Lajme Zone
Skandal i madh në futbollin turk/ Arrestohet kreu i arbitrave dhe pezullohen qindra drejtues, i përfshirë edhe presidenti i Muçit
SportTop Channel

Skandal i madh në futbollin turk/ Arrestohet kreu i arbitrave dhe pezullohen qindra drejtues, i përfshirë edhe presidenti i Muçit

Futbolli turk po përballet me një hetim të gjerë për bastet e paligjshme, i cili ka prekur drejtues të federatës, arbitra dhe qindra persona të përfshirë në aktivitetin sportiv.

Futbolli turk po përballet me një hetim të gjerë për bastet e paligjshme, i cili ka prekur drejtues të federatës, arbitra dhe qindra persona të përfshirë në aktivitetin sportiv. Hetimi po zhvillohet nga njësia e Prokurorisë së Stambollit që merret me bastet e paligjshme, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë një seri operacionesh dhe kontrollesh.

Në orët e fundit është arrestuar presidenti i Komitetit Qendror të Arbitrave (MHK), Ferhat Gündoğdu, së bashku me zëvendësin e tij dhe persona të tjerë të dyshuar.

Sipas akuzave të ngritura nga autoritetet, bëhet fjalë për falsifikim dokumentesh zyrtare, shpërdorim besimi dhe përvetësim të paligjshëm të të dhënave personale. Hetimi përfshin gjithashtu dyshime për ndërhyrje në renditjen, emërimet dhe vlerësimin e arbitrave.

Federata Turke e Futbollit ka pezulluar përkohësisht 448 drejtues dhe ish-drejtues klubesh, të dyshuar se kanë vendosur baste gjatë pesë viteve të fundit.

Mes tyre janë presidenti i Trabzonsporit, Ertuğrul Doğan, dhe zv.presidenti i Beşiktaşit, Hakan Daltaban. Ndërkohë, një hetim i mëparshëm kishte zbuluar se 371 nga 571 arbitra profesionistë kishin llogari bastesh, ndërsa 152 prej tyre kishin vendosur aktivisht baste.

Hetimi ka prekur edhe futbollistë, me më shumë se 1 mijë lojtarë të pezulluar në nivele të ndryshme.

Autoritetet turke kanë deklaruar se synojnë të pastrojnë futbollin nga aktivitetet e paligjshme, ndërsa hetimet pritet të kenë ndikim edhe në strukturat drejtuese të futbollit turk. Në sfond është edhe Kampionati Evropian 2032, që Turqia do ta organizojë së bashku me Italinë. Top Channel