Rreziku i lindjes së parakohshme rritet ndjeshëm kur nënat e ardhshme ekspozohen ndaj valëve të të nxehtit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të publikuar të mërkurën. Në raport citohet një studim i vitit 2024, i publikuar në revistën Nature, i cili zbuloi se rreziku mund të rritet deri në 26%. Sipas studimit, ekspozimi ndaj nxehtësisë ekstreme gjatë shtatzënisë rrit gjithashtu rrezikun e lindjes së foshnjës së vdekur, anomalive të lindura te foshnjat dhe diabetit gestacional.Lexo edhe:Vetëm 4 minuta ushtrime në ditë pas moshës 65-vjeçare, studimi zbulon përfitimet për forcën dhe ekuilibrin Në vitin 2024, foshnjat nën moshën një vjeçare përjetuan pothuajse pesë herë më shumë ditë me valë të të nxehtit sesa foshnjat e lindura gjatë periudhës nga viti 1986 deri në vitin 2005. "Në nivel global, rreth 1,5 miliardë fëmijë janë të ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit, të cilat po bëhen më të shpeshta, më të gjata ose më të rënda", thuhet në raport. Sipas rekomandimeve të përgjithshme të OBSH-së, gratë shtatzëna duhet të pinë shumë lëngje gjatë motit të nxehtë, të freskojnë qafën dhe këmbët me peceta të lagura kur është e nevojshme dhe, sa herë që është e mundur, t’i planifikojnë aktivitetet gjatë orëve më të freskëta të ditës. Sipas raportit, autoritetet shëndetësore duhet të kenë plane paralajmërimi të hershëm dhe të bëjnë më shumë për të rritur ndërgjegjësimin e familjeve për rreziqet. Ato duhet gjithashtu të përgatiten për të trajtuar më shumë gra shtatzëna dhe foshnja, ndërsa rritet numri i ditëve me temperatura jashtëzakonisht të larta. Për ta arritur këtë, duhet të mblidhen më shumë të dhëna kudo, në mënyrë që autoritetet të vlerësojnë me saktësi se cilat rreziqe po rriten dhe në çfarë mase, thotë OBSH-ja./DPA News

