Ilir Xhemalaj ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë, duke deklaruar se qytetarët duhet të dalin në shesh dhe të kërkojnë ndryshime për vendin. Në fjalën e tij, ai kritikoi situatën ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë, ndërsa u shpreh kundër varësisë nga ndihmat europiane. Duke iu referuar vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Xhemalaj tha se shqiptarët nuk duhet të kënaqen vetëm me lehtësimin e rrugës drejt integrimit europian. “Dje në Shqipëri erdhi Von der Leyen me mision të na thotë që BE po mhet të na lehtësojë rrugën drejt Europës. Nuk na intereson fare, as na e ndjen. Von der Leyen ta dijë se BE është krijuar mbi lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ne duam të mos na thonë në kufi ‘ju shqiptarët këtej, ju europianët andej’. Këtë duam ne”, deklaroi ai. Xhemalaj u ndal edhe te gjendja ekonomike dhe kapacitetet mbrojtëse të vendit. Sipas tij, Shqipëria, pavarësisht pasurive që disponon, është lënë në një situatë ku varet nga të tjerët. “Ne duhet të jemi shtet i zhvilluar për pasuritë që kemi, por na kanë lënë te buka e gojës. Duan të na lënë të varemi nga ndihmat europiane. Por jo. Ky vend ka zot dhe ne do t’i dalim zot”, u shpreh Xhemalaj.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën, sipas tij, të kapaciteteve të mjaftueshme ushtarake të Shqipërisë, duke thënë se vendi nuk mund të funksionojë duke u mbështetur vetëm te të tjerët për mbrojtjen.
“Nuk mund të jemi një shtet pa ushtri. Kemi shitur tokën e detin. Sot vendi i shqiponjave nuk ka asnjë avion luftarak. Çdo gjë e kemi nga të tjerët. Na mbrojnë të tjerët. Bukë na japin kur të duan. Por shteti nuk mund të funksionojë kështu”, deklaroi ai.
Në fund, Xhemalaj iu drejtua qytetarëve me thirrjen për t’iu bashkuar protestës, duke theksuar se, sipas tij, qëndresa duhet të zhvillohet në shesh dhe jo të mbetet vetëm në diskutime.
“Të gjithë në shesh, këtu bëhet lufta, jo në kafene. Qëndresa jonë të bëhet këtu”, tha Xhemalaj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
