Sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë marrë në shënjestër edhe sektorin e botimeve dhe trashëgiminë kulturore të vendit, duke shkaktuar shkatërrimin e rreth 12 milionë librave, ndërsa dhjetëra shtypshkronja dhe shtëpi botuese janë dëmtuar. Një nga goditjet e fundit ka prekur një shtypshkronjë në periferi të Kievit, e cila ishte në përgatitje për vitin e ri shkollor. Fabrika po punonte për prodhimin e rreth 1.3 milionë librave, ose afërsisht 10% të teksteve shkollore që do të përdoroheshin në Ukrainë. Pas sulmit, ndërtesa është kthyer në rrënoja. Mes mbetjeve është gjetur edhe një faqe e djegur nga një libër shkollor në gjuhën angleze. Viktoria Haidai, drejtoreshë komerciale e kompanisë botuese Konvi, beson se goditjet ndaj industrisë së librit nuk janë rastësore. “Rusët po shkatërrojnë gjithashtu shtypshkronja në një përpjekje për të fshirë Ukrainën si komb. Por sinqerisht, ata nuk do të kenë sukses”, u shpreh ajo. Mbi 35 ndërtesa botuese të goditura
Sipas raportimeve, më shumë se 35 ndërtesa të industrisë botuese janë goditur gjatë javëve të fundit. Sulmet nuk janë kufizuar vetëm te fabrikat e prodhimit, por kanë prekur edhe magazinat ku ruheshin miliona libra.
Edhe tregu i librave të përdorur në Pochaina të Kievit është goditur, duke shkatërruar qindra tezga dhe një numër të madh librash të rrallë.
Blogerja 28-vjeçare e librave, Liliya Velyka, u pa duke kërkuar mes rrënojave pas sulmit, duke tentuar të shpëtonte ndonjë libër. Ajo arriti të gjente një roman fantastiko-shkencor të lagur.
“Librat po na shpëtojnë dhe humbja e kësaj është si humbja e zemrave tona”, tha ajo.
Në shënjestër edhe trashëgimia kulturore
Përveç librave, lufta ka dëmtuar muze, galeri arti, studio filmike, biblioteka dhe teatro.
Një prej objekteve më të rëndësishme të goditura është Lavrën Kiev-Pechersk, kompleks historik dhe fetar në Kiev, i cili përfshin edhe Katedralen e Fjetjes së Shenjtë.
Pas një sulmi me dron, një pjesë e çatisë së katedrales u përfshi nga flakët. Artefaktet fetare u zhvendosën në një vend të sigurt, ndërsa dëmet vlerësohen në miliona dollarë dhe riparimet pritet të zgjasin rreth dy vjet.
Kompleksi është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe është përfshirë në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik.
UNESCO ka dënuar sulmet ndaj pasurive kulturore të mbrojtura nga ligji ndërkombëtar.
Ukraina: Po sulmohet identiteti kombëtar
Ministrja ukrainase e Kulturës, Tetyana Berezhna, e lidh drejtpërdrejt mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me luftën për mbijetesën kombëtare.
Sipas saj, Rusia synon të dëmtojë simbolet që lidhen me historinë, kulturën dhe identitetin ukrainas.
Autoritetet ukrainase thonë se mbi 1,900 objekte të trashëgimisë kulturore dhe më shumë se 2,000 institucione kulturore janë prekur nga lufta.
Për të ruajtur materialet kulturore dhe arsimore, Ukraina po përdor gjithnjë e më shumë dixhitalizimin, me synimin që librat, dokumentet dhe veprat artistike të mos humbasin përgjithmonë dhe që fëmijët të mund të vazhdojnë të mësojnë edhe në kushtet e luftës.
Ndërkohë, sektori botues ukrainas po përballet me një kërcënim serioz për mbijetesën dhe po kërkon mbështetje ndërkombëtare.
Në shtypshkronjën e shkatërruar në Kiev, Haidai e përmblodhi rëndësinë e kësaj industrie me një fjali: “Fjala është gjithçka. Është zhvillimi ynë, kultura jonë dhe trashëgimia jonë historike që kalohet brez pas brezi.”
Rusia ka mohuar vazhdimisht se synon qëllimisht objektiva civile në Ukrainë, ndërsa autoritetet ukrainase dhe organizatat ndërkombëtare kanë dokumentuar dëme të shumta ndaj infrastrukturës civile dhe objekteve kulturore gjatë luftës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

