Silvio Gonzato, ambasadori i Bashkimit Europian, të cilit i ka përfunduar mandati disa javë më parë, ka bërë një reagim pas largimit të tij nga Shqipëria.
Në mesazhin e tij, të ndarë në rrjetet sociale nga Delegacioni i BE-së në Tiranë, thuhet se gjatë qëndrimit në vendin tonë ka takuar njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë.
Ai shprehet më tej se ka parë po ashtu energjinë dhe vendosmërinë që sipas tij e kanë bërë të besojë në të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Në fund të reagimit, Gonzato shkruan se një ditë kur të kthehet sërish në Shqipëri nuk do të ketë më nevojë të tregojë pasaportën.
Reagimi i plotë: Duket sikur ishte dje kur mbërrita në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe nisa aventurën time në Shqipëri. Tre vite më pas, zemra dhe shpirti im janë mbushur me kujtimet e takimeve me njerëz të jashtëzakonshëm.
Kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, duke takuar gjatë rrugës njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë. Kam parë vështirësitë dhe sfidat, por kam parë gjithashtu energjinë dhe vendosmërinë që më bëjnë të besoj në të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Së bashku me kolegët e mi fantastikë, kemi punuar fort për t’iu përgjigjur dëshirës së Shqipërisë “për të qenë si pjesa tjetër e Evropës”, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, në një vend me institucione të forta dhe të pavarura, ku të drejtat e më të cenueshmëve mbrohen e respektohen, ku askush nuk lihet pas dhe ku diversiteti mirëpritet dhe vlerësohet.
Të shtunën, kur u largova nga porti i Durrësit, i thashë vetes: “Do të kthehem.” Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri.
Deri atëherë — mirupafshim, Shqipëri. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

