Nga rekrutimi i shpërndarësve përmes TikTok-ut, te telefonat me lista klientësh që shiten deri në 300 mijë paund. Një investigim njëvjeçar i Sky News ka zbuluar se si rrjetet kriminale shqiptare kanë zgjeruar kontrollin mbi tregun e kokainës në Britaninë e Madhe. Në dokumentar ka folur edhe kreu i seksionit të hetimit të krimit të organizuar në SPAK, Vladimir Mara, i cili ka treguar se ku investohen paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal. Investigimi i gazetarit britanik John Sparks, i titulluar “Bosët e drogës në derën ngjitur: Si e kanë transformuar bandat shqiptare tregtinë e kokainës në Britani”, dokumenton mënyrën se si funksionojnë këto rrjete, nga furnizimi ndërkombëtar me drogë deri te shitja në rrugët britanike. LEXO edhe...Operacion ndërkombëtar kundër ‘Dark Web’, 354 të arrestuar! Sekuestrohen 4.8 tonë drogë në SHBA dhe 152 armë zjarri Për të depërtuar në këto grupe, gazetarët e Sky News përdorën identitete të rreme, telefona të posaçëm dhe një bashkëpunëtor shqipfolës, duke zhvilluar takime me persona të përfshirë në shpërndarjen e kokainës në qytete si Exeter dhe Royal Tunbridge Wells. Një nga zbulimet e investigimit lidhet me lehtësinë e rekrutimit të shpërndarësve të rinj. Përmes njoftimeve në rrjetet sociale, përfshirë TikTok-un, një person mund të përfshihet në shpërndarjen e drogës brenda pak minutash. Në një takim të regjistruar në Exeter, një rekrutues i identifikuar si “Leo” i ofroi bashkëpunëtorit të gazetarëve deri në 280 paund në ditë për të shpërndarë kokainë. Por shpërndarësit nuk duhet të kërkojnë vetë klientë. Sipas investigimit, rrjetet kriminale u japin telefona me lista të gatshme personash që blejnë drogë. Këta telefona, për shkak të klientelës që përmbajnë, mund të shiten në tregun e zi deri në 300 mijë paund. Sistemi i shpërndarjes është organizuar në mënyrë të tillë që porositë e kokainës të konfirmohen dhe droga të dorëzohet te klientët brenda 30 minutash. Sipas ekspertëve të cituar në investigim, grupet kriminale shqiptare sigurojnë fitime të mëdha pasi kontrollojnë të gjithë zinxhirin e trafikut, nga importimi i kokainës në Britani deri te shitja e saj në rrugë. Vladimir Mara i SPAK: Investojnë në Shqipëri dhe vendet e BE-së Pjesë e dokumentarit është edhe kreu i seksionit të hetimit të krimit të organizuar në SPAK, Vladimir Mara, i cili flet për investimet e grupeve kriminale shqiptare dhe përpjekjet e tyre për të krijuar ndikim në vendet ku ushtrojnë aktivitetin. “Ne kemi konstatuar që këto grupe kriminale kanë pasur investime në vende të ndryshme të BE-së. Patjetër që ka pasur investime në Shqipëri. Ata kanë investuar në apartamente, ka pasur investime të pjesshme, të copëzuara, diku në pasuri të paluajtshme, restorante, vila banimi. Këta njerëz mhen të kenë influencë në çdo vend ku ushtrojnë aktivitetin. Veprimet i kryejnë në funksion të përfitimeve të mëdha të paligjshme e në kohë të shpejtë”, deklaron Mara. Por gjatë investigimit gati njëvjeçar, gazetari i Sky News zbuloi se aktiviteti i këtyre rrjeteve nuk kufizohej vetëm te tregtia e kokainës. Në TikTok ai hasi një njoftim në gjuhën shqipe ku shkruhej: “Transportojmë djem me probleme nga Britania drejt Europës. Udhëtim i sigurt çdo javë”. Duke përdorur një llogari të fshehtë, gazetari kontaktoi personin që kishte publikuar njoftimin. Ky i fundit i ofroi mundësinë për të nxjerrë nga Britania një person që kishte probleme me policinë, duke e transportuar me kamion kundrejt 2,500 paundëve. Investigimi solli në vëmendje edhe lidhjet mes trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm. Matthews intervistoi një shqiptar që kishte mbërritur në Britani me gomone dhe më pas ishte përfshirë në aktivitetin e drogës. Shqiptari, i cili tashmë ishte kthyer në Shqipëri, tregoi në kushte anonimiteti se të afërmit i kishin paguar udhëtimin drejt Britanisë me kusht që të punonte për trafikantët shqiptarë. Pas mbërritjes, ai ishte larguar nga hoteli ku qëndronte si emigrant dhe kishte shkuar të punonte në një fermë kanabisi në Mançester. I pyetur nëse edhe persona të tjerë në gomonen me të cilën kishte udhëtuar kishin të njëjtin qëllim, ai u përgjigj: “Po. Shumica ishin nisur me këtë ide në mendje”. U.D/ReportTv.al grupe kriminale kokaine droge trafiku i droges trafiku i qenieve njerezore SPAK Britani e Madhe vladimir mara Komento Komente Sondazhi i ditës: Gjoba protestuesve që bllokojnë rrugët gjatë tubimeve, si e vlerësoni? Të drejtë 72.8% Të gabuar 24.4% Nuk e di 2.7% Vota total: 1237 Sondazhi i ditës: Gjoba protestuesve që bllokojnë rrugët gjatë tubimeve, si e vlerësoni?

