emokratët përzënë me shpulla protestuesin nga tubimi A është dhuna e papranueshme vetëm kur ushtrohet nga policia, ndërsa kur një qytetar kritikon Sali Berishën, ajo tolerohet? A është liria e fjalës një e drejtë universale apo një privilegj që u rezervohet vetëm atyre që brohorasin emrin e liderit? Një protestues, dy emra politikanësh dhe disa shpulla. Kaq mjaftoi që protesta e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë të prodhonte incidentin e parë, jo për shkak të ndonjë përplasjeje me policinë, por mes vetë pjesëmarrësve në tubim.
Një qytetar që mori pjesë në tubimin e PD guxoi të artikulonte një kërkesë që nuk përputhej plotësisht me thirrjet e militantëve demokratë. Ai brohoriti “Rama n’burg, Berisha n’burg”, duke kërkuar të njëjtën drejtësi politike për kryeministrin dhe liderin e opozitës.
Por thirrja e tij nuk u prit me debat, argumente apo kundërshtim politik. Disa prej protestuesve demokratë iu përgjigjën me fyerje dhe shpulla, duke e larguar nga tubimi.
Dhe këtu nis ironia e madhe politike. Të njëjtët demokratë që denoncojnë dhunën e policisë ndaj qytetarëve dhe kërkojnë respektimin e të drejtës së protestës, u përballën me një incident dhune brenda tubimit të tyre, këtë herë jo nga uniformat blu, por nga vetë militantët.
Atëherë, cilat janë parimet që mbrohen? A është dhuna e papranueshme vetëm kur ushtrohet nga policia, ndërsa kur një qytetar kritikon Sali Berishën, ajo tolerohet? A është liria e fjalës një e drejtë universale apo një privilegj që u rezervohet vetëm atyre që brohorasin emrin e liderit?
Në një shoqëri demokratike, e drejta për të protestuar nuk mund të kushtëzohet nga besnikëria ndaj një partie. Një qytetar duhet të ketë të drejtën të kërkojë largimin e Ramës, të Berishës apo të të dyve, pa u përballur me dhunë fizike.
Studentët që kërkojnë ndryshim nuk kanë pse të zgjedhin mes dy figurave politike për të fituar të drejtën e protestës. Ata duhet të kenë lirinë të kundërshtojnë Ramën, Berishën apo cilindo politikan tjetër, pa u përballur me presion dhe dhunë.
Ndërkohë, PD-ja e konsideroi si një provokator të qeverisë.
“Një provokator i qeverisë, që e sjell policia. Xhepistë të vegjël që i marrin nëpër komisariate, i sjellin për të sharë qytetarët që vijnë në protestë. Këto janë provokime. Polici kriminale që dhunon studentët dhe sjell këtë lloj llumi dhe zhuli për të sharë me fjalë të ndyra dy zonja. Qytetarët bëjnë shumë mirë që reagojnë kur shahen zonja dhe të rinj e të reja”, tha Balliu për sherrin.
Partia Demokratike e ka vendosur luftën kundër dhunës shtetërore në qendër të retorikës së saj politike. Por një parim demokratik nuk mund të ndryshojë në varësi të autorit të dhunës apo emrit të politikanit që kritikohet. Nëse goditja e një protestuesi nga policia është e dënueshme, po aq e dënueshme është edhe goditja e tij nga një militant politik.
Ky incident merr një kuptim edhe më shqetësues në kontekstin e protestave të studentëve, të cilët kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshim, përgjegjësi dhe një politikë që të mos mbetet peng i figurave të vjetra.
Studentët nuk mund të trajtohen si pronë politike e asnjë partie. Pakënaqësia e tyre nuk është një çek i bardhë për opozitën dhe as një detyrim për të pranuar Berishën si alternativën e vetme ndaj Ramës.
Pikërisht këtu qëndron rreziku i militantizmit partiak: kur një lëvizje që duhet të mbështetet te liria e mendimit përballet me përpjekje për të imponuar një mendim të vetëm, kauza qytetare rrezikon të zëvendësohet nga besnikëria ndaj liderit.
Nëse protestat synojnë të ndryshojnë mënyrën se si ushtrohet pushteti, ndryshimi duhet të fillojë edhe nga mënyra se si trajtohet kundërshtari. Përndryshe, rreziku është që të ndryshojnë vetëm emrat në krye, ndërsa kultura e intolerancës të mbetet e njëjtë.
Dhe ky mund të jetë mallkimi më i madh për protestën e studentëve: jo mungesa e zërit të tyre, por përpjekja e politikës për ta mbuluar atë me zhurmën e militantizmit. protesta e pd 7782883c 921e 4737 abc3 edec5497e2c5 screenshot 2026 11 07 135151 1920x1080 1 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Adriatik Llalla thyen heshtjen për “non grata”-n e SHBA: Pas vendimit janë përplasjet me ambasadorin Lu 7 Nëntor 2026, 13:3513:35Aktualitet Pak para protestës, bllokohen akset drejt Ministrisë së Arsimit 7 Nëntor 2026, 12:4612:46Aktualitet Helmimi i fëmijëve në kopshitin nr. 10 në Vlorë, reagon Ministria e Shëndetësisë 7 Nëntor 2026, 12:3912:39Aktualitet Zgjedhjet për kreun e PD-së në Fier, pesë kandidatë në garë 7 Nëntor 2026, 12:3412:34Aktualitet Instituti i Ndërtimit ngre alarmin për pallatin e dëmtuar në Elbasan: Rrezik shembjeje, ndalohet hyrja në godinë 7 Nëntor 2026, 12:1912:19Aktualitet Përkeqësohet gjendja e Veliajt, mund t’i nënshtrohet një operacioni në këmbë 7 Nëntor 2026, 12:0812:08Aktualitet

