Lajme Zone
Trump kërkon të gjunjëzojë Iranin, Teherani luan ‘kartën’ e fundit. Betejë që bota mund ta paguajë shumë shtrenjtë
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Trump kërkon të gjunjëzojë Iranin, Teherani luan ‘kartën’ e fundit. Betejë që bota mund ta paguajë shumë shtrenjtë

Lufta me Iranin po hyn në një fazë që mund të rezultojë po aq e rrezikshme sa përplasja ushtarake. Shtetet e Bashkuara po përgatiten ta godasin Teheranin me një ofensivë të re ekonomike, ndërsa Republika Islamike po përgjigjet aty ku e di se mund t’i dhembë jo vetëm Uashingtonit, por një pjese të madhe të botës: në Ngushticën e Hormuzit.

Ngushtica e Hormuzit / SHBA përgatit goditjen më të rëndë ekonomike ndaj Republikës Islamike, Teherani përgjigjet me tarifa, kërcënime për konfiskimin e anijeve dhe kontroll mbi arterien ku kalon një e pesta e energjisë botërore. Diplomacia po vrapon pas luftës, ndërsa një incident në Gjirin Persik mund të tronditë tregjet nga Azia në Europë... Teherani kërcënon me gjoba, ndalim dhe konfiskim të anijeve, ndërsa Uashingtoni përgatit një valë sanksionesh që synon t’i presë Iranit lidhjet me ekonominë botërore. Pas gati gjashtë muajsh lufte, beteja po zhvendoset gjithnjë e më shumë te nafta, dollari dhe Ngushtica e Hormuzit. Diplomacia ende lëviz, me Pakistanin dhe Omanin në rolin e ndërmjetësve, por hapësira për një gabim fatal po ngushtohet. Lufta me Iranin po hyn në një fazë që mund të rezultojë po aq e rrezikshme sa përplasja ushtarake. Shtetet e Bashkuara po përgatiten ta godasin Teheranin me një ofensivë të re ekonomike, ndërsa Republika Islamike po përgjigjet aty ku e di se mund t’i dhembë jo vetëm Uashingtonit, por një pjese të madhe të botës: në Ngushticën e Hormuzit.

Më 24 gusht, vëmendja ndërkombëtare është përqendruar pikërisht te ky korridor i ngushtë detar mes Iranit dhe Omanit.

Komisioni parlamentar iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme ka avancuar projektligjin që parashikon pagesën e tarifave nga anijet e vendeve të autorizuara për të kaluar nëpër Hormuz.

Sipas propozimit, tarifat do të mbulojnë shërbime lundrimi, sigurie, mjedisore, sigurimesh dhe furnizimi, ndërsa pagesat mund të bëhen në rial ose në një valutë tjetër të përcaktuar nga Teherani.

Në pamje të parë mund të duket si një çështje tarifash portuale. Në realitet, pas saj fshihet një përpjekje shumë më e madhe për të kthyer kontrollin faktik mbi Hormuzin në mjet presioni politik dhe ekonomik.

Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se anijet që nuk respektojnë rregullat e vendosura prej tyre mund të përballen me gjoba, ndalim, kufizime të kalimit, madje edhe konfiskim.

Financial Times raportoi të hënën se kërcënimet iraniane prekin 46 anije dhe se trafiku ditor në këtë korridor ka rënë nga më shumë se 130 kalime në vetëm 16. Kjo tregon përmasën e goditjes që lufta i ka dhënë një prej arterieve më të rëndësishme të ekonomisë botërore.

Hormuzi nuk është thjesht një pikë në hartën e Gjirit Persik. Nëpër të kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm që transportohet në botë. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Iraku dhe Katari varen në shkallë të ndryshme nga kjo rrugë për të nxjerrë energjinë drejt tregjeve ndërkombëtare. Çdo bllokim serioz prek menjëherë jo vetëm eksportuesit e Gjirit, por rafineritë aziatike, kompanitë e transportit, siguruesit dhe, në fund, konsumatorin që mbush makinën me karburant mijëra kilometra larg luftës.

Teherani e njeh shumë mirë këtë dobësi. Për vite me radhë kërcënimi për mbylljen e Hormuzit ishte karta ekstreme që Irani e mbante mbi tavolinë, por rrallë e çonte deri në fund. Lufta e ka ndryshuar këtë llogari. Trafiku është goditur rëndë dhe autoritetet iraniane po përpiqen tani ta veshin kontrollin e tyre me rregulla, tarifa dhe procedura të përcaktuara nga vetë Republika Islamike.

Këtu fillon edhe problemi juridik e strategjik. Nëse Teherani arrin të vendosë se kush kalon, me çfarë kushtesh kalon dhe çfarë paguan, ai fiton një levë që shkon shumë përtej mbrojtjes së brigjeve iraniane. Praktikisht, çdo qeveri që mendon t’i bashkohet fushatës amerikane të sanksioneve duhet të llogarisë edhe rrezikun që anijet, tregtia ose furnizimet e saj energjetike të përballen me kundërpërgjigjen iraniane.

