22 MINUTA ME PARE Gurë dhe përplasje te Rruga e Durrësit, policia vë në lëvizje autobotet e ujit Ndërhyn me ujë policia Situata është përshkallëzuar para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit dhe forcat e policisë janë përfshirë në përplasje të reja.
Pas incidenteve që kanë shoqëruar tubimin gjatë ditës, policia ka vënë në lëvizje automjetet ujëhedhëse, duke përdorur ujë për të shpërndarë turmën. Protestuesit janë përgjigjur me gurë në drejtim të efektivëve, duke shtuar tensionet.
Këto zhvillime vijnë pas përplasjeve të mëparshme mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, prania e të cilëve është kundërshtuar nga një pjesë e qytetarëve.
Protesta është shoqëruar me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, ndërsa pjesëmarrësit që kundërshtojnë përfshirjen e partive politike kanë këmbëngulur në ruajtjen e karakterit qytetar të tubimit. 29 MINUTA ME PARE Tensione te Ministria e Arsimit, protestuesit sulmojnë efektivët dhe u vënë flakën koshave të mbeturinave Protesta përpara Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me momente tensioni, teksa disa protestues u kanë vënë flakën dy koshave të mbeturinave pranë vendit ku po zhvillohet tubimi.
Situata është përshkallëzuar më tej pas hedhjes së gurëve në drejtim të forcave të rendit, të cilat kanë reaguar duke përdorur spraj lotsjellës ndaj protestuesve.
Ndërkohë, policia është vendosur në gatishmëri, ndërsa në zonën përpara Ministrisë së Arsimit vijojnë tensionet dhe provokimet mes pjesëmarrësve në tubim dhe efektivëve, teksa disa protestues vijojnë të hedhin gurë. Forcat e policisë janë tërhequr nga pozicionet e tyre, duke u vendosur pas autobotëve me ujë.
Incidentet janë regjistruar gjatë protestës së studentëve, të cilët kanë paralajmëruar se do të vijojnë tubimet çdo të mërkurë dhe të shtunë, deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa deri tani nuk ka informacion të konfirmuar për persona të lënduar apo të shoqëruar nga policia. 33 MINUTA ME PARE “Protestat nuk maten me numra”, Mehdi Malkaj nga sheshi: Populli ngriti kokën kundër sistemit! Aktori i njohur Mehdi Malkaj ka qenë i pranishëm në protestën kombëtare të zhvilluar përpara Ministrisë së Arsimit, ku në një prononcim për News24 ka komentuar pjesëmarrjen qytetare dhe rëndësinë e vijimit të tubimeve.
Malkaj u shpreh se protestat nuk duhen vlerësuar nga numri i personave që dalin në shesh, por nga cilësia e pjesëmarrjes dhe gatishmëria e qytetarëve për të ngritur zërin kundër pushtetit.
“Protestat nuk maten me numra, por me cilësi. Sa cilësi ka populli shqiptar, që për herë të parë ngriti kokën kundër udhëheqjes. Nëse ne do të bëjmë dashuri me ‘1-shin’, do të kemi këto probleme. Kam 25 vite që protestoj dhe kam thënë çfarë më ka dashur qejfi”, deklaroi aktori për "News24".
Kujtojmë se Mehdi Malkaj ka qenë i pranishëm edhe në protestat e mëparshme, të zhvilluara çdo mbrëmje përpara Kryeministrisë, duke iu bashkuar qytetarëve që kanë dalë në shesh për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Aktori, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj pushtetit, ka marrë pjesë në tubime të ndryshme ndër vite, ndërsa edhe këtë herë ka vënë theksin te rëndësia e reagimit qytetar.
