Vetëm zgjedhjet, nuk mjaftojnë për të shpëtuar demokracinë. Megjithatë, rezultatet befasuese në Serbi, Brazil dhe Hungari kanë rikthyer shpresën se autokratët nuk janë të pathyeshëm dhe se qytetarët mund t’ua marrin sërish pushtetin... Është ende herët për të shpallur fitoren, por humbjet e fundit zgjedhore të Viktor Orbán, Aleksandar Vuçiç dhe Flávio Bolsonaro-s më shtyjnë të shtroj një pyetje: Mos vallë viti 2026 po shndërrohet në vitin kur demokracia, ngadalë por me vendosmëri, nisi kundërsulmin ndaj autokracive?
Edhe në Izrael, blloku qeverisës i kryeministrit Benjamin Netanyahu e humbi shumicën parlamentare, ndërsa partitë arabe shënuan një rritje spektakolare. Edhe pse opozita mund të mos jetë ende në gjendje të formojë qeverinë, ajo zotëron tashmë grupimin më të madh parlamentar.
Gjithçka nisi me rezultatin befasues të zgjedhjeve në Hungari, në prill. Kundër çdo parashikimi, Viktor Orbán, autokrati më jetëgjatë dhe më i konsoliduar i Bashkimit Evropian, u rrëzua nga rivali i tij, Péter Magyar.
Gjatë viteve të gjata në pushtet, Orbán kishte bërë gjithçka për të përqendruar pushtetin në duart e veta dhe për të siguruar qëndrimin sa më të gjatë në krye të vendit. Mediat ishin nën kontrollin e tij, gjyqësori i nënshtrohej vullnetit të qeverisë, ndërsa liria akademike ishte kufizuar sistematikisht.
Megjithatë, rreth partisë së Magyar u bashkua një lëvizje e gjerë qytetare, e cila arriti ta largonte nga pushteti. Brigjet e Danubit, përjetuan një nga netët më entuziaste të festimit të këtij shekulli.
E njëjta atmosferë gëzimi mbizotëroi të dielën e kaluar, 300 kilometra më poshtë përgjatë lumit, në Beograd. Në Serbi, Lista Studentore, një aleancë e krijuar nga poshtë lart, ku u bashkuan studentë, akademikë dhe qytetarë të zemëruar, arriti ta largonte nga pushteti Vuçiçin, në një rezultat që pak kush e kishte parashikuar.
Që prej vitit 2014, fillimisht si kryeministër e më pas si president, Vuçiç kishte mbajtur një kontroll të hekurt mbi vendin, duke përdorur një përzierje tashmë të njohur: retorikën e së djathtës ekstreme, skandalet financiare dhe përbuzjen ndaj shtetit të së drejtës.
Një formulë, që vitet e fundit u ka siguruar pushtet shumë liderëve autoritarë. Por duket se edhe durimi i qytetarëve ka një kufi. Fati politik i Vuçiçit u vulos pas shembjes së tendës së çatisë së sapondërtuar të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Tragjedia shkaktoi një zemërim të jashtëzakonshëm qytetar dhe nxori në pah korrupsionin sistemik që kishte depërtuar në të gjitha nivelet e shtetit. Pastaj erdhi lajmi më i madh. Të hënën në mëngjes u konfirmua fitorja e Luiz Inácio Lula da Silvës në zgjedhjet presidenciale të Brazilit, duke përmbysur pritshmëritë.
Në raundin e parë, Flávio Bolsonaro kishte dalë përpara dhe pothuajse të gjitha sondazhet parashikonin fitoren e tij në balotazh. Shumë brazilianë po përgatiteshin për një qeverisje të paktën po aq radikale të së djathtës sa ajo e të atit.
Por Lula, biri i dy fermerëve të varfër dhe analfabetë, i cili vetë kishte punuar si punëtor fabrike, befasoi miqtë dhe kundërshtarët, duke fituar për herë të katërt presidencën e ekonomisë më të madhe të Amerikës Latine.
