Qeveria duket se ka vendosur të mos ia lërë më komunikimin publik rastësisë, madje as algoritmit. Kryeministri Edi Rama i ka besuar këshillimin për çështjet e medias Vlerë Gjakovës, e prezantuar në profilin e saj në LinkedIn si “stratege e medias”, eksperte komunikimi dhe publiciste me 18 vite përvojë. Detyrën e ka marrë zyrtarisht rreth dy javë më parë, ndërsa ministrive u është kërkuar që këshilltarët e tyre të medias të takohen me të dhe t'i paraqesin strategjitë e komunikimit. Me pak fjalë, duket se komunikimi qeveritar po hyn në një fazë të re koordinimi, ku edhe ministritë do të duhet të flasin sipas një partiture të përbashkët.
Gjakova ka një të kaluar të angazhuar në politikë dhe media. Ajo ka lindur në Maqedoninë e Veriut, ka jetuar për një periudhë të gjatë në Kosovë dhe në vitin 2019 ka qenë kandidate për deputete me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit. Në karrierën e saj përfshihen angazhime në komunikim dhe marrëdhënie me publikun, përfshirë EVN Maqedoni, Komunën e Çairit, Coca-Cola Kosovë dhe BIRN, si dhe aktiviteti si publiciste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.
Vlerë Gjakova iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje më 24 gusht 2018, me prezantimin publik të Albin Kurtit, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kandidoi për deputete me numrin 21 në listën e kësaj force politike. Pas largimit nga LVV, në nëntor 2025 ajo doli publikisht me kritika ndaj Kurtit për menaxhimin e krizës politike në Kosovë. Ajo gjithashtu njihet dhe si kogelia e Bled Manes dhe Alfred Cakos.
Por pyetja që lind është, cila është strategjia e re e qeverisë për median dhe komunikimin publik? A do të kemi një komunikim më transparent me qytetarët, apo një mekanizëm më të koordinuar për të menaxhuar imazhin e qeverisë në rrjetet sociale? Mbetet për t'u parë nëse objektivi do të jetë informimi i publikut apo bindja e algoritmit se çdo lajm qeveritar meriton të bëhet viral. Sepse në epokën e komunikimit digjital, duket se nuk mjafton më të qeverisësh vendin; duhet të dish edhe si ta bësh algoritmin të të dojë.