Ndërkohë, studentët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protesta dhe kanë njoftuar se tubimet do të zhvillohen çdo të mërkurë dhe të shtunë. Sipas tyre, protestat masive do të vijojnë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për mobilizim më të gjerë qytetar, duke theksuar se synojnë ta vazhdojnë lëvizjen e tyre përmes protestave të organizuara përpara institucioneve shtetërore. 42 MINUTA ME PARE Vijojnë incidentet: Berisha, shpëtimtari i padëshiruar i Ramës Momente nga përplasjet në protestë Përplasjet mes militantëve të PD-së dhe protestuesve vijojnë, ndërsa qytetarët refuzojnë përfshirjen e Berishës në revoltën e tyre. Me moton “Rama në burg, Berisha në burg”, ata kundërshtojnë të dy liderët politikë, por këmbëngulja e PD-së për t’u bërë pjesë e protestës po i jep Ramës argumente të reja për narrativën që përsërit prej javësh, se pas organizimit qëndron Berisha. Incidentet vijojnë të shoqërojnë protestën qytetare, ndërsa përpjekjet e Partisë Demokratike për t'u përfshirë në të po shkaktojnë tensione të reja. Së fundmi, është raportuar një tjetër përplasje mes një militanteje të PD-së dhe disa protestuesve, të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë praninë e mbështetësve të Sali Berishës.
Ajo që nisi si një protestë qytetare kundër qeverisjes dhe klasës politike po përballet gjithnjë e më shumë me përpjekjet e opozitës për t'u bërë pjesë e saj. Pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm nga protestuesit, demokratët vijojnë të shfaqen në tubim, duke nxitur debate dhe përplasje që zhvendosin vëmendjen nga mesazhi fillestar i protestës.
“Rama në burg, Berisha në burg” është thirrja që shpreh kundërshtimin e protestuesve ndaj të dy drejtuesve politikë. Qytetarët nuk kërkojnë thjesht zëvendësimin e Edi Ramës me Sali Berishën, por shprehin pakënaqësi ndaj një klase politike që, sipas tyre, ka dominuar vendin për dekada.
Pikërisht kjo e bën problematike përfshirjen e Partisë Demokratike. Ndërsa protestuesit kërkojnë distancim nga partitë, Berisha synon ta lidhë revoltën me aksionin e opozitës. Kjo përpjekje rrezikon të cenojë besueshmërinë e një lëvizjeje që mbështetjen e kërkon pikërisht te pavarësia nga politika tradicionale.
Në këtë situatë, përfitues politik mund të rezultojë vetë Edi Rama. Sa më shumë që protesta të identifikohet me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën, aq më e lehtë bëhet për mazhorancën ta paraqesë atë si një tjetër përpjekje të opozitës për të ardhur në pushtet, në vend që t'u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve.
Për më tepër, incidentet e përsëritura mes protestuesve dhe militantëve demokratë rrezikojnë të krijojnë përshtypjen e një lëvizjeje të përçarë, duke dobësuar mesazhin e saj publik. Në vend që vëmendja të përqendrohet te arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në rrugë, debati zhvendoset te përplasjet dhe roli i Berishës.
Kjo nxjerr në pah edhe një paradoks politik. Sali Berisha kërkon të mbështesë një protestë që, përmes thirrjeve të saj, kundërshton edhe vetë atë. Ndërkohë, përpjekja për ta afruar protestën me PD-në i jep Ramës pikërisht argumentin që i nevojitet për ta trajtuar pakënaqësinë qytetare si një konflikt të zakonshëm mes dy kampeve politike.
Nëse synimi është krijimi i një lëvizjeje më të gjerë kundër qeverisjes së Ramës, përfshirja e një figure po aq të kundërshtuar nga protestuesit mund të kthehet në pengesë për zgjerimin e saj. Qytetarë që kundërshtojnë qeverinë, por nuk identifikohen me Berishën, mund të mos e shohin më protestën si hapësirën e tyre të përfaqësimit.
Kjo është edhe dilema që po shoqëron protestën: a do të arrijë ajo të ruajë karakterin qytetar, apo do të përfshihet në përplasjen e zakonshme mes Ramës dhe Berishës?
