë për të qenë pjesë e garës për çmimin prestigjioz individual.
Pavarësisht rezultateve pozitive, trajneri i Barcelonës nuk dëshiron që skuadra të kënaqet me atë që ka arritur deri tani.
“Po punojmë shumë mirë, shumë fort dhe kemi cilësi me topin. Por mund të përmirësohemi dhe duhet ta bëjmë këtë. Duhet të vazhdojmë të punojmë me intensitet dhe cilësi në stërvitje”, tha Flick.
Ai theksoi se Barcelona ka shumë alternativa në çdo pozicion dhe se ndryshimet në formacion nuk e ndryshojnë idenë bazë të lojës.
“Ka cilësi të shkëlqyer në skuadër dhe shumë cilësi në çdo pozicion. Ne bëjmë ndryshime, por skuadra vazhdon me të njëjtën ide për atë që duam të arrijmë”, deklaroi ai.
Trajneri gjerman shtoi se edhe pse është shumë i kënaqur me atë që sheh në fushë, gjithmonë ka elementë që duhen përmirësuar.
Flick vuri në dukje edhe mënyrën se si Barcelona po kontrollon ndeshjet dhe po shënon gola.
“Në pesë ndeshjet e para kemi shënuar shumë gola, kemi luajtur si ekip dhe kemi kontrolluar lojën. Ky është stili që duam dhe mendoj se njerëzit po e shijojnë atë”, u shpreh ai.
Megjithatë, trajneri kujtoi se sezoni është ende në fillimet e tij dhe se rruga deri në fund është e gjatë.
“Jemi në fillim të sezonit. E di unë dhe e dini edhe ju se kemi një rrugë të gjatë për të bërë deri në maj. Por është e vërtetë që gjithçka duket shumë mirë, sepse po stërvitemi fort dhe të gjithë janë të motivuar”, shtoi Flick.
Flick vlerësoi edhe mënyrën se si skuadra rikuperoi topin, duke pranuar se përballja nuk ishte e lehtë përballë Feyenoordit.
“Feyenoord është një ekip shumë i mirë dhe Liga e Kampionëve është shumë konkurruese”, tha trajneri i Barcelonës.
Ai foli gjithashtu për përshtatjen e lojtarëve të rinj dhe konkurrencën brenda skuadrës, duke theksuar se prioriteti kryesor mbetet gjithmonë ekipi.
“Ka shumë lojtarë të mirë dhe të gjithë duan të luajnë. Kjo duhet menaxhuar. Gjëja e parë ku duhet të përqendrohemi është gjithmonë ekipi”, tha Flick.
Trajneri gjerman zbuloi se pas ndeshjes ndaj Valencias, Barcelona zhvilloi një nga seancat më të mira stërvitore të sezonit.
“Ishte seanca më e mirë stërvitore e sezonit. Kjo është ajo që dua të shoh”, u shpreh ai.
Në fund, Flick foli edhe për eksperiencën e tij në Barcelonë, duke e cilësuar atë si diçka që shkon përtej një ëndrre. Ai gjithashtu nuk pranoi të bënte krahasime mes Barcelonës aktuale dhe ish-klubit të tij, Bayern Munich. Top Channel

