Lajme Zone
Sulmi me dron rus në Kiev/ 37 persona humbin jetën, shpërthen depoja ushtarake e Ukrainës
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Sulmi me dron rus në Kiev/ 37 persona humbin jetën, shpërthen depoja ushtarake e Ukrainës

Të paktën 37 persona kanë humbur jetën pas një sulmi me dron rus ndaj një magazine pranë periferive perëndimore të Kievit, ku ruheshin materiale shpërthyese.

Të paktën 37 persona kanë humbur jetën pas një sulmi me dron rus ndaj një magazine pranë periferive perëndimore të Kievit, ku ruheshin materiale shpërthyese. Sulmi shkaktoi një zjarr të fuqishëm dhe një seri shpërthimesh në distriktin e Buchas, në rajonin e Kievit. Autoritetet ukrainase bëjnë me dije se 42 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe katër fëmijë.

Nga zona janë evakuuar më shumë se 370 persona, ndërsa operacioni i evakuimit vijonte edhe pas goditjes.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se objekti i goditur ndodhej në qytetin Myla dhe se pas goditjes fillestare pasoi një shpërthim i madh.

Sipas tij, bëhej fjalë për një depo të ushtrisë ukrainase, ku ruheshin predha, dronë dhe municione të tjera. Zelensky pranoi se municionet ishin vendosur në një zonë që nuk duhej të përdorej për këtë qëllim, pranë banesave.

“Municione nuk mund të ruhen pranë shtëpive apo zonave të tjera të banuara”, tha presidenti ukrainas, duke njoftuar gjithashtu nisjen e procedurave penale për neglizhencë zyrtare.

Mes personave që humbën jetën është edhe Taras Didych, kreu i komunitetit Dmytrivka, i cili sipas Zelenskyt u vra ndërsa po përpiqej të shpëtonte persona të tjerë.

Prokurorët ukrainas kanë nisur një hetim për të përcaktuar nëse ruajtja e materialeve dhe objekteve shpërthyese në atë zonë ishte në përputhje me rregullat.

Kryeministri ukrainas, Serhii Koretskyi, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të rëndë dhe kritikoi faktin që gabimet e mëparshme nuk ishin marrë si mësim.

Vetëm në korrik, një tjetër depo municionesh pranë Kievit, në Vyshneve, ishte përfshirë nga zjarri pas një sulmi, duke shkaktuar 22 viktima. Hetimet e asaj ngjarjeje kishin evidentuar shkelje serioze të rregullave për distancën mes objekteve ushtarake dhe zonave të banuara.

“Është neglizhencë kriminale të përsëriten të njëjtat gabime në vitin e pestë të pushtimit në shkallë të plotë”, deklaroi Koretskyi, duke kërkuar ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve.

Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi sulmin, por e paraqiti objektivin në mënyrë tjetër. Sipas Moskës, goditja kishte në shënjestër një magazinë në Myla ku ruheshin komponentë dhe përforcues lëshimi për dronë me rreze të gjatë.

Rusia tha gjithashtu se kishte goditur porte në Mykolaiv dhe Izmail, si dhe një qendër logjistike dhe ambiente magazinimi në rajonin e Kievit ku, sipas saj, ruheshin pjesë për raketat ukrainase “Flamingo”.

Ndërkohë, sulme të tjera ruse në rajonin jugor të Khersonit kanë shkaktuar dy viktima dhe 27 të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë, sipas autoriteteve lokale. Top Channel