Lajme Zone
Tare “porositi” vilën, 3 muaj pasi Balluku “llastohej” me pishinën, roli i çiftit Abazi-Reçi
PolitikëJOQ Albania

Tare “porositi” vilën, 3 muaj pasi Balluku “llastohej” me pishinën, roli i çiftit Abazi-Reçi

Ish-futbollisti Igli Tare këmbëngul se është pronari i vilës 188/1 në kompleksin rezidencial “Green Coast” në Palasë, për të cilën SPAK dyshon se është në pronësi reale të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas dosjes hetimore, Tare ka deklaruar se e ka porositur vilën përmes një kontrate të datës 26 nëntor 2020, me një vlerë paraprake prej 250 mijë eurosh, duke pretenduar se kishte mundësi f

Ish-futbollisti Igli Tare këmbëngul se është pronari i vilës 188/1 në kompleksin rezidencial “Green Coast” në Palasë, për të cilën SPAK dyshon se është në pronësi reale të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas dosjes hetimore, Tare ka deklaruar se e ka porositur vilën përmes një kontrate të datës 26 nëntor 2020, me një vlerë paraprake prej 250 mijë eurosh, duke pretenduar se kishte mundësi financiare për ta blerë atë. Megjithatë, hetuesit kanë evidentuar komunikime që hedhin dyshime mbi pretendimet e ish-futbollistit. Më 14 shtator 2020, rreth tre muaj përpara kontratës së pretenduar nga Tare, arkitekti Alban Eftimi i kishte dërguar një email Belinda Ballukut, ku diskutonte detaje të shumta të vilës, përfshirë pishinën, tarracën, sallonin dhe materialet e përdorura. Për SPAK-un, komunikimi tregon se Balluku ishte personi që ndiqte projektimin e godinës përpara se Tare të pretendonte se kishte nënshkruar kontratën e porosisë. Sipas Boldnews.al, një tjetër element që forcon dyshimet e Prokurorisë së Posaçme lidhet me përfshirjen e biznesmenit Arbër Abazi dhe bashkëjetueses së tij, Lorela Reçi, në punimet e vilës. Tare ka deklaruar se ishte vetë Balluku ajo që e lidhi me Abazin për të kryer punimet, ndërsa Reçi menaxhonte proceset e rregullimit dhe komunikonte me kompanitë e ndryshme. Ekspertët e SPAK-ut kanë vlerësuar se punimet në vilë kapnin vlerën nga 288 mijë deri në 410 mijë euro. Prokuroria dyshon se klientja reale ishte Balluku dhe jo Tare, ndërsa evidenton edhe lidhjen me kompaninë e Abazit, e cila kishte përfituar një tender rreth 25 milionë euro për Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës. SPAK ka krijuar dyshime për një skemë të përbashkët mes Tares, Abazit dhe Reçit, me qëllim fshehjen e pronësisë reale të vilës së Ballukut përmes veprimeve dhe dokumenteve që prokuroria i konsideron fiktive. Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për ish-zv.kryeministren, duke e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera në nëntë raste, korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Balluku është hetuar në gjendje të lirë, ndërsa në mars 2026, Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të saj.