Analistët nxituan të theksonin se fitorja e Lulës ndërpreu serinë e sukseseve të populistëve të djathtë në Amerikën Latine. Kjo është e vërtetë, por nëse e shohim panoramën më gjerë, dallojmë një prirje shumë më domethënëse.
Këtu nuk kemi të bëjmë kryesisht me një përballje mes së majtës dhe së djathtës, por me një përplasje mes demokratëve dhe atyre që mund t’i quajmë post-demokratë.
Për shembull, Magyar nuk është aspak një politikan i së majtës. Ai është një lider i qendrës së djathtë, i cili dikur ishte pjesë e vetë partisë së Orbánit.
Në Serbi, Lista Studentore drejtohej nga Ilija Srdanović, kardiolog dhe profesor universiteti, pa një profil të theksuar ideologjik. Ai mbron vlera liberale, si liria e medias dhe shteti i së drejtës, por qëndrimi i tij për Kosovën përputhet me nacionalizmin tradicional serb.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të jetë e pavarur. Pavarësisht dallimeve të rëndësishme politike, Magyar, Srdanović dhe Lula kanë një bindje themelore të përbashkët: rregullat e lojës demokratike duhet të respektohen.
Zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme, gjyqtarët dhe gazetarët duhet të ushtrojnë detyrën në mënyrë të pavarur, ndërsa duhet të funksionojnë mekanizmat e kontrollit dhe balancimit të pushteteve, sepse pikërisht për këtë arsye ekzistojnë.
Ndërkohë, post-demokratët, përkundrazii trajtojnë ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare si sugjerime pa detyrim, një menu nga e cila zgjedhin vetëm ato që u leverdisin. Ata i përdorin zgjedhjet për të ardhur në pushtet, por, sapo e marrin atë, nisin të zbrazin nga përmbajtja institucionet demokratike dhe ta shfrytëzojnë shtetin për të maksimizuar përfitimet e tyre private. Meqenëse korrupsioni është pjesë thelbësore e mënyrës së tyre të qeverisjes, qëndrimi në pushtet kthehet në çështje mbijetese: duhet të vazhdojnë të sjnë për të mos përfunduar në burg. Zërat kundërshtarë duhen heshtur, ndërsa mediat kritike duhen vënë nën presion dhe ndjekur penalisht.
Ndërkaq, post-demokratët ruajnë vetëm fasadën e demokracisë. Flávio Bolsonaro ndoqi shembullin e Donald Trump. Rezultatet zgjedhore janë të pakontestueshme kur fiton ai, por të manipuluara kur humbet.
Ngjashëm, Netanyahu po përpiqet të delegjitimojë rezultatin e zgjedhjeve në Izrael, duke pretenduar se Katari ka ndërhyrë në favor të partive palestineze. Post-demokratët kanë qenë në rritje prej vitesh dhe kjo është një prirje që duhet të na shqetësojë thellësisht.
Që nga viti 2000, kemi parë një çmontim të vazhdueshëm dhe të qëllimshëm të arritjeve demokratike në të gjitha kontinentet. Kushdo që lexon raportin më të fundit ndërkombëtar për demokracinë, të hartuar nga Instituti V-Dem, mund të bjerë lehtësisht në pesimizëm.
Sipas tij, për sa i përket gjendjes së përgjithshme të demokracisë, bota është kthyer praktikisht në nivelet e vitit 1978. Vetëm 7 për qind e popullsisë së globit jeton në demokraci liberale.
Megjithatë, pas vitesh me tituj alarmues për rrëshqitjen demokratike në mbarë botën, lajmet nga Budapesti, Beogradi dhe Brasília sjellin rreze shprese në këto kohë të errëta.
