Lajme Zone
Takimi i Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, Bardhi: Parlamenti refuzon komisionet hetimore, opozitës po i mohohen instrumentet e kontrollit
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Takimi i Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, Bardhi: Parlamenti refuzon komisionet hetimore, opozitës po i mohohen instrumentet e kontrollit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin për funksionimin e Parlamentit dhe rolin e opozitës në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin për funksionimin e Parlamentit dhe rolin e opozitës në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, Bardhi tha se integrimi europian nuk duhet të jetë thjesht një proces i miratimit të ligjeve, por duhet të shoqërohet me transformimin e institucioneve demokratike. Sipas Bardhit, Parlamenti duhet të garantojë jo vetëm përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, por edhe zbatimin e ligjeve, kontrollin mbi qeverinë dhe përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në procesin e reformave.

Ai u shpreh se shqetësimet për dobësimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin janë evidentuar edhe në nivel europian dhe se këto problematika duhet të adresohen edhe nga parlamentarët shqiptarë. “Edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë i jep pakicës parlamentare të drejtën të kontrollojë Qeverinë, në realitet kjo e drejtë mohohet”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, gjatë vitit të parë të kësaj legjislature, opozita ka paraqitur shtatë kërkesa për interpelanca apo llogaridhënie me kryeministrin, të cilat, sipas Bardhit, nuk janë pranuar. Ai pretendoi se kjo ka kufizuar mundësinë e opozitës për të ushtruar funksionin e saj të kontrollit parlamentar. Bardhi ngriti gjithashtu çështjen e komisioneve hetimore. Ai tha se opozita ka paraqitur gjashtë kërkesa për ngritjen e komisioneve të tilla gjatë kësaj legjislature dhe se, sipas tij, asnjëra nuk është miratuar nga mazhoranca. Në këtë pikë, ai iu referua edhe një çështjeje të dërguar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje. Bardhi tha se opozita e ka fituar çështjen në Gjykatën Kushtetuese në korrik 2026, por pretendoi se vendimi ende nuk është zbatuar nga Kuvendi.

“Edhe pse kanë kaluar tre muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ende kjo e drejtë e opozitës nuk është zbatuar dhe Komisioni Hetimor nuk është ngritur”, tha ai.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së përmendi edhe debatin e fundit për statusin dhe pagat e magjistratëve, duke akuzuar mazhorancën se ka miratuar sërish një ligj për të cilin, sipas tij, Gjykata Kushtetuese është shprehur më herët.

Bardhi e lidhi këtë çështje drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian, duke argumentuar se Shqipëria nuk mund të përmbushë standardet europiane vetëm përmes miratimit formal të ligjeve.

“Shqipëria bëhet europiane kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europiane. Kur Parlamenti kontrollon qeverinë. Kur opozita ka hapësirë reale për të ushtruar mandatin e saj kushtetues”, u shpreh ai.

Sipas tij, procesi i integrimit duhet të shoqërohet me transparencë, llogaridhënie dhe zbatim të ligjit, ndërsa shoqëria civile, ekspertët dhe grupet e interesit duhet të dëgjohen përpara miratimit të reformave.

“Integrimi europian kërkon kontroll dhe balancë, jo vetëm shumicë votash”, deklaroi Bardhi, duke shtuar se Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në një mekanizëm që miraton automatikisht nismat e qeverisë.

Në përfundim, Bardhi tha se integrimi europian duhet të konsiderohet një projekt kombëtar dhe se Parlamenti duhet të jetë në qendër të këtij procesi.

“Objektivi nuk duhet të jetë vetëm të mbyllim kapitujt. Objektivi duhet të jetë të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë: një Shqipëri me institucione më të forta. Me Parlament më të fuqishëm”, përfi ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb