Lajme Zone
Wind of Change
PolitikëPamfleti

Wind of Change

Në Pragë, sheshet mbushen me qytetarë që tundin çelësat në ajër, si për t'i thënë pushtetit se kishte ardhur koha të largohej. Në Bukuresht, frika thyhet përballë një regjimi që kishte sunduar me terror. Pak më vonë, edhe në Tiranë, shqiptarët do të sfidonin një nga diktaturat më të izoluara të kontinentit.

Foto Ilustruese / Rrëzuam diktaturën, por jo etjen për pushtet absolut. Gati katër dekada më vonë, Shqipëria mbetet peng i një paradoksi historik... Nëntor 1989. Në Berlin, mijëra njerëz ngjiten mbi një mur që për dekada kishte ndarë familje, qytete dhe fate njerëzore. Çekiçët godasin betonin. Ushtarët që deri dje ruanin kufirin e një bote të mbyllur, shohin të pafuqishëm se si historia po u rrëshqet nga duart. Njerëzit përqafohen, qajnë, këndojnë. Një sistem që dukej i përjetshëm po shembej brenda natës.

Në Pragë, sheshet mbushen me qytetarë që tundin çelësat në ajër, si për t'i thënë pushtetit se kishte ardhur koha të largohej. Në Bukuresht, frika thyhet përballë një regjimi që kishte sunduar me terror. Pak më vonë, edhe në Tiranë, shqiptarët do të sfidonin një nga diktaturat më të izoluara të kontinentit.

Në sfond, një këngë do të bëhej kolona zanore e asaj epoke: Wind of Change.

Ishte era e ndryshimit. Për një çast, u besua se bashkë me muret do të shembeshin edhe mekanizmat që e kishin kthyer pushtetin në privilegj të pakicës dhe nënshtrimin në fat të shumicës.

Por historia nuk ecën gjithmonë në drejtimin që premtojnë revolucionet. Ajo ka treguar se është shumë më e lehtë të rrëzosh një regjim sesa të çlirosh një shoqëri nga mendësia politike që regjimi lë pas. Sepse autoritarizmi nuk është vetëm një formë qeverisjeje. Është edhe një mënyrë të menduari, një marrëdhënie mes shtetit dhe individit, një tundim i përhershëm për ta shndërruar pushtetin nga përgjegjësi publike në pronë vetjake.

Gati katër dekada më vonë, paradoksi i madh i tranzicionit tonë qëndron pikërisht këtu: fituam lirinë për të zgjedhur udhëheqësit tanë, por nuk arritëm të ndërtonim mekanizmat që i pengojnë ata ta trajtojnë shtetin si të tyrin.

Ndryshuam kushtetutat, partitë, simbolet dhe gjuhën e politikës. Por jo domosdoshmërisht marrëdhënien e pushtetit me qytetarin. Aty ku dikur kërkohej besnikëri ndaj ideologjisë, sot kërkohet besnikëri ndaj liderit. Aty ku dikur partia identifikohej me shtetin, sot kufiri mes tyre vazhdon të jetë objekt i një beteje të papërfunduar.

Dhe kjo është ironia më e madhe e historisë sonë: triumfuam mbi një sistem që e shpalli veten të përjetshëm, por ende nuk kemi mësuar t'ia heqim pushtetit iluzionin e përjetësisë.

Sepse demokracia nuk është thjesht e drejta për rotacionet. Është, mbi të gjitha, aftësia e një shoqërie për ta bërë të pamundur që kushdo që vjen në pushtet të bëhet më i rëndësishëm se institucionet.

Ndoshta pikërisht këtu duhet kërkuar kuptimi i një ere të re ndryshimi. Jo më në rrëzimin e një muri, as në zëvendësimin e një lidershipi, por në çmontimin e një modeli që i ka mbijetuar sistemit prej të cilit lindi. Një model ku pushteti kërkon vazhdimisht të zgjerohet, ndërsa qytetarit i mjafton e drejta e votës.

Shqipëria është ndoshta një nga shembujt më domethënës të këtij paradoksi. Prej më shumë se tri dekadash, politika premton ndryshimin, por shpesh riprodhon të njëjtat marrëdhënie varësie, të njëjtin përqendrim vendimmarrjeje dhe të njëjtën prirje për ta identifikuar fatin e vendit me fatin e atyre që e drejtojnë. Kështu, tranzicioni rrezikon të mos jetë më një periudhë kalimtare, por një gjendje e përhershme, ku e ardhmja premtohet çdo katër vjet dhe e tashmja mbetet peng i së shkuarës.

Asnjë rend politik nuk është i përjetshëm. As ai që mbështetet mbi frikën, as ai që mbështetet mbi zakonin, as ai që e ngatërron legjitimitetin e votës me të drejtën për të sunduar. Historia na mëson se ndryshimet më të mëdha fillojnë kur shoqëritë pushojnë së konsideruari të pandryshueshme zakonet me të cilat janë mësuar të jetojnë.

Dhe ndoshta kjo është sfida e brezit të sotëm: të mos trashëgojnë vetëm lirinë që fituam ne që dolën në sheshe më 1989 dhe 1990, por t'i japin asaj përmbajtjen që ende i mungon. Të ndërtojmë një republikë ku institucionet janë më të forta se individët, ku ligji nuk njeh mbiemra dhe ku ndryshimi i qeverive nuk përjetohet si një revolucion, por si një akt normal i demokracisë.

Brezi i vitit 1990 kishte përpara një diktaturë për të rrëzuar. Brezi i sotëm ka përpara një kulturë pushteti për të ndryshuar. E para kërkonte guximin për t'i thënë jo frikës. E dyta kërkon pjekurinë për t'i thënë jo nënshtrimit, edhe kur ai vjen i mbështjellë me pambuk.

Dikur, Wind of Change ishte himni i një Europe që po çlirohej nga historia e saj. Sot, mund të jetë metafora e një Europe që kërkon të mos mbetet peng i premtimeve të papërmbushura të asaj historie.

Sepse muret më të vështira për t'u rrëzuar nuk janë gjithmonë ato prej betoni. Janë muret që, me kalimin e kohës, mësohemi të mos i shohim më./Pamfletiwind of change gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Ndëshkimi i Erionit, sinjali i Edi Ramës për Sorosin 29 Tetor 2026, 16:4216:42Editorial Ora e Baltazarit 28 Tetor 2026, 10:2310:23Editorial Merz-Rama, enigma e takimit të Budvës 27 Tetor 2026, 15:5615:56Editorial Muzgu i Cezarëve 26 Tetor 2026, 11:4111:41Editorial Gotov je! 25 Tetor 2026, 11:2511:25Editorial Kush do të qeverisë pas revoltës së Gjeneratës Z? 24 Tetor 2026, 13:0013:00Editorial