Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se paketa e re fiskale do të rëndojë bizneset dhe qytetarët, ndërsa ka pretenduar se rritja e çmimeve në Shqipëri lidhet drejtpërdrejt me qarkullimin e parave të përfituara nga aktivitetet e narkotikëve. Në një dalje për mediat, Berisha u ndal te propozimi për uljen e TVSH-së në 6%, duke deklaruar se kjo masë nuk do të sjellë ulje të çmimeve për konsumatorët. Sipas tij, informaliteti dhe ulja e pragut nga 100 mijë në 50 mijë euro e pengojnë efektin e kësaj mase. Kreu i PD-së hodhi akuza edhe ndaj Bankës së Shqipërisë, duke pretenduar se ajo hedh sasi të mëdha lekësh në qarkullim për të blerë euro të ardhura nga aktivitetet e paligjshme. Ai iu referua edhe nivelit të parasë në qarkullim, duke pretenduar se gjatë muajit të kaluar ajo ishte 17% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas tij, rritja e parasë në qarkullim, në kushtet kur prodhimi vendas është në rënie, ushtron presion mbi çmimet. Berisha kritikoi gjithashtu mënyrën se si llogaritet rritja ekonomike në Shqipëri, duke pretenduar se ajo nuk pasqyron rritjen reale të prodhimit, por mbështetet te të ardhurat nga taksat dhe ndërtimi. Sipas tij, investimet e huaja janë në nivele të dobëta, ndërsa një pjesë e flukseve që raportohen si investime janë, sipas pretendimit të tij, blerje apartamentesh dhe njësish në kullat e ndërtuara me para të aktiviteteve kriminale. “Por të marrim një aspekt tjetër. Ulja e TVSH në 6 përqind, do japë kjo ulje çmimesh?
Jo, aspak. Nuk e lejon informaliteti.
Nuk e lejon ulja e pragut nga 100 në 50.
Por ka një gjë tjetër të tmerrshme në Shqipëri: çmimet i rrit droga.
Si? Shumë thjeshtë. Guvernatori i Bankës pret tonelata lekë dhe i nxjerr në treg për të blerë narkoeurot.
Çfarë është inflacioni? Nga sa përcaktohet? Raporti i parasë në qarkullim me prodhimin.
Ky është inflacioni.
Po si është prodhimi në Shqipëri?
Prodhimi në Shqipëri është në rënie brutale.
Pavarësisht nga kjo, Banka e Shqipërisë nxjerr me thasë tonelata lekë në treg për të blerë narkoeurot.
Paraja në qarkullim muajin që kaloi ishte 17 përqind më e lartë se një vit më parë.
Çfarë do të thotë kjo?
Dëgjojeni pak se çfarë tha, ka familje që e vuajnë inflacionin. Çka do të thotë se ai inflacion që japin, nuk është kurrë real.
Por edhe ai që japin nuk është rezultat, ka për rezultante të sigurt drogën. Hedhjen e lekëve për të blerë paratë dhe jo prodhimin.
Prodhimi në Shqipëri bie çdo vit.
Rritja ekonomike nuk është rritja e prodhimit. Rritja ekonomike në Shqipëri përcaktohet nga taksa që vilen dhe merren nga administrata e stërfryrë, nga taksa që merren nga qytetarët, dhe nga ndërtimi.
Nuk ka investime. Investimet e huaja janë në ditën më të keqe. Të gjitha ato që quhen investime janë blerje të kateve të kullave të drogës dhe ndërtimeve të drogës.
Pra, paketa do të shkatërrojë qindra mijëra biznese, do të largojë nga Shqipëria me dyfishimin e dividendit, ishte 8 e bëri 15, dhe e bëri pa asnjë konsultim.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Berisha
