Flamingot / Agroni proteston për familjen dhe pensionin e babait, Petro për natyrën, studentët për të ardhmen, ndërsa artistët kërkojnë të çlirojnë artin nga pushteti... Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, “Revolucioni i Flamingove” ka gjetur njerëzit dhe historitë e veta. Disa mbajnë flamuj, të tjerë pikturojnë, u bien daulleve, projektojnë video apo sjellin çdo ditë mesazhe të reja.
Ka edhe një kënd për fëmijët, ku ata vizatojnë një mënyrë tjetër për ta përfytyruar vendin e tyre. Sot, protesta është bërë një ndërthurje flamujsh, pankartash, daullesh, një flamingoje gjigant të fryrë me ajër dhe të rinjsh që kërkojnë të mos ndihen të huaj në vendin ku kanë lindur.
Agroni, “djali i flamurit”
Pak para orës 19:00, ndërsa protestuesit fillojnë të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, 39-vjeçari Agron Jemini lë biçikletën pranë Piramidës dhe niset drejt Kryeministrisë me flamurin shqiptar në dorë.
Kjo rutinë ka nisur që në ditën e dytë të “Revolucionit të Flamingove”. “Një djalë ma dha flamurin dhe që nga ai moment nuk jam ndarë më prej tij. Ishte sikur të ishte ngjitur pas meje, sikur të ishte bërë imi”, tregon Agroni për OBCT.
Ai punon në shpërndarjen e ujit të pijshëm në Tiranë, një punë fizike me orare fleksibël, që i mundëson të marrë pjesë çdo ditë në protestë. Që në ditët e para, ai u bë i njohur si “djali i flamurit”. Ashtu si shumë protestues të tjerë, Agroni thotë se ka dalë në rrugë edhe për shkak të shqetësimeve që prekin drejtpërdrejt familjen e tij.
“Kam ardhur të protestoj kundër arrogancës së pushtetit dhe pensioneve të ulëta. Babai im është pensionist dhe merr 13 mijë lekë, rreth 140 euro. Po të blesh një shishe vaj çdo ditë, nuk ia del dot deri në fund të muajit. E jo më për ushqimet e tjera. Kjo më ka shtyrë edhe më shumë të protestoj”.
Pas buzëqeshjes së tij fshihet një histori humbjesh të mëdha. “Shumë njerëz më thonë se fsheh diçka pas syve. Dhe në fakt është e vërtetë, fsheh shumë dhimbje. Kam përjetuar humbje të mëdha në familje. Kam humbur nënën, kur ishte 55 vjeçe, dhe vëllain, kur ishte vetëm 16 vjeç. Këtu nxjerrim gjithë zhgënjimin dhe frustrimin tonë, por njëkohësisht gjejmë edhe forcën për të vazhduar përpara”.
Për Agronin, fitorja më e madhe është ndjenja se nuk është më vetëm. “Jetoj me babanë, por tani nuk jam më vetëm. Kam gjithë shqiptarët në krah!”, thotë ai në fund.
Arti si formë e rezistencës
Çdo ditë në rrjetet sociale qarkullojnë postera me mesazhe të frymëzuara nga zhvillimet e ditës, që u bëjnë thirrje njerëzve t’i bashkohen protestës. Pas tyre qëndrojnë tri motra, Elsa, Natasha dhe Fatma Paja, të njohura artistikisht si TRIVET.
“Që në momentin kur morëm vesh se çfarë do të ndodhte në Nartë, duke qenë se e duam shumë natyrën dhe duam ta mbrojmë, u angazhuam menjëherë”, shpjegon Fatma Paja. “Qoftë me grafitet në rërë që realizuam në shkurt, qoftë me projekte të tjera, apo me posterat që tashmë krijojmë çdo ditë”.
Sipas Fatmës, flamingoja u kthye në simbol sepse përfaqëson nevojën për të mbrojtur shtëpinë tonë. “Sa shqiptarë janë kundër grabitjes së pasurisë publike, ndërtimeve luksoze pa leje, ndërkohë që na mungojnë kaq shumë shërbime bazë? Sa janë kundër korrupsionit? Narta ishte pika e kthesës që na bëri të kuptonim se nuk mund të shkojmë më tej kështu”, shprehet ajo.
Për Elsa Paja-n, një nga elementet më të bukura të protestës janë hapësirat krijuese të bulevardit, veçanërisht këndi i fëmijëve. “Atje sheh edhe reflektime politike nga fëmijët: ‘Mos ma shitni vendin!’, ‘Dua natyrën, nuk dua beton!’”
