Një sulm kibernetik në shkallë të gjerë ndaj sistemeve të informacionit të Komisionit Europian ka vijuar prej rreth një muaji, ndërsa dyshimet për autorët bien mbi një grup hakerash të lidhur me Kinën. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të sigurisë, sulmi ende nuk është neutralizuar plotësisht, ndërsa tashmë është konfirmuar rrjedhja e emrave dhe adresave të email-it të përdoruesve.
Sipas ekspertëve dhe burimeve të njohura me çështjen, grupi i dyshuar identifikohet brenda institucioneve europiane me emrin e koduar “Panda”.
Shkelja e sigurisë u zbulua më 22 tetor, kur departamenti i teknologjisë së informacionit i Komisionit Europian konstatoi praninë e një aktori keqdashës në rrjetet e brendshme. Për shkak të seriozitetit të incidentit, të shtunën u çaktivizua aksesi publik në platformën e Akademisë së BE-së, e cila ofron trajnime profesionale dhe programe të specializuara mësimore.
Komisioni ka konfirmuar se gjatë sulmit janë ekspozuar emra dhe adresa email-i, ndërsa përdoruesit janë paralajmëruar për rrezikun e keqpërdorimit të këtyre të dhënave, përfshirë sulme të mundshme phishing, përmes të cilave hakerat mund të përpiqen të marrin informacione të tjera personale.
Për momentin, ekspertët e sigurisë kibernetike të BE-së nuk kanë konfirmuar vjedhjen e të dhënave që përfshijnë stafin e Komisionit nga sistemet e tjera. Megjithatë, disa aplikacione të brendshme janë hequr përkohësisht nga përdorimi si masë parandaluese, ndërsa të tjera vijojnë të jenë të padisponueshme.
Dyshimet për lidhje me shërbimet kineze
Sipas vlerësimeve paraprake, sulmuesit nuk kanë shënjestruar individë apo sisteme të caktuara, por kanë tentuar të testojnë se deri në çfarë niveli mund të depërtonin në rrjetet informatike të Komisionit Europian.
Dyshimet për lidhjen me Kinën bazohen te sofistikimi i sulmit dhe përdorimi i një mjeti të quajtur ARTEX, i cili është zhvilluar në Kinë dhe shfrytëzon inteligjencën artificiale për të identifikuar dobësitë në sistemet kompjuterike që mund të shfrytëzohen më pas nga hakerat.
Gjigantët e sigurisë kibernetike Microsoft dhe CrowdStrike kanë lidhur sulme të kryera përmes ARTEX me grupet Storm-0940 dhe Panda Vapor, të cilat dyshohet se kanë lidhje me Kinën dhe përdorin inteligjencën artificiale në fushata ndërkombëtare spiunazhi, duke synuar qindra organizata në mbarë botën.
Komisioni Europian, objektiv i sulmeve të përsëritura
Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji që prek institucionin europian gjatë këtij viti. Komisioni ka raportuar edhe dy sulme të tjera kibernetike, një ndaj infrastrukturës cloud ku hostohet faqja zyrtare Europa.eu dhe një tjetër ndaj infrastrukturës së tij të komunikimit përmes pajisjeve celulare, në muajin janar.
Të dyja rastet dyshohet se kanë origjinë nga mjedisi i kërcënimeve kibernetike në Kinë, por nuk janë atribuar zyrtarisht dhe besohet se janë kryer nga grupe të ndryshme.
Nga ana tjetër, qeveria kineze ka mohuar vazhdimisht akuzat për financimin, drejtimin apo mbështetjen e grupeve të hakerave që dyshohet se kryejnë sulme ndaj qeverive dhe institucioneve të huaja.
Incidenti ka shkaktuar gjithashtu pakënaqësi brenda administratës europiane. Sindikata kryesore e punonjësve të Komisionit ka kritikuar mënyrën se si është menaxhuar situata, veçanërisht faktin që nëpunësit civilë mësuan për sulmin përmes mediave.
Një zyrtar i Komisionit e ka kundërshtuar këtë kritikë, duke argumentuar se publikimi i informacionit gjatë një incidenti të tillë mund t’i sinjalizojë sulmuesit se janë duke u marrë masa kundër tyre.
Sipas burimeve, ruajtja e konfidencialitetit synon gjithashtu të shmangë përhapjen e panikut, i cili mund të vështirësojë punën e ekspertëve që po përpiqen të kufizojnë pasojat e sulmit. Top Channel

