Studenti me mesatare 10 përballet me akuzat e Edi Ramës, ndërsa modeli i suksesit që kryeministri u ofron të rinjve duket se mban emrin Ergys Agasi... Dikur, në shkollat e regjimit të Enver Hoxhës, na mësonin se «dhjeta jonë është plumb për armikun». Ishte një marrëzi ideologjike, por në marrëzinë e vet kishte një dobi: nxënësit i kërkohej të mësonte. Sot, në Shqipërinë e Edi Ramës, një student i Mjekësisë me mesatare 10 duhet të dalë publikisht për të mbrojtur emrin e vet nga akuzat e kryeministrit.
Çfarë ironie! Dikur dhjeta jonë ishte plumb për armikun, sot dhjeta të bën armik të pushtetit.
Jon Sinoimeri thotë se studion Mjekësi, ka mesataren 10 dhe nuk ka lidhje me akuzat për narkotikë që kryeministri i atribuoi publikisht. Rama, ndërkohë, ka marrë përsipër t'u shpjegojë shqiptarëve se kush janë kriminelët, kush i financon protestat dhe cilat agjentura të huaja kërkojnë të rrëzojnë qeverinë e tij.
Një punë e admirueshme, sidomos për një kryeministër që e ka ish-shefen e Shërbimit Informativ në arrest shtëpie, nën hetim për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Vlora Hyseni pret drejtësinë, ndërsa Edi Rama duket se ka vendosur ta zëvendësojë denjësisht.
Në këtë vend të çuditshëm, një student duhet të tregojë notat për të provuar se është student, ndërsa kryeministri kërkon t'i besojnë për komplotet ndërkombëtare.
Ndërkohë, emri i Ergys Agasit vazhdon të shfaqet në hetimet dhe debatet për lidhjet mes biznesit, pushtetit dhe veprimtarive të dyshuara kriminale. Agasi gëzon prezumimin e pafajësisë, por çështja e tij ngre një pyetje që shkon përtej përgjegjësisë penale: çfarë modeli suksesi u ofron Shqipëria të rinjve? Atë të studentit që kalon netët mbi libra, apo atë të njeriut që fiton ndikim përmes lidhjeve me pushtetin?
Dikur fëmijëve u thoshin të mësonin që të bëheshin dikushi. Sot një student me të gjitha dhjetat duhet të shpjegojë publikisht se nuk është ai që thotë kryeministri. Një përmbysje e bukur e pedagogjisë: nxënësi sjell provat, mësuesi i madh i kombit jep verdiktin.
Sigurisht, nota 10 nuk është certifikatë pafajësie. Por as një akuzë e kryeministrit nuk është vendim gjykate. Vetëm se këtë dallim elementar duhet ta njohë, përpara të gjithëve, njeriu që drejton qeverinë.
Edi Rama pretendon se ka zbuluar fijet e komploteve që shtrihen nga Tirana nëpër kryeqytetet e botës. Megjithatë, përballë tij qëndron një pyetje shumë më e thjeshtë: si mund të kërkosh besimin e një vendi për sekretet e mëdha, kur nuk ke sqaruar ende akuzat ndaj një studenti?
Ka ardhur koha që edhe kryeministri t'i nënshtrohet një provimi.
Jo në gjeopolitikë, as në shërbime sekrete. Në atë lëndën e vjetër që mësohej që fëmijë: të dallojë faktin nga hamendësimi.
Dikur na mësonin se dhjeta jonë ishte plumb për armikun. Sot, Edi Rama ka arritur ta përmbysë edhe këtë marrëzi të diktaturës: armiku është studenti me dhjeta, ndërsa pushteti u rezervon njerëzve si Ergys Agasi vendin në historinë e suksesit shqiptar.
Mbetet vetëm që Ministria e Arsimit të ndryshojë programet mësimore. Në vend të matematikës dhe letërsisë, të rinjtë mund të studiojnë artin e njohjeve, lidhjeve dhe favoreve.
Sepse në Shqipërinë e sotme, për të marrë dhjetën duhet të mësosh, ndërsa për të marrë pushtet duhet të jesh si Ergys Agasi./Pamfletidhjetat tona plumb për armikun gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Nuk shkohet në Europë me ‘karrocën e Dylit’! 22 Tetor 2026, 14:0614:06Editorial A do ta shpëtojnë dot myslimanët Trumpin më 3 nëntor?! 21 Tetor 2026, 12:5312:53Editorial Fantazma e Depresionit të Madh 20 Tetor 2026, 13:4413:44Editorial Si të shmangim komunizmin dhe ta shpëtojmë kapitalizmin nga të pangopurit? 19 Tetor 2026, 11:0411:04Editorial Nga çadrat pistoletë tek dronët me eksploziv 18 Tetor 2026, 14:1714:17Editorial Brezi i ri sfidon dyshen që mban peng vendin 17 Tetor 2026, 15:5815:58Editorial