Të njëjtën shpresë e ushqen edhe vala e jashtëzakonshme e protestave të Gjeneratës Z gjatë këtij viti, nga India dhe Filipinet, deri në Shqipëri, Argjentinë dhe Kili. Turma të mëdha të rinjsh kanë dalë në rrugë për t’u përballur me pushtetin autokratik dhe korrupsionin në vendet e tyre.
Mos vallë demokracia liberale po rifiton energjinë e humbur? A është vërtet e mundur të mposhten autokratët dhe regjimet autoritare? A mund të jetë ky fillimi i një ringjalljeje demokratike, e cila javën e ardhshme mund të shtrihet edhe në Shtetet e Bashkuara?
Shumica e sondazheve, sugjerojnë se demokratët kanë shanse të mira për të rimarrë të paktën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit në SHBA.
Ndërkohë, përpjekjet për të delegjitimuar votuesit arabë në Izrael këtë javë, na kujtojnë kufijtë e ndryshimit që mund të arrihet vetëm përmes kutive të votimit. Zgjedhjet mund të na ndihmojnë të largojmë post-demokratët nga pushteti, por në shoqëritë thellësisht të përçara ato nuk mjaftojnë për të shëruar plagët. Akti individual dhe shpesh i heshtur i votimit duhet të plotësohet me procese kolektive dialogu, diskutimi dhe vendimmarrjeje qytetare.
Megjithatë, në një këndvështrim global, viti 2026 mund të hyjë në histori si viti më i mirë për demokracinë në më shumë se një çerek shekulli. Mos vallë jemi përpara një kthese historike?
Se çfarë sinjalizon kjo për zgjedhjet vendimtare që do të zhvillohen vitin e ardhshëm në disa prej vendeve më të mëdha të Bashkimit Evropian, si Franca, Spanja, Gjermania dhe Polonia, mbetet e paqartë.
Duke parë hovin që ka marrë AfD-ja në Gjermani, partitë populiste të së djathtës, me prirje post-demokratike, janë ende larg të qenit të mundura në Evropë. Edhe Vox mund të bëhet pjesë e një qeverie të drejtuar nga Partia Popullore në Spanjë brenda pak javësh.
Por Hungaria, Serbia dhe Brazili kanë dhënë një mesazh thelbësor: ngritja e autokratëve dhe qëndrimi i tyre i gjatë në pushtet nuk janë ligje të pandryshueshme të natyrës. Asnjë pushtet autoritar nuk është i përjetshëm dhe asnjë shoqëri nuk është e dënuar të jetojë përgjithmonë nën sundimin e tij.
Ndoshta nuk do të kalojë shumë kohë dhe post-demokracitë do të fillojnë të duken si një model i dalë mode./Pamfleti nga “The Guardian” Shënim: David Van Reybrouck, është shkrimtar dhe filozof belg.
viti i hakmarrjes demokracia autokratët Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Kush do të pasojë Trump në Shtëpinë e Bardhë? Tre emrat që po bëjnë lëvizjet e para për garën e vitit 2028 30 Tetor 2026, 10:3610:36Rajoni dhe Bota I shpëtoi atentatit të parë, bosi i mafies turke ekzekutohet brenda spitalit në Spanjë; në sy të bashkëshortes (Video) 30 Tetor 2026, 10:2610:26Rajoni dhe Bota Trump bullizon gazetarin e Reuters për pamjen fizike: Je i neveritshëm, dukesh tmerrësisht keq 30 Tetor 2026, 10:2010:20Rajoni dhe Bota Tronditet tregu i kriptomonedhave, hakerët vjedhin 6.3 miliardë dollarë nga Binance 30 Tetor 2026, 09:5609:56Rajoni dhe Bota Trump-Europës: Mos e prekni Putinin! 30 Tetor 2026, 08:3608:36Rajoni dhe Bota Izraeli në ngërç politik pas zgjedhjeve, CNN: Netanyahu rrezikon të humbasë pushtetin 30 Tetor 2026, 08:3808:38Rajoni dhe Bota

