Mes rrugicave të vjetra të Krumës, aty ku dikur rrihte zemra e tregtisë dhe jeta qytetare e Hasit, gjurmët e së shkuarës refuzojnë të fshihen. Gurët e lashtë dhe muret e vjetra mbajnë ende jehonën e hapave të tregtarëve të dikurshëm. Sot, kjo lagje që mban emrin e madh "Pazari i Vjetër" nuk është më thjesht një kujtim nostalgjik. Ajo është skena e një historie të re frymëzuese që po rilind dita-ditës përmes agroturizmit. Nisma për të kthyer kohën pas – ose më saktë, për të sjellë të shkuarën në të tashmen – ka rreth 1 vit e gjysmë që zhvillohet me kujdes nga Demush Kastrati dhe vëllai i tij. "Ky vend ku është ndërtuar bujtina ka një histori të veçantë, pasi këtu së pari është themeluar qyteti i Krumës. Ka qenë një model i dikurshëm i Çarshisë së Gjakovës, vendi ku zhvillohej e gjithë jeta sociale, kulturore e ekonomike e asaj kohe. Qëllimi im dhe i vëllait ka qenë pikërisht ky: të ruajmë identitetin, të rikthejmë vlerat që ka pasur kjo zonë. Unë jam rritur këtu dhe dua ta zhvilloj jetën këtu", shprehet 40-vjeçari. LEXO EDHE:Has/ Lokali i kthyer në ‘fole’ kumari, pranga punonjësit, në kërkim pronari! Sekuestrohen 10 makineta lojërash fati dhe një tavolinë pokeri (VIDEO) Për ta lidhur bujtinën shpirtërisht me të gjithë krahinën, Demushi udhëtoi fshat më fshat, duke mbledhur lëndë druri të vjetra dhe gurë nga kullat e rrënuara. Nga Kosurri e deri në Domaj, secili nga katundet e Hasit ka sot nga një gur të vendosur në muret e kësaj bujtine. Prandaj, siç thotë edhe vetë ai, "Bujtina është e krejtve, sepse secili ka një pjesë të historisë së vet këtu." Mbi këta gurë që mbajnë historinë e një krahine të tërë, është ngritur oazi i mikpritjes ku çdo gjë shërbehet "hasjançe", duke filluar nga buka e ngrohtë e deri te shpirti i sofrës. E ky shpirt vjen nga duart e Shpresës, nënës së Demushit. Ajo ka një histori të gjatë që e lidh me gatimin e madh tradicional. "Unë gatuaja për shtëpi të madhe. 25 vetë kemi qenë. Unë isha nusja më e vogël e shtëpisë… gradualisht jeta të mëson gjithçka. Gjithsecili në jetën e vet ka dëshirë të bëjë diçka dhe fillova të gatuaj nga shtëpia. Fillimisht dërgonim porosi nëpër lokale. Sot punoj në restorantin që kemi hapur vetë. Flija, pitja e Hasit, buknorja, peta e misrit, fasule me mish të thatë, revanija, kaçimaku, bërzhi me speca, pula me çervesh apo me jufka, këto gatimet tradicionale janë më të kërkuarat. Me mund e sakrificë gjithçka shpërblehet. Deri tani jemi mirë, uroj që kjo traditë të trashëgohet brez pas brezi", tregon nënë Shpresa. Por historia e këtij vendi ka edhe shtresa të tjera, që flasin përmes mureve. Përbri bujtinës qëndron hoteli i parë i ndërtuar në Has. Mbi muret e tij ende dallohen parullat e zbehura të komunizmit: "Rroftë Partia Komuniste Kineze". Në katin e parë, ku dikur funksiononte restoranti dhe mensa e parë e epokës komuniste, sot po konceptohet një dyqan me produkte bio të zonës – nga gjiza e djathi, te mishi e vezët e freskëta. Ndërsa në katin e dytë, 9 dhomat e vjetra po kthehen në fjetore për turistët, pa ia humbur identitetin. Banorët e vjetër tregojnë se në këtë hotel ka fjetur edhe Enver