Një ambulancë është sulmuar me gurë gjatë protestës së sotme, ku sipas pamjeve, ka pësuar thyerje të xhamave, duke rrezikuar jetën e stafit që ndodhej brenda. Pas këtij akti, Kryeministria ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që të respektojnë punën e stafit mjekësor dhe të garantojnë kalimin e lirë të ambulancave. Njoftimi i plotë: Agjencia për Media dhe Informim u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe protestuesve të respektojnë punën e ekipeve të Urgjencës Mjekësore dhe të garantojnë kalimin e lirë të ambulancave! Ambulanca, stafi mjekësor janë aty në shërbim të jetës së çdo qytetari! Pengimi i saj nuk është protestë! Është një veprim që rrezikon jetën e njerëzve që presin ndihmë urgjente. Asnjë rrethanë, asnjë pretendim dhe asnjë tension nuk mund të justifikojë bllokimin e ambulancave apo cënimin e personelit mjekësor. Respektoni bluzat e bardha! Hapni rrugën për ambulancat! Jeta e njeriut është mbi gjithçka!
