Lajme Zone
Sot në Top Channel, shorti i Champions League, nga goglat te superkompjuteri
SportTop Channel

Sot në Top Channel, shorti i Champions League, nga goglat te superkompjuteri

Shorti i fazës së ligës së Champions League transmetohet sot drejtpërdrejt në Top Channel, duke nisur nga ora 18:00.

Shorti i fazës së ligës së Champions League transmetohet sot drejtpërdrejt në Top Channel, duke nisur nga ora 18:00. Por ndërsa tifozët do të shohin goglat që dalin njëra pas tjetrës në skenën e Grimaldi Forum në Monako, një pjesë e rëndësishme e shortit do të zhvillohet larg syve të publikut, në ekranin e një superkompjuteri. Që prej ndryshimit të formatit në sezonin 2024/25, Champions League ka një fazë lige me 36 skuadra. Çdo ekip luan tetë ndeshje ndaj tetë kundërshtarëve të ndryshëm, katër në shtëpi dhe katër jashtë. Dhe pikërisht këtu nis puna e superkompjuterit.

Një gogël nxirret fizikisht për të përcaktuar klubin që po hidhet në short. Por më pas, në vend që të nxirren njëra pas tjetrës tetë gogla të tjera, sistemi informatik llogarit menjëherë kundërshtarët që mund t’i caktohen skuadrës, duke respektuar të gjitha kufizimet e shortit.

Një klub nuk mund të përballet me një skuadër tjetër nga i njëjti kampionat dhe mund të ketë maksimumi dy kundërshtarë nga i njëjti vend. Për më tepër, secila skuadër duhet të marrë nga dy kundërshtarë prej secilës prej katër vazove, një për ndeshje në shtëpi dhe një për transfertë.

Pra, ndërsa tifozët shohin një gogël që del nga një kupë, në sfond kompjuteri po zgjidh një problem kompleks me dhjetëra kufizime. Sipas një shpjegimi të publikuar nga Goal, nëse ky proces do të bëhej tërësisht manualisht, shorti do të kërkonte rreth katër orë, 1000 topa dhe 36 kupa qelqi. Me sistemin e asistuar nga kompjuteri, procesi është projektuar të përfjë në rreth 35 minuta.

Kjo do të thotë se në Champions League moderne, gogla përcakton se cila skuadër po hidhet në short, ndërsa teknologjia ndihmon të përcaktohet se me kë mund të luajë ajo. Dhe sot, në orën 18:00, në Grimaldi Forum të Monakos, ky mekanizëm do të vihet sërish në punë. 36 skuadrat e Champions League 2026/27 do të ndahen në katër vazo dhe secila do të mësojë tetë kundërshtarët e saj për fazën e ligës.

Kështu, pas spektaklit televiziv të goglave, ekziston një tjetër spektakël që nuk shihet: një superkompjuter që, në pak sekonda, llogarit miliona mundësi për të gjetur kombinimin që respekton rregullat e UEFA-s. Në Champions League, fati ende nis me një gogël. Por sot, për të përfunduar shorti, duhet edhe pak… teknologji. Top Channel