Kreu i PD-së Sali Berisha ka bërë me dije se nesër PD ka thirrur protestë kombëtare.
Protesta e nesërme do të nisë në orën 14:00 dhe është thirrur nga PD në mbështetje të studentëve.
Berisha në një konferencë për mediat i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të heqë dorë nga dhuna që po i bën studentëve. “Nesër është thirrur protestë kombëtare e PD në mbështetje të studentëve dhe unë edhe njëherë i them Edi Ramës, hiq dorë nga dhuna ndaj studentëve sepse në mënyrë absolute vendosmëria jonë është mbrojtja e tyre me të gjitha mjetet në rast nevoje.
Hiq dorë, dhuna me studentët, edhe njëherë theksoj ato që i kam thënë diktatorit të fundit komunist, mund të bëhet shkak i një konflikti civil.
Dhuna me studentët nuk do tolerohet nga qytetarët, nga prindërit, nga vëllezërit, nga motrat e tyre.
Dhuna mbi studentët nuk do të tolerohet jo vetëm nga të afërmit e tyre, por nga asnjë qytetar shqiptar për të cilin plumbat mbi studentët, thyerja e kockave, çarja e kafkave, topat e ujit me një barbari të paparë, janë çnjerëzore, janë tortura, janë të papranueshme.
Dhuna ndaj studentëve nuk pranohet nga asnjë shqiptar i ndershëm.
Ndaj dhe nesër të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë demokratet e demokratët do lënë çdo gjë, do vërshojnë drejt Tiranës, drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për t’i dhënë mësimin e duhur Edi Ramës: mos prek studentët.
Studentët po sakrifikojnë me një guxim të paparë në rrugët dhe sheshet e Tiranës për çdo shqiptar.
Ajo është sakrificë për çdo shqiptar.
Për çdo të ri, për çdo të mitur, për çdo fëmijë, për çdo prind, për çdo nënë, për çdo baba, për çdo motër, për çdo vëlla, për çdo gjysh, për çdo gjyshe.
Nuk ka pasur Shqipëria kurrë nga viti 1990 një betejë idealistësh të tillë.
Pse po luftojnë ata? Që të jetojnë në vendin e tyre.
Që ëndrrat t’i ndërtojnë në Shqipëri.
Që Shqipëria të bëhet dhe jo të zhbëhet siç po zhbëhet tani.
Ndaj dhe njëherë, kalojmë së bashku në ‘90-ën. Diktatori i fundit komunist, midis zgjidhjes së Çausheskut dhe shpëtimit të jetës së tij pati mençurinë të zgjedhë këtë të dytën për të shmangur të parën.
Pranoi të burgosej, siç u burgos dhe ti e lirove më vonë, por nuk shkoi në skenarin e Çausheskut sepse e dinte se do ishte viktima e tij kryesore.
Ndaj dhe njëherë për ta përmbledhur, mos luaj me fatin dhe jetën e studentëve.
Prindërit, vëllezërit, motrat e tyre, demokratët kudo qëjanë, por edhe shqiptarët e ndershëm dhe të vërtetë do të përgjigjen ty në të gjitha mënyrat që e meriton.
Mençuria në këtë orë është të shmangësh një konflikt civil.
Nuk ka asgjë që mund ta provokojë atë më shumë se sa dhuna ndaj fëmijëve të Shqipërisë në rrugë”, tha Berisha. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