Hoxha gjatë vizitës së tij në Has. Mirëpo, për Demushin, kujtesa e kësaj ndërtese shkon përtej diktatorit. "Historia e këtij vendi nuk përfn me udhëheqësin e asaj kohe. Ky vend ka shërbyer në gëzime e në hidhërime për hasjanët. Kam dëgjuar që kjo ndërtesë ka pritur shumë burra të mirë. Njëri ka qenë kushëriri jonë, Hajdar Kastrati, që më vonë u pushkatua nga regjimi, dhe burra të tjerë që kanë lënë emër në të gjithë zonën. Prandaj, ky vend nuk mban vetëm historinë e Enver Hoxhës, por historinë e banorëve dhe të burrave të mirë të Hasit", tregon Demushi. Për ta bërë përjetimin e vizitorit të plotë dhe absolutisht autentik, pranë bujtinës ka marrë jetë edhe një fermë blegtorale. Shkëndija për këtë investim lindi larg atdheut, gjatë një qëndrimi tremujor të Demushit në Gjermani. Aty kuptoi se e ardhmja e Hasit ishte pikërisht te rikthimi tek "A-ja e mbijetesës" së kësaj zone: blegtoria. Bashkë me një mikun e tij dibran, emigrant në Gjermani, blenë krerët e parë të bagëtive. Viti i parë ka qenë një sfidë e vërtetë, mes dokumenteve, gjetjes së tokës dhe punëtorëve, por vizioni i tyre shkon shumë larg. "Pasi ta përmbyllim këtë, hapi i radhës është baxhoja. Më pas quhet një cikël i mbyllur: nga ferma, tek baxhoja e deri në tavolinën e klientit. Ne pretendojmë të kemi edhe treg të jashtëm përtej qytetit, synojmë t’i rrisim kapacitetet prodhuese. E rëndësishme për ne është që të njihet Hasi për produktet e tij. Po shërbejmë si model që edhe të tjerët t'i rikthehen fshatit. Duhet shumë mund e sakrificë, por në fund të ditës, kur realizohet, mendoj që ia vlen, të shpërblehet djersa", vijon Demushi. Ky guxim po kthehet në një dritë shprese për të gjithë krahinën, veçanërisht për djemtë e Hasit që morën rrugët e emigrimit. Ky Pazar i Vjetër po u tregon atyre se suksesi është i mundur edhe në shtëpi. "Absolutisht që ia ka vlejtur. Më vjen keq që nuk e kam nisur më herët... Unë do të kisha bërë një apel, sepse hasjanët fatmirësisht janë djem shumë punëtorë dhe që e duan shumë Hasin. Do kisha dashur me shpirt që ato të ardhura që kanë mbledhur në emigracion t'i investojnë këtu. Ky biznes ia vlen. Turizmi, përveç ekonomisë, sjell kulturë, zhvillim, bashkëpunim", shprehet ai. Ndonëse ka shërbyer për gjashtë vite e gjysmë si psikolog në Gjykatën e Kukësit dhe vazhdon të punojë në shkollë, 40-vjeçari nga Pusi i Thatë i fshatit Gjinaj ka vendosur t'i dedikohet një tjetër pasioni: tokës dhe rrënjëve të tij. "Përpiqem të jem hasjani modest me mysafirët, jo psikologu profesional," përfn ai me buzëqeshje. "Hasjani modest është njeriu që të mirëpret sa herë që të vish. Këtë përdorim si divizë kryesore." Dhe me këtë divizë, Hasi po u jep njerëzve të tij arsyen më të bukur për të qëndruar, për t'u rikthyer dhe për të lëshuar rrënjë në tokën e tyre. P.J/E.H/Shqiptarja.com TAG: Kukes krume Has Demush Kastrati Komente Komento Sondazhi i ditës:
8 Tetor, 11:03
PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 59.6% Jo 34.4% Nuk e di 6% Vota total: 5183 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 8 Tetor, 11:03 PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?