Për momentin, mesazhi i protestuesve që refuzojnë praninë e PD-së mbetet i qartë. Ata nuk duan që revolta e tyre të kthehet në instrument të asnjërës palë politike. Ndërsa incidentet vijojnë, rreziku është që përpjekja për të marrë drejtimin e protestës të dobësojë vetë presionin qytetar ndaj qeverisë. 58 MINUTA ME PARE “Është thyer frika, nuk tërhiqemi!”, studentët të vendosur deri në fund për rrëzimin e Ramës Studentët vijojnë protestën e tyre përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa tubimi ka nisur në orën 14:00. Pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë, ndërsa kanë denoncuar atë që e cilësojnë si dhunë joproporcionale të policisë ndaj protestuesve.
Një e re, e cila ka marrë pjesë në protestë që prej ditës së parë, në një prononcim për "News24", deklaroi se pavarësisht vështirësive dhe largimit të disa pjesëmarrësve, protesta do të vijojë.
“Kam qenë në protestë që nga dita e parë. Protesta ka pasur ulje dhe ngritje, por rëndësi ka që populli del. Është thyer frika. Ka pasur dhunë joproporcionale. Një pjesë e protestuesve janë tërhequr pas kërcënimeve, por një pjesë tjetër do të vijojë të protestojë”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, një tjetër protestuese ka shpërthyer në akuza ndaj Policisë së Shtetit, duke e cilësuar të papranueshme mënyrën se si, sipas saj, uniformat blu kanë vepruar ndaj qytetarëve.
“Nuk e do askush këtë regjim, të çohen të gjithë në këmbë! Policia ka vepruar në mënyrën më të poshtër, më është shpifur policia. Unë kam vajzën që e ka zgjedhur shkollën e Policisë dhe e urrej. Çdo ditë i them: ‘Mami, tërhiqu!’. Me këto që po bëjnë, i them: ‘Tërhiqu dhe mos e vazhdo, digje këtë vit dhe mendo për diçka tjetër’”, u shpreh protestuesja.
Ajo tregoi se vajza e saj e kishte dëgjuar këshillën për të mos vijuar shkollimin në Policinë e Shtetit, ndërsa shprehu shqetësimin për dhunën që është ushtruar ndaj të miturve dhe të moshuarve.
“Vetëm atë uniformë mos ta shoh! Ma ka dëgjuar fjalën. Ka një urrejtje për uniformën. Janë si kriminelë, gjuajnë 12-vjeçarët, të moshuarit. Thirrje për të gjithë prindërit që t'i mbështesin fëmijët e tyre, të dalin derisa të largohet ai krimineli që është në karrige, se për atë po vuajnë të gjithë fëmijët tanë, e ardhmja”, deklaroi ajo.
Një i ri deklaroi se pavarësisht se ka një pagë të mirë, ka vendosur të dalë në shesh për të ardhmen e brezit të ri. Ai theksoi se çmimet e larta të apartamenteve dhe pasiguria për të ardhmen po ndikojnë te dëshira e të rinjve për të krijuar familje.
“Unë kam një rrogë të mirë, por kam dalë në protestë. Njerëzit duhet të mendojnë më shumë se rroga, të mendojnë për të ardhmen e brezit të ri, të fëmijëve të tyre. Çmimet e apartamenteve janë të larta. S’më duket e drejtë të mos dal dhe të protestoj, sepse bëhet fjalë për të ardhmen.
Ky shtet na ka hequr dëshirën që të bëhemi prindër. Do të dal në protestë deri sa të kem jetë, por do të iki jashtë nëse nuk e fitojmë këtë betejën e fundit. Më kanë bërë krenar ata që kanë dalë në protestë, më kanë bërë krenar adoleshentët. Kam pritshmëri të mira se këtë herë mund t’ia dalim”, u shpreh studenti.
Ndërkohë, një tjetër i ri e cilësoi protestën si një moment të rëndësishëm mobilizimi, duke theksuar se luhatjet në numrin e pjesëmarrësve nuk do të ndikojnë në vijimin e tubimeve.
