Një tjetër zjarr ka përfshirë këtë të diel zonën e grumbullimit të mbetjeve në fshatin Halil të Fushë-Krujës, duke rikthyer shqetësimin e banorëve për situatën që, sipas tyre, po përsëritet prej javësh.
Banorët thonë se që prej 20 korrikut, zjarret në këtë zonë janë shfaqur pothuajse çdo 10 ditë. Flakët dhe tymi i dendur janë përhapur pranë zonave të banuara, duke krijuar shqetësim për familjet që jetojnë në afërsi.
Pamjet e publikuara nga zona tregojnë një masë të madhe tymi të zi që ngrihet mbi grumbullin e mbetjeve, ndërsa banorët paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së flakëve drejt fshatrave Halil dhe Kameras.
Përveç rrezikut nga zjarri, banorët shprehen të shqetësuar edhe për ndotjen e ajrit, pasi tymi i krijuar nga djegia e mbetjeve përhapet në zonën përreth.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për shuarjen e zjarrit dhe marrjen e masave për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.

