Deputeti dhe nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, ka reaguar lidhur me takimin dyditor të kryeministrit Edi Rama në Pogradec, me drejtuesit politikë të PS-së dhe ministrat.
Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Këlliçi akuzon Ramën për shfaqje politike, në një kohë kur qytetarët shqiptarë protestojnë prej më shumë se 80 ditësh kundër qeverisë.
Sipas tij, shqiptarët janë përballë një sistemi të kalbur që vjen era korrupsion, lidhje e krim, ndërtuar e majisur nga Edi Rama.
Demokrati thekson se Rama po u merr kohë shqiptarëve me lëvizje të dëshpëruara, duke injoruarar kërkesat e qytetarëve, ndërsa gjendet në krye të aferave, si ajo e inceneratorëve.
Reagimi i plotë:
Vetëkenaqësia e Liqenit, nuk i përgjigjet asaj që kërkojnë sot qytetarët!
Shfaqjet e Edi Ramës në Pogradec, janë thellim i arrogancës dhe trajtimit personal të shtetit dhe aspak reflektim, aq më pak zgjidhje.
Shfaqja në vilën e Enverit dhe luksi qeveritar i këtyre 2 ditëve buzë liqenit, nuk i përgjigjet asaj që kërkon protesta në ditën e 85, asaj që kërkon vendi.
Edi Rama dhe qeveria e tij nuk janë në krizë legjitimiteti për faj të disa drejtorëve, që kreu i organizatës paska kërkuar të largohen.
Vendi nuk është në krizë politike dhe ekonomike për shkak se të përzgjedhurit e Ramës nuk dinë të bëjnë analizë teksti dhe s'kanë kuptuar dokumentin e tij Besa.
Jemi në situatën që jemi sepse Edi Rama ka shkallmuar zgjedhjet e nuk ka lejuar votën e lirë. Gjendemi në revoltë popullore për shkak se Edi Rama është në krye të aferave më të rënda financiare, nga inceneratorët, tunelet e rrugët dhe deri te AKSH-i. Kriza është thelluar pasi ai vendosi të mbrojë korrupsionin e të pengojë drejtësinë.
Ka protestë se njerëzit e shohin përditë padrejtësinë. Vërejnë se bandat bëjnë ligjin, patronazhistët zënë vendet e punës dhe biznes e pasuri bëjnë miqtë e Kryeministrit dhe familjarët e tij.
Pra jemi para një sistemi të kalbur që vjen era korrupsion, lidhje e krim, ndërtuar e majisur nga Edi Rama.
Nuk vjen zgjidhja as me largim drejtorësh, as me dokumenta, as me platforma. Zgjidhja vjen vetëm me largimin e shkaktarit të kësaj gjendje që tanimë në sytë e të gjithëve dallohet qartë se është Edi Rana.
Takime e angazhime si këto të Pogradecit janë vetëkenaqësi liqenoro-politike që mbushin mediat e kontrolluara, por që shtojnë mllefin e neverinë tek njerëzit.
Rama po i merr kohë shqiptarëve me lëvizje të dëshpëruara.
Refuzimi i tij për të parë realitetin në sy dhe për të injoruar atë çfarë duan qytetarët, është më shumë arrogancë, më shumë padrejtësi, më shumë korrupsion, më shumë krizë./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