Mesazhi nga Teherani është bërë edhe më i drejtpërdrejtë. Mohsen Rezaei, kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, ka paralajmëruar vendet e tjera të mos i bashkohen luftës ekonomike amerikane, duke thënë se shtetet që marrin pjesë në kufizimet kundër Iranit do të konsiderohen armiq dhe se interesat e tyre mund të goditen.

Në anën tjetër të përplasjes, administrata e Donald Trumpit po përgatit atë që Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e ka paraqitur si një ofensivë financiare pa precedent kundër Iranit.

Synimi i shpallur është t’i priten Teheranit burimet ekonomike që e mbajnë në këmbë pas muajsh lufte dhe sanksionesh.

Sipas Reuters, Thesari amerikan pritet të zgjerojë ndjeshëm sanksionet dytësore, duke goditur jo vetëm kompanitë iraniane, por edhe subjektet dhe vendet e huaja që vazhdojnë të bëjnë biznes me Republikën Islamike.

Në thelb, Uashingtoni kërkon t’u vendosë partnerëve të Iranit një zgjedhje brutalisht të thjeshtë: ose tregti me Teheranin, ose qasje në sistemin financiar të mbështetur te dollari amerikan.

Pikërisht këtu përplasja del nga kufijtë e Iranit dhe bëhet problem global.

Kina është klienti më i rëndësishëm i naftës iraniane dhe Pekini e ka kundërshtuar vazhdimisht përdorimin e sanksioneve të njëanshme amerikane. Rusia ka po aq pak arsye politike për t’iu bindur Uashingtonit, ndërsa India duhet të peshojë interesat energjetike dhe marrëdhëniet me SHBA-në. Një zbatim agresiv i sanksioneve dytësore mund ta kthejë fushatën kundër Iranit në provë force mes Uashingtonit dhe disa prej ekonomive më të mëdha të botës. Kina ka deklaruar tashmë se kundërshton masat e njëanshme dhe se do të mbrojë interesat e veta.

Kjo është edhe pika ku strategjia amerikane mbart rrezikun e efektit të kundërt. Sa më shumë Uashingtoni përpiqet të mbyllë kanalet ekonomike të Iranit, aq më i madh bëhet tundimi i Teheranit për të përdorur Hormuzin si kundërpeshë. Nëse Irani nuk mund të shesë naftën e vet, logjika e tij mund të jetë se as kundërshtarët nuk duhet ta eksportojnë të tyren pa kosto.

Ekonomia iraniane ndërkohë po jep shenja të forta rraskapitjeje. Associated Press raportoi të hënën se riali iranian ka rënë në një rekord të ri, rreth 2.02 milionë rialë për një dollar në treg. Për iranianët e zakonshëm, këto shifra përkthehen në ushqime më të shtrenjta, kursime që humbasin vlerën dhe një jetë të përditshme gjithnjë e më të rëndë.

Kjo është pikërisht ajo që kërkon Uashingtoni: ta bëjë koston ekonomike aq të rëndë sa udhëheqja iraniane të detyrohet të negociojë. Problemi është se historia e Iranit tregon se varfërimi i ekonomisë nuk përkthehet automatikisht në kapitullim politik. Regjimi ka kaluar dekada nën sanksione, ka ngritur mekanizma për t'i shmangur ato dhe, kur presioni nga jashtë shtohet, e përdor kërcënimin e huaj edhe për të forcuar kontrollin brenda vendit.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka folur për një vend që ndodhet në “luftë të gjithanshme”, megjithëse njëkohësisht ka mbrojtur rrugën diplomatike. Kjo dyzim nuk është i rastësishëm. Brenda Teheranit duket se vazhdojnë të bashkëjetojnë dy nevoja: të mos shfaqet dobësi përballë SHBA-së dhe, në të njëjtën kohë, të gjendet një rrugëdalje përpara se dëmi ekonomik të bëhet i pakontrollueshëm.

Në këtë hapësirë të ngushtë po përpiqen të futen ndërmjetësit.

Shefi i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, ka mbërritur në Teheran për bisedime që synojnë të ringjallin kontaktet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas burimeve të cituara nga Anadolu dhe raportimeve të Reuters, në tryezë janë ide të reja për rihapjen e Hormuzit dhe rikthimin e palëve te negociatat. Edhe Omani, prej vitesh një prej kanaleve më të besueshme të komunikimit mes Iranit dhe Perëndimit, vazhdon të luajë rol ndërmjetësues.

Fakti që diplomacia vazhdon të lëvizë është ndoshta elementi më i rëndësishëm që pengon një përshkallëzim edhe më të madh. Askush nuk mund të garantojë se do të funksionojë.

