Miniera / Një minator 40-vjeçar humbi jetën në galerinë e Tërnovës. Pas kësaj tragjedie qëndron historia e një pasurie strategjike kombëtare, të cilën shteti ua dorëzoi kompanive fantazmë, grupeve kriminale dhe politikanëve që fshihen pas tyre... Minatori Ilir Kolaveri humbi jetën në një galeri kromi në Tërnovë të Bulqizës. Ngjarja nuk përbën një aksident të izoluar, por vazhdimin e një kronike tragjike. Prej 37 vjetësh, kromi shqiptar nxirret në galeri me kushte të rënda, ndërsa shteti lejon kompani të dyshimta dhe grupe me mbështetje politike të kontrollojnë një pasuri strategjike kombëtare.
Humbja e jetës së një minatori 40-vjeçar në një nga galeritë misterioze të masivit të kromit në Bulqizë është kthyer në pjesë të një kronike thuajse periodike lajmesh nga qyteti i vogël i minatorëve.
Bulqiza nuk është më qyteti i minatorëve të kohës së komunizmit, ku jetonin më shumë se 10 mijë banorë dhe rreth 5 mijë prej tyre punonin në minierën e kromit.
Atje ndodhet një nga vendburimet më të rëndësishme të këtij minerali të çmuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rang europian dhe botëror.
Veçantia e kromit të Bulqizës qëndron te pasuria e një pjese të madhe të masivit mineralmbajtës dhe te përqindja e lartë e kromit, një metal me rëndësi për industrinë e rëndë, prodhimin e çelikut të pandryshkshëm dhe të superaliazheve.
Kromi nuk bën pjesë te mineralet e rralla. Megjithatë, ekonomitë industriale e konsiderojnë atë lëndë të parë me rëndësi strategjike, për shkak të përdorimit të gjerë dhe mungesës së një zëvendësuesi të plotë në disa sektorë.
Por realiteti në masivin ku nxirret ky mineral vazhdon të prodhojë tragjedi.
Vetëm dy puset e shfrytëzimit në masivin qendror të Bulqizës, të ashtuquajturit pusi nr. 1 dhe pusi nr. 2, me thellësi që i kalon një mijë metrat, zotërohen nga një kompani e madhe. Ajo ka një numër të kufizuar punëtorësh dhe arrin të ushtrojë një nivel më të lartë kontrolli mbi problemet e sigurimit teknik.
Edhe në këtë pellg mungojnë investimet që kërkon një industri moderne minerare. Një pjesë e madhe e stabilimentit mbështetet ende te infrastruktura që la ish-ndërmarrja shtetërore e periudhës së komunizmit, e projektuar dhe ndërtuar nga inxhinierë dhe specialistë shqiptarë.
Jashtë këtij stabilimenti relativisht të kontrolluar gëlojnë galeri dhe fronte të shumta për nxjerrjen e kromit, të cilat i administrojnë përgjithësisht kompani të vogla, disa prej tyre pa kapacitete të provuara financiare, teknike dhe profesionale.
Këto galeri i zotërojnë njerëz të hurit e të litarit, të cilët, nëpërmjet forcës, lidhjeve politike dhe korrupsionit, kanë marrë në shfrytëzim ish-galeritë e gjigantit minerar shqiptar.
Disa nga grupet që kanë kontrolluar tregtinë dhe nxjerrjen e kromit janë përplasur edhe me armë me njëri-tjetrin. Ato punësojnë në të zezë grupe të vogla pune, të përbëra nga dy ose tre minatorë që hapin vrimat me pajisje pneumatike në masivin shkëmbor, një zjarrmëtar që përgatit shpërthimet dhe punëtorë krahu që ngarkojnë mineralin në vagonë dhe e shtyjnë me dorë drejt sipërfaqes.
Shumë prej këtyre galerive janë horizontale dhe ruajnë linjat e vjetra të shinave për kalimin e vagonëve. Por këto zgafella kanë punuar për vite pa kontrollin që kërkon ligji dhe pa kushtet që garantojnë jetën e minatorëve.
Gjatë viteve të fundit, institucionet e kanë shtuar kontrollin në zonën kryesore minerare të Bulqizës. Subjektet që shfrytëzojnë galeritë janë detyruar të plotësojnë disa kushte teknike. Por problemet e vjetra kanë mbetur në galeritë periferike, si ajo ku ndodhi aksidenti i fundit në Tërnovë, ku mungesa e infrastrukturës e vështirëson edhe më shumë kontrollin.
