Pas sulmit me thikë ndaj Denis Bajrit, në qelitë e burgut të Fier, prokuroria në kuadër të hetimit ka sekuestruar librat e hyrje-daljeve në institucionin e vuajtjes së dënimit. Në fokus të hetimeve janë takimet e Aldo Gjinit, Jurgen Zotos dhe Denis Bajrit. Të gjithë personat që kanë pasur takime me ta gjatë muajve të fundit pritet të pyeten për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes. Paralelisht, janë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë së burgut të Fierit, për të verifikuar lëvizjet e palëve, si dhe veprimet e zyrtarëve dhe efektivëve të planifikuar për garantimin e sigurisë në regjimin e brendshëm. Jurgen Zoto, në praninë e Aldo Gjinit, sulmoi Denis Bajrin me një thikë të improvizuar. Gjatë përleshjes, Bajri dhe Zoto morën dëmtime në trup dhe të dy u transportuan për ndihmë mjekësore në spital. Pas ngjarjes, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po analizon të gjitha elementet e sigurisë në burgun e Fierit. Ndërkohë, 8 efektivë të Policisë së Burgjeve janë pezulluar nga detyra dhe po hetohen për shpërdorim detyre.
Denis Bajri akuzon kundërshtarin e tij të përbetuar, të shumëkërkuarin Ibrahim Lici, se urdhëroi sulmin ndaj tij brenda qelisë së burgut të Fierit. Gjatë dëshmisë së dhënë para hetuesve Bajri, ka pretenduar se Jurgen Zoto e sulmoi me porosi të Licit, madje para se ta sulmonte i kishte dhënë një telefon për të folur me Ibrahim Licin. Ky i fundit, sipas Bajrit, e kishte kërcënuar me fjalët ”jeta jote kaq e pati”.
Denis Bajri, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë, akuzohet nga SPAK për vrasjen e Gjin Ndojit. Ndërsa Jurgen Zoto mbahet në burg për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje.
Pas kësaj ngjarje, për të tre protagonistët u vendos transferimi i tyre në burgje të tjera. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: SPAK
