Një 25-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, Itali. I riu, i cili banonte në Torino, dyshohet se ishte pjesë e një grupi që kishte hyrë në një pronë private me qëllim grabitjen.
Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja ndodhi rreth orës 02:00, kur një grup prej 4-5 personash hyri në oborrin e një banese. Pronari i shtëpisë, i identifikuar si Roberto Mollo, ndodhej brenda dhe thuhet se u zgjua pasi dëgjoi zhurma jashtë.
Mollo, i cili punon si mekanik dhe shofer kamioni për transportin e kafshëve, doli nga banesa për të kontrolluar situatën. Kur u përball me personat në errësirë, ai përdori një pistoletë gjysmëautomatike, të cilën e kishte në mënyrë të ligjshme, dhe qëlloi disa herë.
Një prej personave të përfshirë në grup mbeti i plagosur për vdekje dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Pjesëtarët e tjerë u larguan me shpejtësi nga zona.
Identiteti i 25-vjeçarit shqiptar ende nuk është bërë publik. Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të rindërtuar me saktësi momentet e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë.