Për motrat Paja, arti është politikë dhe një formë rezistence. “Arti përdoret për të shprehur një ndjenjë tjetër, për të krijuar një realitet të ri. Aq më tepër kur veprohet në mënyrë kolektive. Në atë moment arti bëhet edhe më politik. Në njëfarë mënyre, ne po përdorim artin, që është edhe pika e dobët e kryeministrit tonë. Ai e ka monopolizuar artin në Shqipëri, ndërsa sheshi po e çliron dhe po e nxjerr artin nga ky monopol”, thotë Elsa.
Për motrat Paja, kjo protestë ka sjellë edhe një ndërgjegjësim të ri, që bashkimi krijon forcë. “Çdo ditë jemi këtu, komunikojmë me njëri-tjetrin, punojmë së bashku dhe organizohemi. Kjo është një nga fitoret kryesore. Revolucioni mund të ketë sukses ose jo, por fitorja e vërtetë është fryma e revolucionit që po zgjohet te secili prej nesh”, përfn Elsa Paja.
“Djali i flamingos”
Inxhinieri i ndërtimit Petro Lleshi iu bashkua “Revolucionit të Flamingove” që në ditën e parë, pas një episodi dhune ndaj një qytetari protestues në kantierin e Zvërnecit, ku një roje private e goditi atë.
“Zvërneci përmblidhte gjithë të keqen, sepse përveç të gjitha abuzimeve që kemi vuajtur me rrugët, infrastrukturën dhe planifikimin urban, tani po pushtohej edhe e vetmja hapësirë që kishte mbetur ende në kontakt me natyrën”, tregon ai.
Ajo që e inkurajoi ishte prania në protestë e arkitektëve, avokatëve dhe ekonomistëve. “Atje kuptova se po merrte pjesë një klasë e mesme e lodhur, e zhgënjyer dhe që kishte arritur në pikën e fundit të durimit. Atëherë kuptova se kjo protestë do të dëgjohej”.
Shpejt Petro u bë i njohur për flamingon e madh të fryrë që e mbante lart mbi turmën. “Ditën e tretë mendova të bëja diçka ndryshe, t’i jepja një identitet kësaj proteste. Mendova për flamingon, pasi Vjosa-Narta është e vetmja zonë në Shqipëri ku ata çiftëzohen”
Flamingoja prej plastike, u shndërrua në një nga simbolet e protestës dhe të natyrës që kërcënohet nga betonizimi.
“S’dua të jem i huaj në vendin tim”
Ardesian Binjakaj, me origjinë nga Vlora, iu bashkua protestës që përpara se ajo të zhvendosej në Tiranë. Më 30 maj, ai ishte mes qytetarëve dhe aktivistëve mjedisorë në Zvërnec, përtej rrethimit të kantierit.
Më shumë se dy muaj më vonë, ai është bërë i njohur për idetë e reja dhe krijuese që sjell në protestë, në përballje me realitetin politik shqiptar. “Ideja për të sjellë diçka çdo ditë është një pasqyrim i të gjitha gabimeve dhe shkeljeve të atyre që janë në pushtet. Nuk është e vështirë të sjellësh çdo ditë diçka të re, sidomos kur ata që janë në pushtet bëjnë çdo ditë nga një të re”, thotë ai.
Për të, protesta është një detyrim qytetar. “Dal në shesh si i ri sepse nuk dua të jem i huaj në vendin tim. Ndihem shumë larg dhe i papërfaqësuar. Nuk dua që politikat pseudo-pluraliste të më detyrojnë mua apo shoqërinë time të largohemi nga Shqipëria”.
Flamingot fluturojnë drejt Kryeministrisë
Me rënien e mbrëmjes nis edhe një tjetër marshim, këtë herë në ekran. Fasada e Kryeministrisë shndërrohet në një hapësirë ku projektohen imazhe dhe mesazhe për mbrojtjen e natyrës.
Besjana Guri, aktiviste e mjedisit dhe drejtoreshë e Qendrës LUMI, sjell në shesh një videoprojektor. Pamjet tregojnë bukurinë e Vjosë-Nartës, dëmet e shkaktuara nga punimet dhe flamingot që fluturojnë nga laguna drejt Kryeministrisë. Nëpërmjet projektimeve kërkohet gjithashtu shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura.
“Mesazhet kryesore që përcjellin projektime, janë përmes një videoje mbi situatën në Vjosë-Nartë. Tregojmë bukurinë e Nartës, por edhe shkatërrimin që ka nisur me punimet. Flamingot fluturojnë nga Vjosa-Narta drejt Kryeministrisë dhe mbulojnë fasadën me mesazhin për mbrojtjen e Vjosë-Nartës dhe shfuqizimin e ligjit”, shpjegon Guri.
Herë pas here, këto projektime shndërrohen në performanca kolektive, të shoqëruara me muzikë dhe korale, mes tyre edhe thirrja tashmë e njohur: “Rama, jep dorëheqjen”. Për Gurin, një nga arritjet më të mëdha të protestës ka qenë thyerja e apatisë dhe krijimi i “një kulture të re opozitare ndaj gjithçkaje që njerëzit e këtij vendi nuk e pranojnë”.