“Protesta është e fortë. Ky është moment mobilizimi. Nuk është problem nëse disa ditë janë me pjesëmarrje të madhe dhe disa më të ulët. Nuk po çuditemi, kanë disa muaj që nuk na dëgjon qeveria, por s’ka problem. Ne nuk tërhiqemi”, deklaroi protestuesi.
Protesta studentore po zhvillohet në një kohë kur edhe Partia Demokratike ka thirrur mbështetësit e saj në një tubim përpara Kryeministrisë, i cili nisi në orën 12:00, në mbështetje të kauzës së studentëve.
Gjatë protestës së thirrur nga PD-ja është regjistruar edhe një përplasje mes mbështetësve të kësaj force politike dhe një protestuesi, i cili ka thirrur: “Rama në burg, Berisha në burg!”.
Ndërkohë, studentët vijojnë të qëndrojnë përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar mbështetje më të gjerë qytetare dhe duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protesta. 1 ORE ME PARE Tensione mes protestuesve të PD-së te Ministria e Arsimit: Berisha, mos më leh si qeni pas gardhit! Tensionet mes protestuesve të thirrur nga studentët dhe mbështetësve të Partisë Demokratike janë përshkallëzuar pranë Ministrisë së Arsimit, ku demokratët mbërritën pas marshimit nga Kryeministria.
Prania e përfaqësuesve të PD-së në tubimin e të rinjve është kundërshtuar nga disa protestues, të cilët nuk kanë pranuar që protesta studentore të kthehet në një aktivitet të opozitës.
Debatet janë shoqëruar me replika të ashpra, ku në qendër të diskutimit ka qenë edhe roli i Sali Berishës në protestën e studentëve.
Gjatë një prej përplasjeve verbale, një protestues ka pyetur një prej pjesëmarrëseve se çfarë funksioni kishte Berisha në këtë tubim.
Ajo është përgjigjur se prej 150 ditësh ndodhet në shesh dhe se ish-kryeministri i mbështet studentët, njësoj siç, sipas saj, edhe ajo i mbështet ata.
Por përgjigjja nuk e ka bindur bashkëbiseduesin, i cili ka vijuar ta pyesë se çfarë studenteje ishte, ndërsa protestuesja ka këmbëngulur se i mbështet të rinjtë si fëmijët e saj.
Në një tjetër moment, një protestues i është drejtuar drejtpërdrejt Berishës me tone të ashpra:
“Berisha, mos më leh si qeni pas gardhit! Edhe ti nuk del këtu. Por arsyeja pse nuk del është e qartë: populli dhe rinia nuk të duan, ndaj nxjerr veglat e tua për të prishur protestën.”
Debati: Protestuesi: Çfarë funksioni ka Sali Berisha?
Protestuesja: Kam 150 ditë në shesh. Ai na mbështet, ashtu siç i mbështesim ne studentët.
Protestuesi: Çfarë studenteje je ti?
Protestuaesja: Jam prej 150 ditësh këtu dhe i mbështes si fëmijën tim.
Një tjetër protestues:
“Berisha, mos më leh si qeni pas gardhit! Edhe ti nuk del këtu. Por arsyeja pse nuk del është e qartë: populli dhe rinia nuk të duan, ndaj nxjerr veglat e tua për të prishur protestën.” 1 ORE ME PARE Me flamurin kuqezi në duar, vogëlushi tërheq vëmendjen në protestën kombëtare të studentëve Me flamurin kuqezi në duar, vogëlushi tërheq vëmendjen në protestën kombëtare të studentëve Një pjesëmarrës i mitur në moshë ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës kombëtare të studentëve, që po zhvillohet përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Mes studentëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës që i janë bashkuar tubimit, është shfaqur edhe një vogëlush i veshur me motive kombëtare, me flamurin kuqezi në duar.
Siç shihet në pamjet e publikuara, i mituri qëndron mbi një monopat, ndërsa valëvit flamurin shqiptar mes turmës së protestuesve.
