Supermodelja holandeze Lara Stone ka ndarë me publikun një lajm të vështirë për shëndetin e saj. Modelja 42-vjeçare ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer në gji dhe se aktualisht po i nënshtrohet trajtimit.
Përmes një postimi në Instagram, ajo pranoi se diagnoza ishte një tronditje e madhe, por theksoi se ndihet mirënjohëse që sëmundja u zbulua në një fazë të hershme.
“U diagnostikova së fundmi me kancer në gji dhe po i nënshtrohem trajtimit. Padyshim, ishte një tronditje e madhe, por jam shumë mirënjohëse që u zbulua herët”, shkroi Stone.
Modelja, nënë e dy fëmijëve, zgjodhi ta bënte publike përvojën e saj në ditën e fundit të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit. Ajo shfrytëzoi rastin për t'u bërë thirrje grave që të mos neglizhojnë ndryshimet në trupin e tyre dhe t'u kushtojnë rëndësi kontrolleve shëndetësore.
“Ju lutem, mos i injoroni ndryshimet në trupin tuaj”, ishte mesazhi i saj.
Pas publikimit të lajmit, miq dhe personazhe të njohur kanë shprehur mbështetjen për modelen, ndërsa rrëfimi i saj ka rikthyer vëmendjen te rëndësia e diagnostikimit të hershëm.