Minatori Ilir Kolaveri, 40 vjeç, me detyrë minator dhe brigadier, humbi jetën në galerinë që administron subjekti privat “Eternal Security”. Policia dhe grupi hetimor duhet të sqarojnë shkaqet e aksidentit, kushtet e sigurisë, dokumentacionin teknik dhe përgjegjësitë e kompanisë.
Por hetimi nuk duhet të ndalet vetëm te rrethanat teknike të kësaj ngjarjeje. Ai duhet të shqyrtojë të gjithë sistemin që ka lejuar shfrytëzimin e galerive nga dhjetëra kompani, pronarët realë të tyre, lidhjet politike dhe mënyrën si institucionet kanë ushtruar kontrollin.
Në fund të vitit 2021, Shqipëria kishte 251 leje aktive për shfrytëzimin e kromit. Rreth 121 prej tyre ndodheshin në rajonin e Bulqizës. Këto të dhëna tregojnë shkallën e copëzimit të industrisë minerare dhe numrin e madh të subjekteve që veprojnë në një territor të kufizuar.
Minerali i kromit, i cili përbën një xeheror të rëndësishëm për industrinë e rëndë, mbrojtjen, hapësirën ajrore dhe disa sektorë të teknologjisë së lartë, nuk mund të trajtohet ndryshe veçse si një vlerë strategjike kombëtare.
Shteti duhet ta kontrollojë këtë pasuri, njësoj si burimet energjetike dhe industrinë ushtarake, dhe duhet ta heqë nga duart e mafiozëve.
Për 37 vjet, grupe të lidhura me politikën e kanë grabitur kromin e Bulqizës, duke përdorur emra kryeministrash, presidentësh, ministrash dhe politikanësh si mburojë, ose ndoshta edhe si pronarë realë të fshehur pas kompanive.
Sot Bulqiza, qyteti që për më shumë se 40 vjet mbante një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit, po braktiset.
Sipas Censit të vitit 2023, në njësinë administrative Bulqizë jetojnë 7 875 banorë, ndërsa e gjithë bashkia ka 26 826 banorë. Një pjesë e madhe e specialistëve të trajnuar në industrinë minerare punojnë jashtë Shqipërisë, nga Europa deri në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Ata që kanë mbetur, sepse nuk patën mundësi të largoheshin, punojnë shpesh pa kushte të plota teknike në zgafella misterioze, të cilat i kontrollojnë grupe me lidhje kriminale dhe politike.
Në Bulqizë qytetarët i përmendin me emra politikanët që, sipas tyre, janë pasuruar dhe vazhdojnë të pasurohen nga kromi dhe nga puna e minatorëve. Por shteti nuk i heton këto denoncime, nuk verifikon pronarët përfitues të kompanive dhe nuk bën publike lidhjet që fshihen pas licencave minerare.
Sa herë humbet jetën një minator, institucionet hapin një hetim teknik, kontrollojnë disa dokumente dhe presin që lajmi të harrohet. Pastaj galeritë rihapen dhe kromi vazhdon të dalë nga nëntoka me të njëjtin sistem.
Bulqiza nuk ka nevojë vetëm për ngushëllime pas çdo tragjedie. Ajo kërkon një hetim të plotë mbi licencat, kompanitë, pronarët përfitues, kushtet e sigurisë dhe politikanët që kanë kontrolluar industrinë e kromit gjatë 37 viteve të fundit.
Pa këtë hetim, kromi do të vazhdojë të prodhojë pasuri për të njëjtët njerëz dhe tragjedi për minatorët./Pamfletibulqiza zgafellat e vdekjes mafia e kromit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike "Konsultim farsë", Bardhi sulmon Ramën: Vendimi për hartën territoriale është marrë 2 Gusht 2026, 19:0319:03Politike "Si mund të shkrihet një bashki që po rritet?", kryebashkiakja e PS kundër reformës territoriale 2 Gusht 2026, 17:4517:45Politike Rama sfidon kryebashkiakët dhe socialistët rebelë: Reforma Territoriale nuk ndalet, vendos Parlamenti 2 Gusht 2026, 15:0015:00Politike Bilanci i muajve të fundit vetëm në rritje, ministri Lamallari: Aksidentet kanë rënë gjatë dekadës së fundit 2 Gusht 2026, 14:3214:32Politike Konsullata serbe në Shkodër: Diplomaci normale apo sinjal i një strategjie më të gjerë rajonale? 2 Gusht 2026, 13:2413:24Politike A do të zhvendoset në Gjadër kriza e Ceutës? 2 Gusht 2026, 12:5612:56Politike

