Një qytetar ka kontaktuar JOQ Albania për të denoncuar ushtrimin e aktivitetit të taksive pa licencë dhe pa përmbushur detyrimet tatimore.
Sipas denoncuesit, kjo situatë po krijon konkurrencë të pandershme ndaj taksive që operojnë në mënyrë të ligjshme, janë të pajisura me licencat përkatëse dhe paguajnë rregullisht taksat dhe detyrimet ndaj shtetit.
Qytetari thotë gjithashtu se problematika është e pranishme prej një kohe të gjatë dhe se, pavarësisht kësaj, nuk janë marrë masa të mjaftueshme nga institucionet përgjegjëse, duke përmendur Taksforcën, Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake.
Përmes këtij denoncimi, ai kërkon që institucionet kompetente të verifikojnë situatën dhe, në rast se konstatohen shkelje, të marrin masat përkatëse ndaj aktiviteteve të palicencuara.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ, Po ju dërgoj këtë denoncim në lidhje me një shqetësim që prej kohësh po prek sektorin e taksive: ushtrimi i aktivitetit të taksive në mënyrë të paligjshme, pa licencë dhe pa paguar detyrimet tatimore.
Kjo situatë po krijon një konkurrencë të pandershme dhe një dëm të konsiderueshëm për taksitë që ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të ligjshme, janë të pajisura me licencat përkatëse dhe paguajnë rregullisht taksat dhe detyrimet ndaj shtetit. Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është fakti se, pavarësisht se ky problem është i pranishëm prej një kohe të gjatë, nuk duket se janë marrë masa të mjaftueshme nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Taksforcën, Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake. Ju lutem, bëjeni publik këtë rast në mënyrë që problematika të marrë vëmendjen e duhur dhe institucionet përgjegjëse të marrin masat e nevojshme ndaj aktiviteteve të palicencuara dhe të paligjshme. Ju lutem, publikojeni në mënyrë anonime.