Në det, mjafton një incident i vetëm për t'i hedhur në erë përpjekjet diplomatike: konfiskimi i një anijeje të rëndësishme, një sulm me viktima, një përplasje mes forcave iraniane dhe amerikane ose një goditje që i atribuohet gabimisht njërës palë. Kur dhjetëra anije lundrojnë në një zonë të militarizuar dhe secila palë dyshon se tjetra kërkon ta sfidojë, hapësira mes incidentit dhe luftës së re mund të jetë vetëm disa minuta.

Tregjet e kanë kuptuar këtë rrezik. Nafta Brent ra të hënën me më shumë se një dollar, teksa investitorët prisnin hollësitë e paketës së re amerikane të sanksioneve, pas një jave kur çmimet ishin rritur mbi 6 për qind. Morgan Stanley parashikon se Brent mund të arrijë në 100 dollarë për fuçi gjatë tremujorit të katërt, megjithëse lëvizja e çmimeve do të varet shumë nga fati i Hormuzit dhe nga shkalla e zbatimit të sanksioneve amerikane.

Për Europën, kjo nuk është një krizë e largët e Lindjes së Mesme. Një goditje e re e fortë e çmimeve të energjisë do të ushqente inflacionin, do të rriste kostot e transportit dhe prodhimit dhe do të rëndonte ekonomitë që prej vitesh po përpiqen të përshtaten me pasojat e krizave energjetike. Ballkani është edhe më i ekspozuar për shkak të ekonomive më të vogla dhe varësisë së lartë nga importet.

Edhe Shqipëria nuk ka nevojë të importojë drejtpërdrejt naftë nga Irani që të paguajë faturën e kësaj lufte. Nafta është mall global. Nëse Hormuzi bllokohet, nëse sigurimi i anijeve kushton më shumë ose nëse furnizimi botëror shtrëngohet, efekti kalon nga bursat ndërkombëtare te çmimi me shumicë dhe prej andej te pika e karburantit. Al Jazeera raporton se rritje të çmimeve të benzinës janë regjistruar tashmë në të paktën 145 vende që prej fillimit të sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit më 28 shkurt.

Pikërisht për këtë arsye beteja e Hormuzit mund të jetë më vendimtare për ekonominë botërore sesa shumë prej operacioneve ushtarake që marrin më tepër hapësirë në ekranet televizive.

Donald Trump kërkon ta bindë Teheranin se SHBA-ja mund t'i shkaktojë një dëm ekonomik të papërballueshëm pa hyrë domosdoshmërisht në një fazë edhe më të madhe të luftës. Irani po përpiqet t'i tregojë Uashingtonit të kundërtën: se çdo përpjekje për ta mbytur ekonomikisht Republikën Islamike mund t'i kushtojë shtrenjtë gjithë ekonomisë botërore.

Asnjëra palë nuk e ka luksin ta shtyjë pafundësisht këtë lojë.

SHBA-ja ka fuqinë e dollarit, sanksioneve dhe sistemit financiar ndërkombëtar. Irani ka gjeografinë. Mes tyre ndodhet një brez uji vetëm disa dhjetëra kilometra i gjerë, nga i cili varet një pjesë e jashtëzakonshme e furnizimit energjetik të planetit.

Më 24 gusht, pikërisht aty ndodhet ora e krizës.

Nëse ndërmjetësimi i Pakistanit dhe Omanit prodhon një formulë për rihapjen e qëndrueshme të Hormuzit dhe rikthimin e palëve në tryezë, mund të krijohet hapësira për të frenuar spiralen e përshkallëzimit. Nëse sanksionet amerikane shtrëngohen dhe Teherani përgjigjet duke ndaluar, konfiskuar ose goditur anije, llogaritë ndryshojnë menjëherë.

Atëherë pyetja nuk do të jetë më vetëm se sa mund të durojë ekonomia iraniane. Pyetja do të jetë se sa është e gatshme të paguajë pjesa tjetër e botës për luftën që zhvillohet rreth Hormuzit./Pamfletiteherani luan kartën e fundit hormuzi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Terrorizohet famija e miliarderit brazilian në Saint-Tropez, disa persona të armatosur i grabisin me forcë në vilë! 24 Gusht 2026, 15:1115:11Rajoni dhe Bota A është Donald Trump një “aset rus”? 24 Gusht 2026, 14:4914:49Rajoni dhe Bota Macron dhe Burnham mesazh Moskës: Një popull i lirë nuk nënshtrohet 24 Gusht 2026, 14:1414:14Rajoni dhe Bota Pesha e Trump ngre pikëpyetje për shëndetin, shton 10 kilogramë 24 Gusht 2026, 13:4813:48Rajoni dhe Bota Kontaktoi Trump-in para udhëtimit, shefi i ushtrisë pakistaneze mbërrin në Teheran për ndërmjetësim 24 Gusht 2026, 12:4712:47Rajoni dhe Bota Irani shënjestron sërish familjen Trump/ Pas Melanias, video kërcënuese edhe për Barron; 10 mln dollarë për lokalizimin e tij 24 Gusht 2026, 12:2012:20Rajoni dhe Bota