I gjithë territori i vendit vijon të jetë i përshirë nga mot me reshje të dendura shiu dhe stuhi ere. Për pasojë, reshjet kanë sjellë probleme në disa qare të vendit. Në Kukës, banorët e dy fshatrave, Arrën dhe Surroj, kanë mbetur të bllokuar, për shkak të shembjes së një masivi shkëmbor, i cili ka bllokuar rrugën. Situata është denoncuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, Dega Kukës, Rrahman Demaj, i cili akuzoi bashkinë për neglizhencë. Në këtë qark, janë raportuar probleme edhe në disa akse të tjera rrugore, të cilat kanë prezencë gurësh dhe inertesh për shkak të reshjeve. Ndërkohë, fshatrat e të paktën 15 njësive administrative në Kukës, janë pa energji elektrike, për shkak të motit të keq.Lexo edhe:SYRI TV/ Cërrik, shegët mbeten në pemë, fermerët dalin me humbje Në Shkodër, për shkak të reshjeve dhe erës, janë shkulur disa pemë në qytet, ku fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Era ka lënë pa energji Malsinë e Madhe dhe Vaun e Dejës. Situata më problematike paraqitet në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku janë evidentuar dëmtime të çatisë së shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe të disa banesave, si dhe dëmtime në rrugët rurale nga prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative. Aksi Fushë-Arrëz–Bardhet, i bllokuar përkohësisht gjatë natës nga rrëzimi i një peme, është zhbllokuar pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake. Në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë evidentuar rënie gurësh dhe prurje inertesh, po vijohet me pastrimin e akseve. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, ndërsa aksi është i kalueshëm. Për shkak të motit të keq, edhe qyteti i Lezhës ka mbetur pa energji elektrike. Ndërprerjet e furnizimit kanë detyruar familjet dhe bizneset t'u drejtohen gjeneratorëve për të përballuar mungesën e energjisë. Një situatë që ngre pikëpyetje mbi gjendjen e rrjetit dhe investimet e kryera për përmirësimin e tij. Të paktën katër fshatra të njësisë administrative Trebinjë, në Pogradec, kanë mbetur pa energji elektrike pas reshjeve të shiut dhe erës së fortë gjatë natës. Ndërprerja ka prekur Çezmën e Madhe, Çezmën e Vogël, Hondishtin dhe Llëngën. Probleme me furnizimin ka edhe në njësinë administrative Velçan, ku era e fortë ka dëmtuar përcjellësit e rrjetit elektrik. Mes fshatrave pa energji janë Bishnica, Jolla, Velçani, Buzaishta dhe Shpella. Zona mbeti pa energji edhe rreth një javë më parë për më tepër se 48 orë, për shkak të kushteve të motit.

