Një denoncim i mbërritur nga një qytetar ngre shqetësim për gjendjen e varrezave të reja të Beratit, në zonën e Suelasit.
Sipas tij, hapësira ku prehen të afërmit e qytetarëve po përballet me mungesë të kushteve elementare të mirëmbajtjes dhe kujdesit.
Në denoncimin e tij, qytetari tregon se varrezat janë pa rrethim dhe pa ndriçim, duke krijuar një situatë problematike për familjarët që i vizitojnë, ndërsa mungesa e rrethimit ka bërë të mundur edhe hyrjen e kafshëve në ambientet e varrezave.
Shqetësim tjetër është prania e mbetjeve dhe plehrave në hapësirat përreth varreve. Qytetari thekson gjithashtu mungesën e një çezme uji, një shërbim bazë që do t’u mundësonte familjarëve të pastrojnë dhe mirëmbajnë varret e të afërmve të tyre.
“Bëhet fjalë për një vend që meriton respekt, pastërti dhe mirëmbajtje”, shprehet qytetari në mesazhin e tij, duke kërkuar që problematika të mos mbetet pa vëmendje.
Përmes këtij denoncimi, qytetari i bën thirrje Bashkisë Berat dhe institucioneve përgjegjëse që të verifikojnë gjendjen në terren dhe të marrin masa për përmirësimin e kushteve në varrezat e reja të qytetit.
Varrezat nuk janë thjesht një hapësirë publike, por një vend ku familjarët shkojnë për të nderuar të dashurit e tyre. Për këtë arsye, mirëmbajtja, pastërtia, siguria dhe garantimi i shërbimeve minimale duhet të jenë pjesë e kujdesit institucional ndaj tyre.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje, Dua të denoncoj gjendjen e varrezave të reja të Beratit, në zonën e Suelasit. Situata është e papranueshme dhe kërkon vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.
Varrezat nuk kanë ndriçim dhe janë të parrethuara, duke bërë të mundur që kafshët të hyjnë brenda. Plehra ka kudo dhe mungon edhe një çezmë uji për qytetarët që shkojnë për të vizituar dhe mirëmbajtur varret e familjarëve të tyre.
Bëhet fjalë për një vend që meriton respekt, pastërti dhe mirëmbajtje. I bëjmë thirrje Bashkisë Berat dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa sa më parë.
Ju lutem, publikojeni këtë denoncim që kjo situatë të marrë vëmendjen e duhur.,