Prania e tij ka krijuar një moment të veçantë gjatë tubimit, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve në protestën e sotme studentore. 1 ORE ME PARE Përshkallëzohen tensionet, protestuesit përzënë një person nga tubimi: Është i infiltruar Protestuesit përzënë një person nga tubimi Tensione të forta janë regjistruar gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, ku disa protestues kanë tentuar të largojnë një person nga tubimi. Situata është përshkallëzuar deri në shtyrje fizike dhe dhunë.
Personi, i cili kundërshtonte largimin, deklaroi se nuk ishte pjesë e asnjë partie dhe se kishte dalë në mbështetje të të rinjve.
“Jam familje e të përndjekurve. Jam përkrahës i rinisë, nuk jam kundër tyre. Nuk do të largohem. I kuptoj. Nuk kam marrë asnjë lek. Nuk jam pjesë e asnjë partie. Kam votuar PD-në, por nuk jam me asnjë parti. Rama dhe Berisha në burg”, u shpreh ai, ndërsa disa protestues kërkonin largimin e tij nga tubimi. 1 ORE ME PARE Studentët mesazh deputetëve të PD me banderolë: Rama n’burg, Berisha n’burg! Studentët kanë refuzuar sërish përpjekjet e Partisë Demokratike për t'iu bashkuar protestës Studentët kanë refuzuar sërish përpjekjet e Partisë Demokratike për t'iu bashkuar protestës së tyre para Ministrisë së Arsimit, duke krijuar një kordon njerëzor për të penguar afrimin e përfaqësuesve dhe mbështetësve të opozitës.
Të rinjtë kanë dalë përballë demokratëve me një banderolë ku shkruhej “Rama n’burg, Berisha n’burg”, duke përcjellë një mesazh të qartë se pakënaqësia e tyre politike nuk kufizohet vetëm te qeveria, por përfshin edhe kreun e opozitës, Sali Berisha.
Me këtë veprim, studentët kanë kërkuar që protesta e tyre të mos kthehet në një aktivitet politik të Partisë Demokratike dhe të mos përdoret për interesat e saj partiake.
Përpjekja e demokratëve për t'u afruar me tubimin është shoqëruar me kundërshtimin e të rinjve, të cilët kanë vendosur të mbajnë distancë nga përfaqësuesit e PD-së.
Nuk është hera e parë që ndodh një përplasje e tillë. Edhe një javë më parë, studentët kishin kundërshtuar përfshirjen e demokratëve në protestën e tyre, duke shkaktuar debate mes dy palëve.
Mesazhi i kësaj radhe ishte edhe më i drejtpërdrejtë: studentët nuk duan që protesta e tyre të përvetësohet politikisht dhe, me banderolën e vendosur përballë deputetëve të PD-së, treguan se kundërshtimi i tyre ka më shumë se një adresë politike. 1 ORE ME PARE "Largohuni"/ Sherr fizik dhe gurë, njerëzit e Berishës përplasen me protestuesit para Ministrisë së Arsimit Njerëzit e Berishës përplasen me protestuesit Protesta para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike mes studentëve dhe përfaqësuesve të PD-së, të cilët iu bashkuan tubimit. Studentët u kanë kërkuar demokratëve të largohen, ndërsa situata ka degjeneruar në sherr fizik dhe hedhje gurësh. Tensione të forta dhe përplasje fizike janë regjistruar gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, ku studentët janë përplasur me përfaqësues të Partisë Demokratike dhe mbështetës të saj, të cilët iu bashkuan tubimit.
Situata është tensionuar pas mbërritjes së demokratëve në protestën e studentëve, të cilët prej disa javësh po zhvillojnë reagime për të përcjellë kërkesat e tyre pranë Ministrisë së Arsimit.
Studentët u kanë kërkuar përfaqësuesve të PD-së të largohen, ndërsa përplasjet mes palëve kanë degjeneruar në sherr fizik dhe hedhje gurësh.
