Vendimi për hartën e re territoriale ka thelluar përplasjet politike në vend. Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama i cili u shpreh se protestat në disa bashki (përfshirë edhe nga anëtarë të PS) janë normale gjatë fazës së konsultimit publik, ka ardhur përgjigja e menjëhershme nga deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi. Përmes një replike direkte, Boçi e akuzon kryeministrin për amnezi ligjore dhe shkelje flagrante të Kushtetutës. Sipas tij, reagimi i Ramës nuk dëshmon “demokraci brenda PS-së”, por panik nga revolta që ka shpërthyer edhe brenda radhëve të mazhorancës socialiste. Më tej, Boçi shton se qeveria po përpiqet të fshihet pas një afati formal 60-ditor konsultimesh, ndërsa sjelljes së Ramës i përgjigjet me ironi: “Ju nuk jeni kalorës, ju gomaroni (ecni mbi gomar)”. Reagimi i plotë i Luçiano Boçit: “(Një përgjigje e detyruar)
Zoti me nder Kryeministër!
Nuk e dija që, pas 13 vitesh qeverisje me komandë, befas ju na paskët zbuluar ‘pluralizmin’ e mendimit ndryshe brenda PS.
Deri dje, një fjalë ndryshe nga vija juaj zyrtaro-personale quhej sabotim. Sot, kur kryetarët socialistë kanë filluar të mbrojnë bashkitë e tyre, na thoni se kjo qenka demokraci. Jo, zoti Rama. Ajo është revoltë e kjo e jotja quhet panik. Dhe paniku zakonisht fillon kur nuk të besojnë më as njerëzit e tu.
Nuk janë të parët e as të vetmit që janë shprehur. Janë dhe plot të tjerë që mezi presin ditën. E në përpjekje për të qetësuar revoltën që tashmë ka mbërritur edhe në radhët e Partisë Socialiste e për të ledhatuar panikun tënd, ju fshiheni pas një gjoja parashtrimi juridik që, fatkeqësisht për ju, nuk ekziston.
Nuk është hera e parë që demonstroni probleme të njohjes së ligjeve. Me dashje po se po, por dhe nga padija po. E kur e keqja dhe padija japin mend shteti është në rrezik.
Ju përpiqeni ta mbuloni këtë krizë politiko-territoriale me argumentin e ‘60 ditëve të konsultimit’. Por këtu propaganda e padija jote ligjore përplaset me ligjin.
Së pari, Kushtetuta, në nenin 108, pika 2, nuk kërkon thjesht një afat. Ajo kërkon marrjen paraprake të mendimit të popullsisë së territoreve ku ndryshohen kufijtë. Vendos syzet e duhura e shihe në sy Kushtetutën kur thotë: ‘Kufijtë e tyre (administrativë-territorial) nuk mund të ndryshohen pa u marrë mëparë mendimi i popullsisë që banon në to’. Ky është një detyrim absolut kushtetues dhe nuk zëvendësohet dot me postime në Facebook, X, konferenca shtypi apo dëgjesa formale.
Së dyti, afati 60-ditor që përmendni nuk është afati i ‘konsultimit publik’, siç përpiqeni ta paraqisni. Ligji nr. 139/2015 ‘Për Vetëqeverisjen Vendore’ e lidh këtë afat me kohën që u jepet këshillave bashkiakë, qarqeve dhe institucioneve për të dhënë mendimin e tyre zyrtar, pasi marrin kërkesën. Janë dy procese krejt të ndryshme.
Së treti, konsultimi nuk përmbushet duke dëgjuar vetëm kryetarët e bashkive apo ekspertët e përzgjedhur. Kushtetuta dhe ligji kërkojnë që të merret mendimi real, paraprak, i dokumentuar dhe territorial i popullsisë së çdo bashkie që preket. Një debat i përgjithshëm në Tiranë nuk zëvendëson konsultimin në Klos, Prrenjas, Mamaliaj, Fushë Arrëz, Poliçan, apo kudo tjetër ku ndryshohen kufijtë.
Së katërti, ligji kërkon që Kuvendit t’i paraqiten jo vetëm hartat dhe arsyetimet, por edhe mendimi i popullsisë, analizat ekonomike, sociale, kulturore e demografike për çdo territor të prekur. Nëse këto mungojnë ose janë thjesht formale, problemi nuk është politik. Është procedural dhe kushtetues.
Së pesti, për vendime të tilla me impakt tërësor e kohor të gjatë publik siç është Reforma Territoriale, Parlamenti në traditën e konsoliduar dhe referuar Kushtetutës, nuk mund të zëvendësojë një komision me paritet politik pozitë-opozitë, me një nismë ligjore të njëanshme deputetësh.
Dhe një detaj që ju e anashkaloni me lehtësi. Europa nuk kërkon konsultime për t’u bërë fotografi. Kërkon konsultime që mund të ndryshojnë vendimin. Nëse harta është vendosur paraprakisht dhe konsultimi bëhet vetëm për t’i vënë një vulë formale, atëherë nuk kemi proces demokratik. Kemi një ritual burokratik.
Prandaj nuk janë në hall ata që protestojnë. Në hall je ti, sepse nuk po bind dot as kryetarët tuaj të bashkive.
Pastaj vjen pjesa ‘më zbavitëse’ e statusit tuaj. Ju talleni siç e keni zakon në fakt, me historinë, traditën dhe identitetin e komuniteteve, sikur këto të ishin ‘gojëdhëna’. Vetëm se problemi është se është përsëri ajo që ti e shkel sa herë të pengon, Kushtetuta që të kundërshton, jo thjesht opozita e qytetarët. Ajo flet qartë për traditën historike si kriter për ndarjen administrativo-territoriale. Pra nuk jemi ne, as Bashkiakët tuaj, as qytetarët në konflikt me tekstin kushtetues. Jeni ju! Si përherë.
Dhe së fundi… Nëse reforma është kaq e mrekullueshme, pse po detyroheni të shkruani statuse për të bindur kryetarët tuaj?!!! Pse protestojnë qytetarët, dhe pse i janë bashkuar ata që kanë fituar zgjedhjet me siglën e PS-së?!
Kuptojeni pak këtë me nder Kryeministër! Kjo ndodh sepse ata jetojnë në bashkitë që ju i shihni vetëm në hartë. Ata tani po dëgjojnë qytetarët. Ju dëgjoni vetëm hartografët e propagandës.
Prandaj mos u shqetësoni për ‘kalorësin’. Ju fatkeqësisht nuk jeni aspak kalorës, nuk kalëroni, ju gomaroni (ecni mbi gomar). Shqetësohuni për revoltën e drejtë të njerëzve tuaj. Sepse kur kjo ndodh dhe është e prekshme, beteja zakonisht është humbur para se të fillojë.” © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

