Avokati Idajet Beqiri, në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, komentoi zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend, duke u ndalur te çështja e ish-kryetares së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe te hetimet e SPAK.
Beqiri e cilësoi mënyrën e veprimit të SPAK ndaj Hysenit si një akt politik dhe tha se, sipas tij, masa e sigurisë ndaj saj, në kohën kur ajo ndodhej në një aktivitet ndërkombëtar, cenonte interesat e shtetit shqiptar.
“Por faktikisht, mënyra se si u veprua ishte kundër procedurës që thonë se u ndoq nga SPAK-u. Masa e arrestit në detyrë ishte pikërisht ajo, sepse ajo ishte në detyrë, kryetare e Shërbimit Informativ Shtetëror. Edhe kur je në detyrë, nuk mund të veprosh siç veproi SPAK-u. Ajo ishte në një konferencë ndërkombëtare me gjithë kryetarët e shërbimeve informative të 80 vendeve të botës dhe, në një situatë të tillë, ti këtu në Shqipëri i komunikon asaj arrestin në shtëpi. Çfarë do apo s’do, ti i thua asaj: “Ja, çfarë po deshe, mbathja, ti, sepse unë të kam ngritur akuzë këtu dhe, nga ana tjetër, unë kam marrë masën e arrestit për ty; sa të vish, do të arrestohesh. Domethënë, një shërbim, një institucion shteti që përfaqëson një lloj pushteti, siç është pushteti gjyqësor, bën një veprim të tillë që është me të vërtetë kundër interesave kombëtare shqiptare. Është në drejtim të gabuar, sepse nuk respekton shtetin tënd, i vë kazmën shtetit tënd, sepse kishte rrugë të tjera se si të vepronin ata. Një grusht shteti është i pastër. Ajo është një akt kundër qeverisë Rama. Domethënë, syri aty ishte dhe ata që e planifikuan dhe që e realizuan faktikisht këtë akt, ishin të bindur që ajo nuk do të vinte në Shqipëri, që ajo mund të ishte një aset i çmuar edhe për Iranin, edhe për Rusinë. Kushdo që ta merrte këtë kryetare të Shërbimit Informativ Shtetëror në një situatë të tillë, që t’i shpëtonte arrestit në Shqipëri, atëherë kjo do të ishte akoma edhe më fatale, jo vetëm për Shqipërinë”, tha ai. Sipas tij, në një rast të tillë duhej të ishte ndjekur një tjetër procedurë institucionale, duke garantuar fillimisht kontrollin e plotë të institucionit të SHISH-it dhe më pas vijimin e procedurave ndaj drejtueses së tij.
Beqiri kritikoi gjithashtu publikimin e materialeve të përfshira në procedimin ndaj Hysenit. Ai pretendoi se këto materiale janë përdorur për të dëmtuar figurën e ish-kryetares së SHISH-it dhe të kryeministrit Edi Rama.
“Janë materiale thjesht dhe vetëm për konsum, për të diskredituar atë vetë si kryetare të Shërbimit Informativ, por mbi të gjitha për të diskredituar kryeministrin e vendit. Ne, në vend që të shërojmë ndonjë plagë, plagët na shtohen gjithmonë e më shumë. Edhe kjo e SHISH-it është një plagë e re që iu shkaktua Shqipërisë dhe duhen mbyllur tani këto plagë me sakrifica dhe me punë të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Beqiri u ndal edhe te çështje të tjera të së kaluarës, duke kërkuar hetim të përgjegjësive politike dhe penale për 21 Janarin, Gërdecin dhe ngjarje të tjera që, sipas tij, kanë mbetur pa u zbardhur plotësisht.
Ai kritikoi deklaratat politike që kërkojnë që SPAK të lihet të bëjë punën e tij, duke argumentuar se hetimet duhet të shtrihen edhe te çështje të tjera që ai i konsideron me rëndësi për drejtësinë shqiptare.
“Hetimi është 21 Janari. Hetimi është Gërdeci. Hetimi janë firmat piramidale. Hetimi është grushti i shtetit”, tha Beqiri.
Ai u shpreh se, sipas tij, drejtësia shqiptare duhet të zbardhë përgjegjësitë për ngjarjet e rënda të së kaluarës, në mënyrë që ato të mos mbeten plagë të hapura në shoqërinë shqiptare. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! -Politikë*Fokus*KryesoreAktualitet