Thirrjet "Largohuni!" janë dëgjuar gjatë përplasjes, ku situata ka dalë për disa momente jashtë kontrollit.
Ndërkohë protestuesit kanë hedhur pretendimet se ka njerëz të infiltruar në protestë. 1 ORE ME PARE "Arresto Berishën”, studentët sfidojnë deputetët e PD-së në protestë, refuzojnë hijen e kryedemokratit Studentët përballen me deputetët e PD-së Momente tensioni janë regjistruar mesditën e sotme pranë Ministrisë së Arsimit, ku vijon protesta e studentëve kundër qeverisë.
Studentët kanë dalë me një mesazh të drejtpërdrejtë kundër Sali Berishës, duke kërkuar arrestimin e tij gjatë protestës së zhvilluar përpara Ministrisë së Arsimit.
Thirrja “Arresto Berishën” është drejtuar në sy të deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët janë përpjekur të bëhen pjesë e tubimit studentor, pavarësisht se më herët studentët kishin refuzuar përfshirjen e opozitës në protestën e tyre.
Mesazhi i studentëve vjen në një moment kur PD-ja po përpiqet të përfitojë politikisht nga pakënaqësia e tyre, duke tentuar ta lidhë protestën me aksionin opozitar kundër qeverisë.
Por thirrjet kundër Berishës tregojnë se jo të gjithë ata që dalin në rrugë kundër qeverisë janë automatikisht në krah të Partisë Demokratike. Studentët kanë zgjedhur të artikulojnë edhe qëndrimin e tyre ndaj drejtimit të opozitës.
Pas protestës para Kryeministrisë, ku pati edhe përplasje fizike ndaj një qytetari që thirri “Berisha në burg”, demokratët u drejtuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku ishte paralajmëruar grumbullimi i studentëve.
Për PD-në, përpjekja për t'u bashkuar me protestën studentore duket se nuk po kalon pa kundërshti. Në vend të një mbështetjeje automatike për opozitën, deputetët po përballen me thirrje që vënë në qendër edhe përgjegjësinë politike të Sali Berishës. 1 ORE ME PARE Nis me tensione protesta e studentëve te Ministria e Arsimit, shoqërohen dy protestues Foto nga protesta Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit ka nisur me tensione, ndërsa në zonë ka ndërhyrë policia, e cila ka kryer shoqërimet e para. Forcat e rendit kanë krijuar gjithashtu një kordon sigurie për të kontrolluar situatën dhe për të menaxhuar lëvizjet e protestuesve. Ka nisur me tensione protesta e studentëve te Ministria e Arsimit. Policia ka ndërhyrë duke bërë shoqërimet e para. Ndërkohë policia ka ngritur kordon siguria.
Protestës po i bashkohen edhe përfaqësues të Partisë Demokratike dhe mbështetës të saj.
Studentët janë mbledhur sot në protestën e radhës para Ministrisë së Arsimit për të përcjellë kërkesat dhe qëndrimet e tyre, të cilat vijojnë prej disa javësh. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Auron Tare: Kush po e merr Butrintin? Prapaskenat e Ramës, resortet dhe pazaret me bregdetin 4 Nëntor 2026, 19:2719:27LIVE UPDATES Cunami blu zhduk MAGA-n; demokratët rrëzojnë Trumpin në Kongres e Senat 4 Nëntor 2026, 08:1808:18LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Amerika voton, Trump përballë provës së madhe 3 Nëntor 2026, 22:2122:21LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Revolta e studentëve, nga djegia e kazanëve te përplasjet me militantët e Berishës 31 Tetor 2026, 14:2514:25LIVE UPDATES "Të Pashoq"/ Prisni, Amerika nuk ka folur! 28 Tetor 2026, 19:2819:28LIVE UPDATES Minutë pas minute/ 3 orë protestë, nisin tensionet para Kryeministrisë 25 Tetor 2026, 17:0917:09LIVE UPDATES

