Sulmuesi portugez, Cristiano Ronaldo, vazhdon të dominojë botën e futbollit në aspektin financiar, duke u shpallur si lojtari më i paguar për të katërtin sezon radhazi sipas revistës "Forbes".
Ylli 41-vjeçar mban vendin e parë me të ardhura vjetore prej 267.3 milionë eurosh, duke lënë pas me një diferencë të madhe Lionel Messi-n. Nga kjo shumë totale, plot 222 milionë euro sigurohen nga kontrata aktuale me skuadrën saudite të Al-Nassr, ndërsa 44 milionë euro të tjera vijnë nga sponsorizimet dhe marrëveshjet komerciale.
Kjo arritje shënon një tjetër rekord historik për Ronaldo-n, i cili bëhet i vetmi sportist ende aktiv që kalon pragun e 2 miliardë dollarëve të ardhura bruto gjatë karrierës. Në vendin e dytë të këtij klasifikimi renditet argjentinasi Lionel Messi, i cili përfiton në total 129 milionë euro në vit.
Për lojtarin e Inter Miami, 62.4 milionë euro burojnë nga kontrata me klubin amerikan, ndërkohë që 66.8 milionë euro të tjera sigurohen nga aktivitetet e ndryshme komerciale.
Të dy yjet konfirmojnë dominimin e tyre financiar pasi mbajnë 2 pozicionet e para për të 12-ën herë në 13 vitet e fundit, duke gjeneruar së bashku pothuajse gjysmën e 839.4 milionë eurove që përfitojnë 10 futbollistët më të paguar në vitin 2026.
Podiumin e kësaj renditjeje e plotëson sulmuesi francez i Real Madrid, Kylian Mbappe, me rreth 100 milionë dollarë, i ndjekur më pas në listë nga Erling Haaland, Vinicius Junior, Lamine Yamal, Sadio Mane, Jude Bellingham, Harry Kane dhe Mohamed Salah. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

