Lajme Zone
Të akuzuarit për vrasjen e Santiago Malkos ankohen në ILD për Apelin e GJKKO
Të tjeraEuronews Albania

Të akuzuarit për vrasjen e Santiago Malkos ankohen në ILD për Apelin e GJKKO

Të akuzuarit për vrasjen e ish-policit Santiago Malko kanë depozituar një ankesë në Inspektorartin e Lartë të Drejtësisë lidhur me vendimin e Apelit të GJKKO.

Të akuzuarit për vrasjen e ish-policit Santiago Malko kanë depozituar një ankesë në Inspektorartin e Lartë të Drejtësisë lidhur me vendimin e Apelit të GJKKO. Ankesa drejtuar Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë nga ana e avokates së të pandehurve Leonard Duka, Oltjon Loga, Fatmira Hyseni etj lidhet me shkelje të rënda procedurale, cenim të paanshmërisë dhe përdorim të standardeve të dyfishta në gjykimin e procedimit penal nr. 177/2019, nga ana e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjyqtarët Saida Dollani, Iliriana Olldashi dhe Engert Pëllumbi kanë marrë më parë pjesë në gjykimin e bashkëpandehurve të tjerë në të njëjtin procedim dhe janë shprehur lidhur me pozicionin procedural të të pandehurve aktualë. Sipas mbrojtjes, vetë gjyqtarët Olldashi dhe Pëllumbi kanë pranuar ekzistencën e shkaqeve për heqje dorë dhe kanë paraqitur kërkesa për dorëheqje. Po ashtu, gjyqtari Dhimitër Lara, në një gjykim tjetër të të bashkëpandehurit Ilir Selmani të të njëjtit procedim, ka pranuar se kërkesa për përjashtimin e tij duhej pranuar dhe ka dhënë dorëheqje për të njëjtat arsye. Pavarësisht rrethanave të ngjashme, në çështjen aktuale kërkesat për përjashtim janë rrëzuar nga ana e gjyqtares Daniela Shirka, si dhe kërkesat për dorëheqje nga dy anëtarët e trupës gjykuese nuk janë pranuar nga zv.kryetari Dhimiter Lara, duke ngritur pretendimin për standard të dyfishtë. Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka evidentuar më parë problemin e pjesëmarrjes së gjyqtarëve në vendimmarrje të mëparshme brenda të njëjtit procedim duke e kthyer çështjen për rigjykim. Për këto arsye është kërkuar nga ILD verifikimi i shkeljeve të pretenduara dhe marrja e masave përkatëse, për garantimin e një procesi të rregullt dhe të paanshëm. Këtë të martë seanca e radhës u shty për shkak të mungesës së avokatëve ndërsa SPAK ka ushtruar ankim mbi vendimin e shkallës së parë që shpalli të pafajshëm Erlis Dukën, vëllain e Leonard Dukës si dhe në vendim pakicë në Shkallën e Parë ka pasur pafajësi për të pandehurit Fatmir Hyseni, Aleksandër Manxhaku, Dritan Agaj dhe Oltjan Loga.