Studentët dhe protesta si hapësirë krijuese
Një grup të rinjsh të mbledhur në shesh ka krijuar grupimin “Studentët në Protestë”, duke i shndërruar protestat në një hapësirë ku përmes veprimeve simbolike artikulohet shqetësimi për të ardhmen e brezit të tyre.
“Duam t’i tregojmë qeverisë se studentët janë energjia e këtij kombi dhe se nuk pranojmë që kjo klasë politike të vazhdojë të qëndrojë në pushtet. Unë e shoh të ardhmen time në Shqipëri dhe pikërisht për këtë arsye luftoj për një Shqipëri më
të mirë”, deklaroi Emir Leçini, ndërsa studentët shpalosnin një pankartë të Universitetit Politeknik me mbishkrimin: “Koha juaj ka mbaruar! Shqipëria nuk shitet!”.
Më pas, të veshur me kostumin tipik të diplomimit, ata marshuan drejt Kryeministrisë në një performancë të titulluar “Diplo(E)mi(gri)mi”, duke ironizuar shndërrimin e një diplome universitare shqiptare në një “pasaportë për emigrim”.
“Na duket se meritokracia dhe vlera e një diplome universitare në Shqipëri janë zhvlerësuar. Sot, diploma shërben më shumë si një pasaportë drejt rrugëve të Evropës sesa si një dokument që dëshmon aftësitë tona për tregun e punës”, tha Megi Brahimi, studente e vitit të dytë të Inxhinierisë Elektronike.
Në ditë të tjera, studentët kanë sjellë në protestë mesazhe nga pacientë të spitaleve, kanë vendosur në muret e Kryeministrisë pankarta me mbishkrimin “Kërkohen” dhe kanë përdorur lojëra e instalacione simbolike për të satirizuar politikën, korrupsionin dhe mënyrën se si shpërndahet pasuria publike.
Ritmi i rezistencës
Nëse flamingot i dhanë protestës një simbol, daullet dhe koralet i dhanë zërin.
Arnen Sula, aktivist dhe drejtues i “Tek Bunkeri”, tregon se grupi e përdori për herë të parë këtë formë proteste gjatë demonstratave të marsit 2023 kundër rritjes së çmimeve.
“Meqë i jep shumë energji protestës dhe i krijon një zë tjetër, menduam ta ruanim këtë mënyrë shprehjeje dhe ta vazhdonim edhe në këtë protestë”, shprehet ai.
Disa këngë përdorin ironinë për të komentuar zhvillimet politike.
“Edhe ironinë e kemi përdorur. Për shembull me këngën ‘Ra Faja prej fikut’, e cila është përdorur dikur edhe nga vetë ish-kryeministri. Ne e sollëm sërish për t’i folur me të njëjtën gjuhë me të cilën ai erdhi në pushtet”, thotë Sula.
Në fund të mbrëmjes, protesta mbyllet. Flamingot largohen, pankartat mblidhen, fëmijët marrin me vete vizatimet e tyre, daullet heshtin dhe flamujt palosen. Por të nesërmen, gjithçka nis përsëri.
Pas kaq shumë ditësh, “Revolucioni i Flamingove” nuk është më thjesht një protestë me një kërkesë të vetme apo një simbol të vetëm. Ai është shndërruar në një hapësirë ku njerëzit sjellin në shesh atë që dinë të bëjnë më mirë dhe atë në të cilën besojnë./Pamfleti nga “Balcani Caucaso”përtej flamingove historitë e njerëzve që protestojnë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike ‘I gjalli me të gjallin, i vdekuri me të vdekurin’! Pse Edi Rama është kufomë politike 24 Gusht 2026, 14:4214:42Politike Video/ Ilir Xhakolli, “ministri” pa portofol i Ramës; nga njëra tryezë në tjetrën në Pogradec 24 Gusht 2026, 14:0014:00Politike Mbyllet blloku i parë i “retreat”-it në Pogradec/ Raportojnë tre ministrat, Rama fokus te "Besa" e "Pasqyra" 24 Gusht 2026, 13:3813:38Politike Edhe Berisha fiksohet me “Like” e “Share”: Rrjetet sociale, dobësia e PD 24 Gusht 2026, 12:5412:54Politike “Nuk ka ‘Pasqyrë’ që e shpëton”, Berisha: Rama është i marrë fund, çdo natë sheh veten në qeli! 24 Gusht 2026, 12:3312:33Politike “Ta takoj e le të vdes”/ Pogradeci kthehet në “pelegrinazh” për Ramën, një tjetër i moshuar zë radhë për ta përqafuar 24 Gusht 2026, 12:2112:21Politike

