Studentët rikthehen këtë të shtunë në protestë, me një strategji të re organizimi pas më shumë se 150 ditësh qëndrese. Tubimi i radhës është paralajmëruar për orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ndërsa lëvizja studentore ka vendosur të intensifikojë aksionin, duke organizuar tashmë dy protesta kombëtare në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë.
Sipas organizatorëve, ky vendim synon të mbajë gjallë mobilizimin dhe të rrisë presionin ndaj qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre.
Në qendër të protestës vijon të jetë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilën studentët e konsiderojnë të panegociueshme. Ata deklarojnë se, pavarësisht muajve të protestave, nuk kanë marrë përgjigjen që presin nga qeveria dhe se janë të përgatitur për një betejë të gjatë.
Ndërkohë, bojkoti i procesit mësimor vijon, ndërsa në mbështetje të studentëve janë rreshtuar edhe pedagogë dhe qytetarë.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjet për dialog, por kjo ofertë nuk ka ndryshuar qëndrimin e protestuesve, të cilët këmbëngulin se largimi i tij nga detyra mbetet kërkesa kryesore.
Grupimi “Studentët n’protestë” ka bërë gjithashtu të ditur se do të mbështesë edhe protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, pavarësisht kohës dhe vendit ku organizohen.
Përmes tubimit të sotëm, studentët synojnë të vijojnë mobilizimin dhe t'i japin një tjetër drejtim lëvizjes së tyre, ndërsa mbetet për t'u parë pjesëmarrja dhe nëse protesta do të shoqërohet me marshime apo forma të tjera reagimi. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

