Autori i sulmit me armë në qendër të Krakovit, në Poloni, ku humbën jetën gjashtë persona dhe u plagosën 16 të tjerë, kishte pikëpamje radikale ultranacionaliste dhe ishte i ndikuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë. Sipas The Guardian, ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, deklaroi se hetimet e deritanishme tregojnë se 25-vjeçari kishte pikëpamje të tilla, ndërsa motivi i sulmit mbetet ende nën hetim.
“Gjithçka tregon se autori ishte i ndikuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë, një çështje që gjithashtu do të jetë objekt hetimi”, deklaroi ministri.
Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, më 7 nëntor, në sheshin kryesor të Krakovit, një nga zonat më të frekuentuara turistike të qytetit. Autori hyri me automjet në shesh dhe hapi zjarr ndaj qytetarëve.
Nga të shtënat humbën jetën katër gra dhe dy burra, mes tyre edhe një shtetas britanik. Gjithashtu, 16 persona u plagosën, përfshirë pesë shtetas të huaj dhe dy efektivë policie, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Policia ndërhyri dhe shkëmbeu zjarr me autorin, i cili mbeti i plagosur dhe u transportua në spital.
Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se në banesën e të dyshuarit u gjetën trupat e pajetë të tre personave, dy grave dhe një burri, të cilët dyshohet se ishin pjesëtarë të familjes së tij.
Autoritetet po hetojnë lidhjen e këtyre vdekjeve me sulmin në Krakov, ndërsa në automjetin e autorit janë gjetur armë dhe një sasi e konsiderueshme municioni.
Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, e cilësoi ngjarjen një akt terrori.
Pas sulmit, autoritetet polake shpallën dy ditë zie kombëtare, të dielën dhe të hënën, në nderim të viktimave. 22:45
Tragjedi në Poloni/ Pesë të vrarë dhe rreth 10 të plagosur nga të shtënat me armë në sheshin e Krakovës, policia qëllon autorin
Bota Top Channel

